Komisia Letrare Shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Komisia Letrare ShqipeShkodër është një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhes shqipe, ndër këtë elitë merrnin pjesë edhe albanologë të huaj.

Formimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në të përkohshmen “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe”, 1918, f.2 shënohet se Komisija filloi veprimtarinë e vet të 1-ën e shtatorit 1916. Në fillim misët (anëtarët) e Komisisë u mblodhën disa herë e biseduan gjatë e gjatë mbi statutin, mbi rregulloren e mbi mënyrën , mbas së cilës do të niseshin me zhvilluem programin e punës që statuti i vinte për barrë Komisisë”. Por puna përgatitore kishte filluar edhe më parë , mbasi nuk kërkohej vetëm dëshira e mirë e secilit prej pjesëtarëve të saj, por edhe miratimi i komandës ushtarake austriake. Atë koncension që bënë autoritetet ushtarake austriake për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, patriotët shqiptarë e shfrytëzuan me zgjuarsi dhe shumë shpejt, pa kaluar vetëm pak muaj pas pushtimit hodhën idenë për themelimin e Komisisë Letrare Shqipe. Por vendimi për miratimin e Komisisë ishte marrë më 30. qershor 1916[1]. Ka edhe një version tjetër për fillimin e Komisisë, të cilin a e jep Pal Duka-Gjini në monografinë “Gjergj Fishta jeta dhe vepra” (Tiranë, 1992, f.100) ku shkruan: ”Dishiri dhe përkrahja e Austrisë për të mëkambë gjuhën shqipe i dhanë zemër veteranëve të kombit për punë përherë e ma të vlershme në këtë drejtim. Kjo përkrahje trimënoi L.Gurakuqin të themelonte, më 3 gusht 1916, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjeneral Trollman dhe i ndikuem nga Dr.R.Nachtigal, studiues ky i gjuhës sonë, si dhe nga dr. Gjergj Pekmezi Komisinë Letrare

Këtë periudhë do ta konsideronim punë përgatitore, mbasi si procesverbali, si broshura “Laimet...” shënojnë si datë themelimi 1 shtatorin e vitit 1916, kur u bë mbledhja e parë, ndonëse statuti në versionin e parë mund të jetë miratuar më parë. Ekziston edhe mendimi që Komisia të jetë krijuar nga fundi i gushtit të vitit 1916.[2] Ishin dy faktorë që do të lejonin të fillonte puna e KLSH, e para, duhej të ftoheshin dhe të merrnin pjesë intelektualë më në zë që kishin dhënë ndihmesa për kulturën shqiptare, por edhe që mund të vinin për të marrë pjesë në kushtet e luftës, e dyta, miratimi dhe legalizimi i saj nga komanda ushtarake austro-hungareze në Shqipëri. Disa nga anëtarët e KLSH kryenin edhe detyra të tjera.

Pjesëmarrja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pjesëmarrës të KLSH ishin kryesisht intelektualë me potencë , të njohur gjithandej në vendin tonë dhe jashtë, personalitete të kulturës kombëtare “ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit evropian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara”[3]. Me një përfaqësi të tillë do të arrihej në “bashkimin e një elite intelektuale të fuqishme” që pa tjetër do t’i jepte udhë disa prej problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës, letërsisë, arsimit dhe kulturës kombëtare.

Në studime të ndryshme të së kaluarës, por edhe sot studiues të ndryshëm, duke i rimarrë emrat nga njëri-tjetri, japin edhe intelektualë të tjerë që nuk kanë qenë anëtar të KLSH. Për të sqaruar këtë problem, po paraqesim listën e anëtarëve dhe pjesëmarrësve në KLSH të shoqëruara me disa të dhëna jetëshkrimore deri në vitin 1916, vit kur u mblodh KLSH. Në mbledhjen e parë themeluese morën pjesë gjashtë vetë: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, dhe At Ambroz Marlaskaj. Pjesëmarrës dhe të ftuar të tjerë të KLSH që morën pjesë në mbledhjet e mëvonshme qenë dr.Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Anton Paluca[4], Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Emzot Vinçens Prenushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima dhe Luigj Naraçi.

