Shko te përmbajtja

Luigj Bumçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Imzot Luigj Bumçi
Ipeshkëv i Lezhës
Në detyrë
18 shtator, 1911  1 shtator, 1943
Paraprirë ngaImzot Leonard Deda
Pasuar ngaImzot Frano Gjini
Delegat pa portofol, mis në Versajë
Në detyrë
25 dhjetor, 1918  29 janar, 1920
Pasuar ngaHysen bej Vrioni
Regjent
Në detyrë
31 janar, 1920  22 dhjetor, 1921
Paraprirë ngaPrinc Vidi
Pasuar ngaGjon Çoba
Të dhëna vetjake
U lind më7 nëntor, 1872
Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më1 mars, 1945
Lezhë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
Punësimiklerik, ipeshkv, diplomat

Luigj Bumçi (Shkodër, 7 nëntor 1872 - 1 mars 1945) ishte klerik, ipeshkëv, diplomat e pjesëtar i Këshillit të Naltë dalë nga Kongresi i Lushnjës.

Leu në Shkodër më 1872 në një familje të moçme qytetare, i biri i Gjon Bumçit dhe i së motrës të Pashko Vasës. Mësimet e para i nxuri pranë Scuola tecnica commerciale[1] e hapur nga jezuitët për familjet tregtare. I ati e dërgon në Durrës për çështje tregtare, kësodore kaloi mosha e rregullave jezuite për meshtari - urdhër ku i riu Luigj donte të ndiqte studimet në Seminar. Në sajë të ndërhyrjes së bërë nga kardinali Ledokovski me anë të një letre dërguar Guerinit arqip. i Shkodrës, pranohet në Seminarin Papnor më 17 gusht 1898. Kreu mësimet e filozofisë dhe teologjisë më 3 maj 1903 u shugurua meshtar[2] gjatë kohës së një qëndrimi të shkurtër në Romë[3].

Shërbeu ndër fshatrat Shkrel, Pentar, Juban dhe mandej në Shkodër. Më 10 dhjetor 1911 u shugurue ipeshkëv i Lezhës[2] me qendër në Kallmet. Më 1911 qe anëtar i misionit për marrëveshjen midis malësorëve e qeverisë turke, duke shërbyer si ndërmjetës me diktim të Imzot Serreqit. Shkruajti memorandume tok me Fishtën dhe Dodën për autonominë e Shqipërisë. Kujtimet[4] rreth kësaj ngjarjeje do t'i botoheshin tek organi i shtypit françeskan "Hylli i Dritës"[5]. Për gjendjen e Malcís bashkëpunoi me Gurakuqin e me gjithë patriotët e aktivizuar në këtë kryengritje.

Merr pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919 si kryetar i Dërgatës në Konferencën e Paqes në Versajë, Paris. Mbajti fjalimin e pergatitun nga Fishta "Të drejtat e Shqipnisë etnike" dhe shkruan "Mëvetësinë e tanësinë tokësore e Shqypnisë mbrenda kufijve ethnikë e respektim i të drejtave syprane të kombit shqyptar". Në dhjetor ndërhyri pranë Papa Benediktit XVKorça e Gjirokastra mos t'i shkëputeshin Shqipnisë siç e kishin planifikuar mes vetes Italia me Greqinë në paktin Tittoni-Venizelos[4] të nënshkruar në qershor të 1919 - gjatë periudhës tetor-dhjetor përpjekjet e tij me kontaktet e ndryshme në kler e politikë ku has edhe në tollovinë e dërgatave të ndryshme shqiptare[3]. Deklaroi bujshëm para autoriteteve të huaja, se «... me muslimanët jena vllazën». Lobingu i tij gëzoi mbështetje të fortë nga dërgata e Stambollit e prirë nga Halil pashë Alizoti, Fuat bej Dibra dhe P. Jul Bonati SJ[3]. Mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Lushnjës, u zgjodh si përfaqësues i elementit katolik në Këshillin e Naltë të Regjencës së bashku me Aqif pashë Biçakun, Abdi bej Toptanin dhe Mihal Turtullin.

Përdori tërë ndikimin e tij për të bërë të mundur që Gurakuqi të zgjidhej në zgjedhjet e prillit 1921[6]. Bashkë me Aqif pashën dhe figura tjera të politikës së kohës organizojnë grushtin e shtetit në javën e parë të dhjetorit 1921 me bindjen se u bë për të shpëtuar kombin[7], lëvizje që shtrëngon k/ministrin Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen[8]. Lirohet nga detyra në Këshillin e Naltë më 22 dhjetor[1], dëbohet nga qeveria e kohës[9] prej kësaj pjesëmarrjeje dhe zëvendësohet nga Ndoc Pistulli[10] në Regjencë. Jeton në mërgim nga 1922 gjer më 1924 - kohë kur i digjet edhe shtëpia[1]. Kthehet në atdhe dhe kujdeset për mbarëvajtjen e ipeshkvisë së tij prej të cilës do jepte dorëheqjen më dt. 1 shtator 1943[2].

Takon P. Gjergjin verën para se të vdiste, në kuvendin e fretënve në Troshan[11]. "I dërrmuem nga seancat hetimore e kërcnuese, ipeshkvi plak vdiq menjiherë, me 1 mars 1945", shkruan Dr. Pjetër Pepa.

Para kufomës së ipeshkvit mbajti predkun P. Pjetër Meshkalla SJ. Trupi i tij i varros në kishën e Kallmetit.

  1. 1 2 3 Elsie R., Historical Dictionary of Albania, I.B. Tauris & Co. Ltd. London - NY, fq. 58-59.
  2. 1 2 3 Sipas sitit catholic-hierarchy.org, marrë më 1 tetor 2014.
  3. 1 2 3 Asllani U., Si e mbrojtën çështjen shqiptare klerikët katolikë në Konferencën e Paqes, Panorama, 10 shkurt, 2014.
  4. 1 2 Çefa K.,  Imzot Bumçi, një personalitet i shquar në historinë tonë kombëtare (me rastin e 140-vjetorit të lindjes) Arkivuar 21 shkurt 2014 tek Wayback Machine, Republika 12 nëntor 2012.
  5. Bumçi L., Nga kujtimet e mija, Hylli i Dritës, nr. 5, fq. 16-17, 1944. Të dërguara në redaksinë e të përkohshmes në 1934.
  6. Çefa K., "Luigj Gurakuqi në një optikë të re", Instituti i Historisë, Prishtinë - 2011.
  7. Pearson O., "Albania and King Zog: Independence, Republic and Monarchy 1908-1939", I.B. Tauris & Co. Ltd., London - NY 2004 fq. 181.
  8. Vllamasi S., "Ballafaqime Politike në Shqipëri", "Marin Barleti", Tiranë 2000.
  9. Herbert A., "The Making of Modern Albania", I.B. Tauris & Co. Ltd. London - NY 2011, fq. 346.
  10. Sipas sitit archontology.org, krerët e Shtetit Shqiptar 1918-1925.
  11. Pllumi Z., "Histori kurrë e shkrueme: Kur u njoha me Fishtën", "55", Tiranë 2006.