Shoqëria Bashkimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Shoqëria Bashkimi

Shoqëria Bashkimi (në respekt të kohës kur është themeluar Shoqnia Bashkimi) u themelua më në janar të 1899, në Shkodër. Ku dhjetë vjet mbasi ishte kthyer nga mërgimi, Abati i Mirditës, Imzot Prenk Doçi, themeloi shoqërinë me qëllime kulturore-letrare.

Duke qenë se shoqëritë kombëtare nuk ishin të lejuara, u hap nën petkun e një shoqërie fetare[1]. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908, edhe sot e kësaj dite, fjalori më i mirë i dialektit gegë. Rreth tij u mblodh ajka e klerit katolik shqiptar, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Dom Ndoc Nikaj, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Atë Pashk Bardhi, Dom Mark Shllaku, Dom Dodë Koleci, Atë Ambroz Marlaskaj, e më vonë, Luigj Gurakuqi. Përshkruhet rendi i ditës në një mbledhje të Shoqërisë si vijon:

1. Botimi i nji fjalori
2. Detyrimi i anëtarëvet me i dërgue korrespondenca shtypit shqiptar jashtë vendit
3. Botimi i nji të përkohshmeje javore ose mujore
4. Qandrimi i "Bashkimit" ndaj përpjekjeve për unjisimin e alfabetit

"Akademia e krijueme pak kohë ma parë në Shkoder,- i shkruante L. Gurakuqi, De Radës,na ka dhanë nji alfabet kombëtar... do të hartojnë edhe nji gramatikë e nji fjalor".

Shoqëria i vihet punës me seriozitet, e mbrenda shtatë vjetëve, përveç krijimit t'alfabetit, të njohur me emrin "Bashkimi", i cili pat qenë pranuar nga shumica e shkrimtarëve, botoi 32 vepra, ndër të cilat disa me rëndësi të madhe, e që edhe sot nuk e kanë humbë vleftën. Alfabeti i "Bashkimit" u shtrua për shqyrtim në maj të v. 1902 në konferencën e Ipeshkvijve, mbajtun në Shkodër, thirrur nga Abati, krahas alfabetit "Frashëri". "Bashkimi" fiton me 66% të votave, por s'u pëlqye. Pas shqyrtimit në Manastir, alfabeti i "Bashkimit" u bë alfabeti i vetëm kombëtar i gjuhës shqipe. Me telegramin, që Fishta prej Manastirit më 22.XI.1908 dërguar Abatit në Shkodër, shkruhet "Çashtja e alfabetit u zgjidh. U pranuen me pak ndryshime alfabetet e "Frashërit" e "Bashkimi". Çdo tjetër përjashtue"[1]. Në Manastir përfaqsohet nga Atë Fishta dhe Luigj Gurakuqi[2]. Filip Shiroka përshëndet me shumë entuziazëm themelimin e kësaj shoqërie duke e quajtur "pishtar dije të dërguueme me lulzue kombin". Konica shkruan:

"Ja një shoqëri u themelua në Shqipëri të Sipërme. Ka tre vjet që "Bashkimi" mundohet burrënisht për gjuhën shqipe dhe mundimet e saj dhanë pemë të bukura"[1].

Ndër tjera, librin e Dom Ndoc Nikajt "Historija Shqipnís q'me fillesë e deri në kohë kúr rá në dorë të Turkut" (Bruksel, 1902. Ky është ai libri shqip, për të cilin na flet Fishta n' "Anzat e Parnasit", ku ankohet se nuk shitej : "Sot n'Shqipni, morè lum miku, - Histori âsht meteliku". Mos të harrohet në këtë mes, se Dom Ndoc Nikaj është auktori i më se 30 librave shqip, të gjithë me frymë kombëtare, ndër të cilët nëntë romane me mbrendí shqiptare. Shoqëria "Bashkimi" ka botuar edhe dy blêjt e parë të "Lahutës" - Marash Uci dhe Oso Kuka - ; prapë kjo Shoqëri ka shpallë librin "Vargnimi i gjuhës shqipe", shkruar nga Luigj Gurakuqi e botuar në Napoli në vitin 1906. Gurakuqi i a kushton këtë libër, në peng nderimi, At Fishtës : ..."Edhè Shqiptarët ashtu, q'at herë qi ushtima - E Lahutës s'ate nisi me tingllue, - Shuen kângën të gjith e, sjellun kah Zadrima, - Zûnë me ndigjue". Fishta e Gurakuqi ishin shokë të pandamë, bashkëpunëtorë të ngushtë në kulturë e në politikë.[3]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c Pal Doçi: Shoqnia gjuhësore e letrare "Bashkimi", "Shkodra në shekuj" fq. 67-73 Shkodër 1998.
  2. ^ Ditari i Pater Palit 6.XI.1908
  3. ^ Nga Çun Paluca