Në procesverbalin e KLSH që fillon më 1 shtator 1916 dhe përfundon më 22 maj 1918 e që ruhet në Arkivin e Shtetit, janë protokolluar 63 mbledhje[5]. Mbështetur këtu po i rreshtojmë pjesëmarrësit sipas numrit të mbledhjeve që kanë marrë pjesë: 1.Luigj Gurakuqi 54 mbledhje 2.Luigj Naraçi 50 3.Mati Logoreci 46 4 Sotir Peci 39 5. Ndue (Anton) Paluca 38 6.Gjergj Pekmezi 34 7.Hilë Mosi 30 8.Dom Ndre Mjeda 28 9. Atë Gjergj Fishta 27 10.Josif Haxhimima 24 11.Maksimilian Lamberc 12 12.Atë Ambroz Marlaskaj 10 13.Sali Nivica 7 14.Hafiz Ali Korça 5 15. Imzot Vincenc Prendushi 4 16.Aleksandër Xhuvani 3 17.Rajko Nachtigal 2.

Struktura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Struktura e këtij institucioni ka qenë e tillë: një kryetar, i emëruar nga Komanda ushtarake austro-hungareze, një sekretar (Në “Laimet...” thuhet: ”Sekretari i komisisë do të jetë nji ndër sekretarët Drejtorisë së arsimit, tue qenë se Komisia gjithmonë do të ketë marrëdhënie me Drejtorinë e arsimit.) disa miss, disa miss me korrespondencë dhe të ftuar. Disa janë paguar, disa jo, disa kanë kryer edhe detyra të tjera. Anëtarë do të ishin 7, por ky numër mund të rritej në 12. Sipas statutit të përkohshëm të KLSH të miratuar nga korpskomanda austriake më dt.4 shtator 1916 thuhej se missët do të mblidhen çdo ditë 1-3 orë. Por në mbledhjen e 16 shtatorit 1916 u morën edhe këto vendime për t’u pasqyruar në rregulloren ose statutin e Komisisë. Anëtarët e Komisisë do të mblidhen tri herë në javë nga dy orë. Çdo mbledhje do të protokollohet, do të caktohet tematika për të cilën do të diskutohet, vendimet do të merren me shumicë votash dhe për zgjidhjen e ndonjë problemi me rëndësi mund të aktivizohet ndonjë dijetar i huaj që njihet si autoritet në filologjinë shqiptare. Por edhe statuti u përpunua që t’i përgjigjej më mirë realitetit të kohës. Kështu në mbledhjen e dt. 7.12 .1917 u miratua rregullorja me ndryshimet përkatëse. U përcaktuan edhe njëherë objekti i punës së KLSH, detyrat që do të ketë komiteti veprues, kryetari, sekretari, bibliotekari etj. Por jo gjithçka mbeti e pandryshuar, ashtu siç ishte në statut.

Kryetar i KLSH u caktua nga Komanda ushtarake austriake dr.Gjergj Pekmezi, i cili e kreu këtë detyrë nga data 24 shtator 1916 deri më 17 shtator 1917. Për largimin e Gj.Pekmezit nga KLSH ka dy njoftime të kundërta, të dy të botuara ne gazetën “Posta e Shqipnies”. Në nr. 89, të dt.13 tetor 1917 thuhej: “Marrim vesh se i ndritshmi z.Dr.Gjergj Pekmezi, të cilin kryekomanda e ushtrisë e ka pasë emnue kryetar në Komisinë Letrare, ka hjekë dorë prej kësaj zyreje. Kryekomanda i lutet që ta mbajë prap atë zyrë, por tue pasë prej punësh të tjera nuk kishte si me iu shtrue kësaj barre , e pranoi dorëheqjen e tij.” Katër ditë më vonë, më 17 .10.1917 pas këtij njoftimi gazeta “Posta e Shqypniës” jep një njoftim tjetër, që e kundërshton të parin, bërë nga vetë Gj.Pekmezi, ku thuhej: “Dorëheqjen time e dhashë se s’kam qenë aspak i marrun vesh me vendimet e dhanuna përmbi ortografinë e gjuhës shqipe prej Komisisë Letrare , tue u ndodhë për pushime në Vjenë...”. Pastaj detyra e kryetarit iu ngarkua L.Gurakuqit. Por Gurakuqi, disa muaj më parë e pikërisht që nga 15 prilli i vitit 1917 me urdhër të komandës ushtarake kishte kryer detyrën e zv.kryetarit të Komisisë. Kur u emërua Gurakuqi kryetar, zëvendës i tij u bë Mati Logoreci. Në fillim të punës së Komisisë sekretar u zgjodh A.Marlaskaj , por u zëvendësua shpejt nga Luigj Naraçi.

