Vaso pashë Shkodrani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Pashko Vasa)
Vaso Pasha
Mytesarif i Malit të Libanit
Në detyrë
10 korrik 1883 – 26 qershor 1892
Paraprirë ngaRrystem Pasha
Pasuar ngaNaum Pasha
Të dhëna vetjake
U lind më30 qershor 1825
Shkodër, Perandoria Osmane tani Shqipëri
Vdiq më26 qershor 1892
Beirut, Perandoria Osmane tani Liban
Nënshtetësiashqiptar
Bashkëshortja/et1. ? v. 1872

2. Katerina Bonati v. 1884[1]

3. Berta
Fëmijët1. Roza v. 1887;[1] Maria, një djalë dhe Silva, vd. të mitur

2.

3. Selimi, Saidi
Punësiminëpunës, përkthyes, mytesarif

Vaso pashë Shkodrani (turqisht: İşkodralı Vaso Paşa; tur. osmane: واصه پاشا '''Vasa Paşa'''; Shkodër, 17 shtator 1825 - Bejrut, 29 qershor 1892) i njohur në letërsinë shqipe thjesht si Pashko Vasa, qe nëpunës i konsullatës britanike në Shkodrën osmane, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për shërbimet që i kishte bërë perandorisë, u dekorua me medaljet "Osmanije" dhe "Mexhidije", arit dhe argjendit.[2]

Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.[3]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër, i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes, e motra do të ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati ishin me prejardhje mirditorë dhe të vendosur në qytet, në atë shtëpi ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në italishte, frëngjishte, turqishte dhe greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në anglishte e serbishte dhe më vonë mësoi edhe arabishten.[4][5]

Viti italian[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri, ku mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon nga Bolonja në qershor dhe korrik 1848, Nikolo Tomazeut. Në shpalljen e Republikës jetëshkurtër Venedikase nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah kryengritësve kur u rrethuan nga ushtria austriake në Mestre. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849, Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona ku u kap dhe si shtetas osman, u ekstradua në Stamboll.

Zyrtar osman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1850 u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas u emërua me rrogë nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë. Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale (sipas AQSH qe sekretar i Bib Dodë Pashës gjatë viteve 1951-1957[6]), ku me ofiqin e zyrtarit osman shkoi në Cetinë t'i uronte princ Nikollës shërim të shpejtë. Gjatë luftës me Malin e Zi më 1860-61 kreu detyrën e sekretarit dhe përkthyesit të Ahmet Xhevdet Pashës, kur ky u dërgua me misioni të veçantë në viset shqiptare. Më pas punoi për verifikimin e gjendjes së marrëveshjes kufitare dhe në komisionin përkatës.[7] I tërhequr pas inteligjencës së terxhumanit të tij, Xhevdet Pasha e mori me vete në postet drejtuese ku u emërua.[2]

Ndoqi Ahmet Xhevdet Pashën në Bosnie, ku Vasa u bë përkthyes pranë divizionit ushtarak për njëzet muaj. Në tetor të 1863 pasi qe graduar nëpunës i gradës së tretë u kthye në Stamboll ku punoi stazhier për zyrën e korrespondencës me vendet e huaja. Më 1865 për herë të dytë u emërua përkthyes në Sanxhakun e Shkodrës. Më 1866 u dërgua në Halep me postin e zv/drejtorit për çështjet politike, ku do të emërohej drejtor më 1868. Në korrik të atij viti iu akordua grada e dytë e klasit special dhe u caktua me punë si kryesekretar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në shtator të 1869 merr gradën e parë të klasit të dytë dhe emërohet anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile te Ministria e Drejtësisë. Më 1875 emërohet anëtar i Zyrës së Krimeve te Gjykata e Apelit dhe po atë vit u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë dhe më tej atë vit anëtar i Komisionit për Mbledhjen e Taksave në Bullgari.[7]

Më 1876 u caktua nëpunës për borxhet tek zyra e zv/valiut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të 1877 këshilltar i Vilajetit të Kosovës. Më 1878 u emërua komisar i Rodopeve, brenda vitit emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit dhe drejtor i zyrës së shtypit dhe botimeve. Në shtator të 1879 u emërua këshilltar i Vilajetit të Edernesë,[7] ku punonte edhe Ismail Qemali.[5]

Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua mytesarrif i Malit të Libanit me qendër në Beirut, post që e mbajti derisa ndërroi jetë më 26 qershor 1892,[7] pak para se t'i mbaronte mandati 10 vjeçar në atë post administrativ. Ritet funebër u kryen në kishën St-Louise des Capucins, në Bejrut dhe u varros në të ashtuquajturat "varrezat e pashallarëve" në kodrinën e Hazmiehut, në periferi e kryeqytetit të sotëm libanez.[8]

Çështja kombëtare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhja e Prizrenit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy.[9] Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:

«[...] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. [...]»

