Shko te përmbajtja

Jak Serreqi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jak Serreqi (Nënshat, 2 Dhjetor 1861 - Shkodër, 11 Prill 1922) ishte një prelat i lartë i Kishës Katolike në viset Shqiptare.

Jak Serreqi lindi në Nënshat të Zadrimës. Në moshën 10 vjeç, la shtëpinë e tij, për tu futur në Seminarin PapnorShkodër, ku mbaroi studimet e nevojshme në Filozofi e Teologji, duke u bërë meshtar në Qershor 1884. Ai shërbeu si famullitar në Dajç, në Kllezen, e në Rrencë, prej nga u thirr si ndihmëtar e më tej si famullitar efektiv në Shkodër. Duke qënë famullitar katolik në Shkodër, ai tregoi besimin që i dha Parija Kishtare.


Emri i tij nisi të bëhej popullor, emër tek i cili përfaqsohej një famullitar gjithë zell e dashuri për Kishën, dhe me iniciativë të veten, ndër sa e sa punë të mbara e diftoi vedin aty ku e kërkonte puna. Në çdo çështje, për çdo rast, thënja "ka thanë Dom Jaku" ishte e mjaftueshme për të zgjidhur edhe ngatërresat nga më të vështira. Si famullitar, ndërtoj qelen, ku më tej shërbeu si zyrë famullie, e bashkë me Imzot Preng Doçin u bë shkaktari më i fortë, e mbrojtësi më i përzemërt i Akademisë Letrare "Bashkimi". Papa Piu X, në vitin 1905, e emëroi Ipeshkv në Zadrimë. Shugurimin e mori në 29 Tetor të atij viti. Me 29 Prill 1910 Selija e Shenjtë e caktoi Arqipeshkev Metropolit në Shkodër. Kur hyri në Shkodër, në qytet gjendej Shevqet Turgut Pasha, i cili, mbasi kishte shtypur Kryengritjen në Kosovë, vinte të mblidhte armët e popullit. Me 24 Mars 1911, të parat pushka që u boshatisën te qela e Trabojinit ishin shenja e Kryengritjes e cila do të vijonte deri në Gusht të atij vit.


Jak Serreqi ndikoi shumë në rrethanat e rrethimit nga Malazezët. Me korrierët e tij u mundësua mobilizimi i Malësorëve Katolik, që të ndihmonin Hasan Rizën gjatë rrethimit. Jo rrallë, shpëtonte njerëzit të cilët Forcat Malazeze kishin caktuar për ekzekutim, aq sa qarkullonte fjala se "kush ka shpëtue gjallë në Rrethimin e Shkodres, prej lakut, duhet t'ia dijnë Zotit në qiell e Imzot Jakut në tokë". Në 1914, Jak Serreqi mbajti një fjalim, me të cilin i dha kushtrimin Shkodrës e mbarë krahinës që t'i shkonte në ndihmë Princ Vidit gjatë Kryengritjes në Shqipërinë e Mesme. Më vonë, në 1921, i kërkoi Vatikanit që t'i hiqte postin, ngaqë ishte lodhur nga ndërmarrja madhore në ato vite kur nuk e kishte parë një herë Shkodrën të papushtuar nga ushtritë e huaja, por edhe pse shëndeti po e linte.


Vdiq më 11 Prill 1922, nga ora 15:00. I varrosur tek Zoja e Shkodres, simbas kërkesave të tija[1], eshtrat u zhvarrosën në kohë të regjimit komunist, dhe u hodhën në Drin.

  1. "Hylli i Dritës", III/ prill 1922, Nr.4, ff. 192-200