Branko Merxhani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Branko Merxhani
Fotoporteti
Emri Branko
Mbiemri Merxhani
Lindur më 1894
Lindur në Nish, Mbretëria e Serbisë
Vdiq më 25 dhjetor 1981
Vdiq në Stamboll, Turqi
Kombësia shqiptare
Shtetësia osmane, shqiptare, turke
Profesioni botues, publicist, përkthyes

Aleksandër Merxhani i njohur me emrin Branko Merxhani (Nish, 1894 - Stamboll, 25 dhjetor 1981) ka qenë botues i të përkohshmes Përpjekja shqiptare,[1] përkthyes, ndër publicistët më të njohur të para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe gazetar në Turqi. Në publicistikën e tij shquhet për lëvrimin e rrymës prestigjioze social-kulturore të quajtur Neoshqiptarizma.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me prejardhje nga Sopiku i Pogonit,[2] i ati ishte gjykatës në Nish dhe ishte martuar me një vendase, dhe Brankoja lindi atje.[2] Guvernanten e kishte gjermane;[3] pasi administrata osmane e zhvendosi të atin në Stamboll, Merxhani ndoqi liceun gjerman të Bursës. Pasi kreu për filozofi në Turqi, vijoi studimet e mëtejshme në Austri. Pas triumfit të Ataturkut, punoi si publicist në shtypin e Ankarasë; për çështjen e një prone në fshatin e origjinës u kthye në atdhe.[2]

U vendos në Gjirokastër, ku bashkëpunoi me të përkohshmen Demokratia të Jorgji Meksit,[2] ku dhe me Koçën nisën me shkrimet e para rreth Neoshqiptarizmës. Shkoi në Tiranë, ku korrikun e 1930 çeli të përmuajshmen që mbante emrin e rrymës ideore për të cilën shkruante, por zgjati vetëm një numër.[4] Nisi të kontribuonte me artikuj në të përkohshmen Illyria të redaktuar nga Karl Gurakuqi; bashkëpunimi i tyre zgjati nga marsi i 1934 deri më 1936.[1] Dhjetorin e 1935 bashkëpunoi me Kohën e re, me Suat Asllanin, Petro Markon, Koçën dhe Tajar Zavalanin; pas rreth 13 numrash, gazeta u mbyll.[5] Tetorin e 1936 nisi të botonte të përkohshmen e vet Përpjekja shqiptare.[1] Duke ia kundërvënë si antipod ndaj Hyllit të Dritës.[6]

Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, dy numrat e fundit të Përpjekjes ia konfiskuan dhe e këshilluan që nëse do të donte të vazhdonte punën, atëherë t'i ndërronte titullin gazetës dhe ta quante Përpjekja Fashiste. Gushtin e 1939 Merxhani së bashku me Qemal Butkën dhe Dalip Zavalanin kaluan kufirin grek dhe u vendosën në Turqi.[2]

Më 1940 është pjesë e Komitetit të Fshehtë të Stambollit bashkë me Mehmet Konicën.[7] Më 1941, një organizatë amerikane e vendosur në Egjipt, kërkonte folës për Zërin e Amerikës në një stacion radioje; u zgjodhën Merxhani, Mirash Ivanaj dhe Xhemal Farka u pajtuan për punën dhe u vendosën në Jeruzalem deri me përfundimin e luftës. Vijoi veprimtarinë si publicist e gazetar në Turqi, ku shkroi në gazetat Tan, Hurriet, Yeni Gazete dhe Gunaydin.[2]

Veprimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Radhiti pikëpamjet e veta në faqet e Illyria-së, Minerva-s. Pasi themeloi më 1936 Përpjekjen shqiptare, të cilën mëtonte ta bënte një universitet popullor ku mund të shtroheshin probleme filozofike. Në të gjeheshin përkthime e artikuj në hulli të filozofisë, sociologjisë, historisë, gjuhësisë, arkeologjisë dhe pedagogjisë. Në një tentativë për kritikën letrare të mirëfilltë dhe mundim për t'i parashtruar lexuesit shqiptar risitë më bashkohore.

Neoshqiptarizma[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në dhjetor të 1928, Merxhani shkroi radhët e para mbi Neo-shqiptarizmën tek e përkohshmja Demokratia.[8] Së bashku me Vangjel Koçën u përpoqën të krijonin një sistem të mendimit shqiptar synimi i të cilit ishtre çrrënjosja e sistemit shoqëror lindor dhe vendosja e sistemit perëndimor në Shqipëri. Merxhani mori për model të filozofisë së tij, pozitivismin e filozofëve francezë Ogyst Kont dhe Emil Durkheim, krahas tyre u mbështet dhe në idetë e Dekartit, të Renanit, të Bergsonit dhe të Niçes, me përzierjen e të cilëve formoi "neoshqiptarizmën."[9] Sistem mendimi i cili, u huazua në një masë të madhe nga ai i shkrimtarit e sociologut turk Zija Gëkalp (Ziya Gökalp, 1876-1924) i njohur si "Turqizimi".[10]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press.  9780810873803.
  2. ^ a b c d e f Leka, Pertefe (27 shkurt 2013). "Korifeu i publicistikës shqiptare, Branko Merxhani". Metropol. XXIII (44): 16.
  3. ^ Merxhani, Branko (1996). Plasari, Aurel (red.). Formula të neo-shqiptarismës. Tiranë: Apollonia. f. 5.
  4. ^ Kulla, Ndriçim (2003). Antologji e mendimit shqiptar: 1870-1945. Tiranë: Plejad. f. 29.  9789992792407.
  5. ^ Marko, Petro (2000). Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët. Tiranë: OMSCA. ff. 145, 147.  9992740337.
  6. ^ Marko 2000, p. 166.
  7. ^ Dervishi, Kastriot (16 dhjetor 2015). "Margaret Hezllak dhe shërbimi i saj ndaj çështjes shqiptare". 55. 6315: 16–17.
  8. ^ Nikaj, Irena (2013). Albanian Social and Philosophical Thinking of the '30s: Neo-Albanianism (në anglisht). Author House. f. 16.  9781477281826.
  9. ^ Akademia 2007, p. 375
  10. ^ Sulstarova, Enis (10 qershor 2016). "Neoshqiptarizma, një model i huazuar". Telegrafi.

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Akademia e Shkencave e Shqipërsië (2007). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i tretë. