Shko te përmbajtja

Sotir Peci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sotir Peci
Ministër i Arsimit
Në detyrë
30 janar  14 nëntor, 1920
Paraprirë ngaLuigj Gurakuqi
Pasuar ngaKristo Floqi
Në detyrë
11 korrik  16 tetor, 1921
Paraprirë ngaK. Floqi
Pasuar ngaHilë Mosi
Regjent
Në detyrë
25 dhjetor, 1921  31 janar, 1925
Paraprirë ngaMihal Turtulli
Pasuar ngashpallja e Republikës Presidenciale
Të dhëna vetjake
U lind më5 maj, 1873
Dardhë, Perandoria Osmane
Vdiq më9 prill, 1932
Follorinë, Greqi
NënshtetësiaShqiptar
Bashkëshortja/etAntigonea
FëmijëtJanko, Gaqo (Korçë, 1920), Koço dhe Luiza
Punësimimësues, botues, nëpunës

Sotir Peci (Dardhë, 5 maj 1873 - Follorinë, 8 prill 1932) ishte botues, publicist, nëpunës dhe ministër shqiptar. Hartoi dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe, e cila qarkulloi në vitet 1901-1912. Sipas një artikulli shkruar nga i biri, Gaqo Peci, më 1974, kishte nisur hartimin e një fjalori me mbi 24 mijë fjalë.[1]

U lind në Dardhë i biri i Jovanit dhe Merenxës, i ati ishte tregtar i kamur i qerestesë Jovanit, e ëma ishte fëmija i vetëm i Jovan Themeliut, dardhar të zhvendosur në Mesolongji. Gjyshi i tij nga e ëma, Jovani dhe i vëllai Athanasi, qenë pjesëmarrës aktivë në kryengritjen e Limbozit kundër Perandorisë Osmane më 1854. Për kontributin e tyre mbreti Otho u fali një çiflig në Gavrolimni. Themeliu ia la trashëgim të vetmit trashëgimtar, Sotirit, i cili pa mbushur vitin ngeli jetim nga e ëma dhe pas dy vitesh i vdiq i ati, kësodore duke u rritur nga i ungji, Kostë Peci. Shkollimin fillor e mori në fshat, ndërsa atë qytetësin në Korçë.[2]

Sotiri i fejuar me Elektrën, të bijën e avokatit Kristo Mile, shkoi 17 vjeç për t'u shkolluar në Athinë. Duke qenë se përftimi i trashëgimisë në Gavrolimni dukej gjithnjë e më i pagjasë, fejesa u prish.[2]

Dërgohet në Athinë 17 vjeç për studime të larta në Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore, përpiqet me shqiptarët dhe barbaçët e atjeshëm në përhapjen e gjuhës shqipe në kuadrin e shoqërive greke.[3] Pasi u diplomua në Athinë, shtatorin e 1905 Pecin ia mban drejt Shteteve të Bashkuara, ku vendosi të qëndronte te kolonia e Bostonit.[4]

Bashkëfshatarët e tij themeluan të parën shoqëri me bazë fshati, të cilën e quajtën "Vëllazëria mirëbrëse dardhare", në mesin e së cilës Peci nisi t'u fliste për nevojën për një gazetë dhe shtypshkronjë. Dhe dora-dorës më 6 qershor 1906 u botua numri i parë i të përjavshmes "Kombi"[4] në shtypshkronjën që blenë shoqata dardhare në Boston.[5] Fillimisht Peci i kryente të gjitha detyrat, nga drejtori, redaktori, korrektori, tipogafi dhe palosësi. Por më pas u angazhuan tre vetë, Peci, Noli dhe Eftimi Naci.[4] Më 6 janar 1907[6] qe iniciator për formimin e shoqërisë “Besa-Besë” me F. Nolin e K. Tromarën, dhe në St. Louis «Lidhja Orthodokse» që dhanë shumë për ndezjen e shqiptarizmit ndër shqiptarët e Amerikës[7]. Përcolli mikun e tij Noli kur u shugurua prift më 8 mars 1908[8].