Pas Aksionit të Gjakovës, në tetor shkoi të takonte kontin Zichy, ambasadori i Austro-Hungarisë në Stamboll, të cilit i shpjegoi historinë e shqiptarëve dhe i kërkoi ndihmë. Konti i kërkoi ta përpilonte në frëngjisht, dhe më 22 tetor Vaso Pasha ia paraqiti në trajtë promemorieje ambasadorit,[10] me titullin La vérité sur l'Albanie et les Albanais.

Krijimi i alfabetit shqip[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L'alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin La mia prigionia, episodio storico dell'assedio di Venezia, 1850 (Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut). Titull i ngjashëm me atë të kujtimeve të famshme të dramaturgut italian Silvio Pellico, Le mie prigioni (Burgjet e mija), botuar më 1832. Më 1873 botoi një përmbledhje me vjersha në italisht Rose e spine. Për përvojën e tij në Bosnie la veprën Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi (shq. Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut) më 1865. Ndërsa më 1872 Esquisse historique sur le Monténégro d'après les traditions de l'Albanie (shq. Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë).[5]

Tituj të veprave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • La mia prigionia, episodio storico dell'assedio di Venezia, Kostantinopojë, 1850.
  • La Bosnie et l'Herzégovine pendant la mission de Djevdet Efendi. Kostantinopojë, 1865.
  • Esquisse historique sur le Monténégro d'après les traditions de l'Albanie. Kostantinopojë, 1872.
  • Rose e spine. Konstantinopojë, 1873.[5] - përkthyer me titullin "Trëndafila dhe gjëmba".
  • La vérité sur l'Albanie et les Albanais. Etude historique et critique. Paris, 1879.
  • Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui désirent appendre cette langue sans l'aide d'un maître. Ludgate Hill, 1887.
  • Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise. Paris, 1890.[5]

Shiko dhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Bala, Vehbi (1989). "Portret-monografi". Pashko Vasa, Vepra. Vëll. 4. Prishtinë: Rilindja.
  2. ^ a b Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 471. ISBN 978-99927-623-4-9.
  3. ^ Buxheli, Dalan (2011). "Ne, diplomatët që riatdhesuam eshtrat e Pashko Vasës: flet ish-ambasadori i Egjiptit". panorama.com.al. Intervistuar nga Afrim Imaj. Panorama. - Nr. 3306. fq. 18–19.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ Kopeček, Michal (2006). Discourses of collective identity in Central and Southeast Europe (1770-1945) (në anglisht). Budapest: Central European University Press. fq. 119. ISBN 963-7326-60-X.
  5. ^ a b c d e Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tiranë & Pejë: Dukagjini.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Ulqini, Kahreman (1991). Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror. Tiranë: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë. fq. 77. OCLC 39215998.
  7. ^ a b c d Egro, Dritan (2013). "Pashko Vasa: jetëshkrim nga burimet osmane". Studime historike. - Nr. 1 - 2, , 2013, f. 273 - 277.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Mobarak, Melhem (11 maj 2020). "Vaso Pasha pati shkruar se "feja e shqiptarit është shqiptaria", sikur ta dinte se një ditë eshtrat e tij do të preheshin në një varr pa kryq në Shqipëri". exlibris.al. Marrë më 17 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ Bahadır Bayraktar, Uğur (2011). "Mythifying the Albanians: A Historiographical Discussion on Vasa Efendi's "Albania and the Albanians"". Balkanologie (në anglisht). XIII (1–2).
  10. ^ Belegu, Xhafer (1939). Lidhja e Prizrenit dhe problemet e sajë. Tiranë: Kristo Luarasi. fq. 28–29, 59–60..