KLSH kërkoi të shtrijë veprimtarinë e vet gjithandej nëpër Shqipëri. Për këtë qëllim ajo caktoi edhe anëtarë korrespondentë, si Sh. Gjeçovin. Këta veprimtarë do të ndihmonin Komisinë me materiale të mbledhura nga goja e popullit etj. Kështu në shkresën që i dërgon Shtjefën Gjeçovit, kryetari i komisisë Gj.Pekmezi, më 8. nëntor 1916 jo vetëm e njoftonte se ishte emëruar anëtar korrespondent i KLSH, por i kërkonte të dërgonte “përralla dhe këngë popullore t’atyne viseve”, por këta duhet të mblidhen mirë dhe të përshkruhen “krejt ashtu siç tregohen dhe këndohen si nga ana e dialektit , ashtu edhe rreshtimi i fjalëve (të jetë, T.O.) i pandryshuem fare.” Në përgjigjen që i jep Shtjefën Gjeçovi nga Thethi , mbasi e falenderon për emërimin si anëtar korrespondent , i shkruan: “Unë si gjithëherë edhe prej tashit do të përpiqem me cenë (=zell, T.O.), për t’mbledhun t’visarit t’literaturës sonë prej gojet t’kombit...” por ai shpreh shqetësimin nëse ka për të gjetur subjektet që interesojnë. Në AQSH ruhet edhe letërkëmbimi me atdhetarë të tjërë, si Sali Çekaj, Salih Gjuka, të cilët në letërkëmbimin me KLSH shfaqin mendimet e tyre për çështje të ndryshme të gjuhës.[6]

Me të vërtetë shumica e pjesëmarrësve ishin nga Shkodra, por prania e intelektualëve nga qytete të tjera të Shqipërisë, si S.Peci, A.Xhuvani, H.Ali Korça e J.Haxhimima ishte një element i përparuar i Komisisë, që vëmendjen nuk e përqendroi vetëm tek intelektualët shkodranë, por i dha një hapësirë më të madhe dhe një shtrirje më të gjerë, duke e konceptuar veprimtarinë e saj si një çështje mbarëkombëtare dhe vendimet që mori, qenë mjaft të përparuara për kohën.

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Die Verwaltung Albaniens an der Hand der ergangenem Befehle, Wien, 1918, f. 248.
  2. ^ I. Kanini, Arsimi në Shqipëri, në vitet e Luftës së Parë Botërore, Tiranë, 2001, f.133.
  3. ^ Sh. Osmani, Reflekse etnopedagogjike, I, Tiranë, 1998, f. 342-343.
  4. ^ Për caktimin e Nd.Palucës në KLSH . shih: H.H.St.PA.A. Vj. 261 167, nr.1079, Shkodër,tetor 1916. Në letrën që i dërgon konsulli Kral Vjenës, shkruan: “Do të dëshiroj shumë futjen e mësuesit Paluca në shërbim të administratës shqiptare, meqenëse ai e di mirë gjermanishten. Ai do të emërohet sekretar dhe anëtar i Komisisë Letrare të Shqipërisë me një rrogë mujore...” Ndërsa në njoftimin që merr konsulli Kral me shkresë dt.24.nëntor 1916 thuhet: “ Mësuesi i dikurshëm shqiptar...Anton Paluca , i cili qëndron këtu që prej shpërthimit të Luftës së Parë Botërore , u emërua sekretar i Komisionit Letrar Shqiptar dhe përkthyes i Korpsarmatës XIX në Shkodër.”
  5. ^ T.Osmani, Çështje të gjuhës letrare shqipe gjatë viteve 1916–1918, “Buletin shkencor”, Shkodër Nr.1, 1987, f49-50; Shih edhe : Po ai, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, “Rilindja”, Tiranë, 16. janar 1997.
  6. ^ R. Mata, Komisia Letrare Shqipe për lëvrimin e gjuhës shqipe, “Mësuesi”, 28. gusht 1916.