Me shpalljen e Hyrrijetit në atdhe, kolonitë shqiptare të Amerikes u mblodhën më 13 shtator 1908, në "Phoenix Hall” të Bostonit, ku vendosën që Sotiri të dërgohej si përfaqësues i tyre në Kongresin e Manastirit. U nis më 30 shtator dhe në fillim të tetorit qe në Bukuresht kur edhe kolonia e atjeshme i jep tagër Sotirit t'i përfaqësojë. Më 1908 është në Athinë, ku grekërit i propozuan t’ia jepnin çifligun me vlerë 30.000 napolona flori, me kusht që të hiqte dorë nga lufta kombëtare, por Sotiri e refuzoi me përbuzje propozimin e tyre.

Sotir Peci kthehet në Korçë, me vendimin për t'u bërë mësues në shkollën qytetëse. Mori pjesë në hapjen e shkollës normaleElbasanit ku u caktua mësues për shkencat e natyrës e matematikë.[5] Në vitet 1911-1912 u bë drejtori i Mësonjëtores të Korçës, pas Shpalljes së Pavarësisë do i vyente shumë Gurakuqit si këshilltar kur ky i fundit ishte min. i Arsimit në qeverinë Qemali. Më 1915 do të zgjidhet anëtar i Komitetit të Fshehtë në Shkodër, burgoset në Mal të Zi nga trupat malaziase deri kur lirohet prej ushtrive austro-hungare që liruan qytetin veriak. Më 1916 nga Administrata Shqiptare e formuar nën ushtritë austro-hungare u caktua si anëtar i KLSH dhe drejtor arsimi në Shkodër. Deri në këtë kohë kishte botuar edhe disa tekste mësimore si "Abetarja" e Ndue Palucës, "Gramatika" e Xhuvanit.

Me formimin e qeverisë Përmeti emërohet në shkurt të 1919 drejtor të arsimit në Tiranë dhe pas dy muajve u emërua këshilltar i përkohshëm i Ministrisë së Arsimit. Më vonë me bindjen se duhej mbajtur një kongres thjesht kombëtar u bë nënkryetar i Kongresit të Lushnjes, prej ku doli qeveria Delvina ku ai qe Ministër Arsimi[9].

Pas zgjedhjeve të mbajtura më 5 prill 1921 u zgjodhdeputet i pref. së Korçës[10] dhe ndër themeluesit e Partisë Popullore[9]. Nga fundi i 1921 zuri vendin e dr. Mihal Turtullit që kishte liruar vendin e përfaqësisë së ortodoksëve shqiptarë në Këshillin e Naltë të Regjencës - post për të cilin pat për mëkëmbës Nolin mbasi Peci ishte jashtë shteti pas 2 korrikut 1924[11]. Gjatë mërgimit qëndron i palëkundur prej parimeve dhe formon partinë "Bashkimi Kombëtar".

Pas pesë vjetëve mërgim në Itali u fal nga amnistia e dytë e Zogut dhe pranoi pashaportën e re shqiptare.[5] Megjithatë nuk u kthye në Shqipëri dhe i shkoi vitet e fundit të jetës së tij në Athinë, por para se të ndërronte jetë më 9 prill të vitit 1932 u zhvendos në Follorinë, trupi u suall në Korçë ku u varros të nesërmen sipas amanetit të tij nga familja - e shoqja, Antigonia nga Zografët, dhe të bijtë, Janko, Gaqo dhe Koçua. E bija, Luiza, u martua me Lekë Gjinin

  1. Osmani, Tomor (22 nëntor 2012). "I përgjigjet dhespotit grek: Sotir Peci botoi një gramatikë shqip". Standard. Arkivuar nga origjinali më 29 janar 2025. Marrë më 1 gusht 2023.
  2. 1 2 Peci, Gaqo S. (2002). Ideali dhe forca: jeta dhe veprimtaria e Sotir Pecit. Tiranë: sh.b. Vatra. fq. 15–17. ISBN 9992781106.
  3. Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 111. ISBN 978-9994356225.
  4. 1 2 3 Peci 2002, fq. 25-27
  5. 1 2 3 Asllani, Uran (7 qershor 2009). "Në qindvjetorin e atdhetarit Sotir Peci". Standard (1267): 18–19.
  6. Alibali A., Faik Konica më 1911-1912 Vitet e Harvardit dhe të “Vatrës”, Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 5142, 19 dhjetor, 2010, f. II - V.
  7. Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, 2000
  8. Noli F., Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958., Albanian Orthodox Church in America, 1960.
  9. 1 2 Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 111. ISBN 978-99943-56-22-5
  10. Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 15-17.
  11. Sipas sitit archontology.org, krerët e Shtetit Shqiptar 1918-1925.