Mati Logoreci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fotoporteti
Mati Logoreci
Emri Mati
Mbiemri Logoreci
Lindur më 10 shkurt 1867
Lindur në Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më 7 shkurt 1941
Vdiq në Tiranë, Mbretëria Shqiptare (1939–43)
Kombësia Shqiptar
Profesioni Arsimtar, Botues
Mirënjohje
Mësues i Popullit

Mati Logoreci (Shkodër, 10 shkurt 1867 - Tiranë, 7 shkurt 1941) ka qenë arsimtar, publicist dhe intelektual shqiptar.

Mbiemri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbiemri Logoreseos përmendet që më 1304.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Shkodër, i biri i Frano dhe Shaqe Logorecit. Mësimet e para i mori në Shkodër. Në moshën 10 vjeç, më 1877, prindërit e dërguan Matinë të ndiqte shkollën tregtare teknike, që ishte hapur në atë qytet. Logoreci mësoi për të shkruar e për të lexuar gjuhën shqipe si dhe italishten, frëngjishten e më vonë edhe gjermanishten. Shkollën ai e vazhdoi për katër vjet në Kolegjin Saverian në Shkodër, duke fituar njohuri për ekonominë e për tregtinë.[1]

Punoi çirak në shoqërinë tregtare Parruca, e cila e dërgoi si llogaritar në Monfalkone afër Triestes.[2] Ra në kontakt me shkrimet e me veprat e Jeronim de Radës, Dora d’Istrias, Serembes, Stratigoit, Santorit; dhe të përkohshmet që botoheshin në Sofje, në Bukuresht, në Stamboll dhe me botimet e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Zef Jubanit.

Pasi punoi në Itali, shkoi për studime për pak kohë në Francë. Pas kthimit në Shqipëri, Ipeshkvi Andrea Logoreci, xhaxhai i Matisë, duke parë mungesën e mësuesve të gjuhës në atë zonë, dërgoi dy nipat e tij, Matinë e Pashkon në Prizren për t’i bërë mësues të gjuhës shqipe. Matinë e emëruan në Prizren, më 1 maj 1889, e Pashkon në Gjakovë.[1]

Në Prizren krijoi edhe familjen, duke u martuar më 24 shtator 1894 me një vajzë qyteti, Paulina (lindur më 03.01.1878) e bija e Tomës dhe Ndreshës. Ata lindën katër fëmijë: Kolën, Gjonin, Martën dhe Shaqen. Atje dha mësim për njëfarë kohe, sepse më pas dha dorëheqje, për shkak se ra në konflikt me konsullatën austro-hungareze, që drejtonte arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane nën kujdesin e Kultusprotektoratit. Më 1899 Logoreci ngriti një shkollë tjetër private shqiptare e cila, sikundër del nga dokumentet, ka gëzuar mbështetje të gjerë. Të dyja shkollat u shkrinë më 1900. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër.

Nuk mund të bëhet fjalë për zhvillimin historik të arsimit e të shkollës në Veri e Kosovë, pa u ndalur në mënyrë të veçantë te Mati Logoreci, një nga zbatuesit më të parë të synimeve arsimore të Rilindjes sonë Kombëtare për një shkollë kombëtare, laike, si Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887. Mbi këtë model, Matia themeloi shkollën shqipe të Prizrenit, hartoi tekste mësimore për shkollën fillore e më vonë edhe për të mesmet, manuale në ndihmë të mësuesve, ku shkriu natyrshëm edhe rezultatet e studimeve të tij në fushat e gjuhës shqipe. Logoreci, pas emërimit të tij si mësues në Prizren, shkoi për pushime në Vjenë. Atje u takua me "mjeshtrin e diturisë gjuhësore shqiptare" Gustav majer, në atë kohë kur ky albanolog punonte me ngulm për gjuhën shqipe. Veprat e studimet e majerit, që u botuan në këtë periudhë, shërbyen për popullarizimin e shqipes në publik dhe në qarqet shkencore evropiane, u bënë një burim i mirë për të gjithë ata që donin të studionin gjuhën shqipe. Veprat e tij "Studime shqiptare" I-II-III-IV-V-VI, "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe me pjesë leximi dhe fjalorth", "Mbi gjuhën e letërsinë shqiptare" si dhe studimet e tjera për historinë e popullit tonë, u studiuan me kujdes nga Logoreci, i cili filloi të botojë tekste për fëmijë, duke i shoqëruar me fjalorth të bashkëngjitur.

Më 14 nëntor 1907 nisi të botojë gazetën e përdyjavshme "Dashamiri", që e shtypte në Trieste me alfabetin e quajtur "Agimi". Gazeta nuk zgjati shumë. Ajo doli vetëm në katërmbëdhjetë numra deri sa u mbyll më 6 gusht 1908. Në nëntor 1908 Logoreci përfaqësoi shoqërinë "Agimi" të Shkodrës në Kongresin e Manastirit, së bashku me poetin Ndre Mjeda,- ndikoi shumë sidomos studimet e tij gjuhësore të cilin e kishte jo vetëm kushëri të parë (djalë halle), por edhe shok e bashkëpunëtor - me At Fishtën, Hilë Mosin dhe Luigj Gurakuqin. Po më 1908, me Lazër Mjedën, të vëllanë e poetit, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Nën kujdesin e këtij klubi ai botoi një tekst shkolle prej 201 faqesh për historinë e lashtë me titull "Ndolliina historijet t'motshme", Shkodër 1911, e cila mbulonte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë.

Ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përveçse me Mjedën, ai kishte lidhje e miqësi edhe me prof. dr. Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, etj. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me personalitete të shquara politike, shkencore e shoqërore, ndikuan në formimin e botëkuptimit e tij.

Pas pavarësisë Logoreci shërbeu si mësues në Tiranë, kurse nga 1916 deri 1918 si funksionar për arsimin në Shkodër. Më 1916 ishte edhe anëtar i "Komisisë Letrare Shqype" të ngritur në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet austro-hungareze. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Shkodrës. Nga 1922 deri 1923 qe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension më 1930.

Në vitet e fundit të jetës Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, "Drita", numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936 dhe zgjati të paktën deri më 1939. "Drita" kishte një tirazh prej 4000 kopjesh, pra qe gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Mati Logoreci vetë i redaktoi nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.

Përveç tekstit "Ndolliina historijet t'motshme", Logoreci ishte autor i një numri tekstesh të tjera shkollore dhe veprash për historinë, më e mira ndër të cilat është një libër 301 faqesh "Historija e përgjithshëme", Shkodër 1924, ku bie në sy një prirje e lehtë letrare e gjuhësore. Është shquar si purist i gjuhës së dialektit të tij të Shqipërisë së Veriut. Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë në moshën shtatëdhjetekatër vjeç, si figurë e shquar e arsimit shqiptar.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Kraja, Musa (1987). Mati Logoreci. Tiranë: 8 Nëntori. fq. 5–6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Elsie, Robert (1997). "Historia e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Tiranë-Pejë: Dukagjini. Marrë më 12 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)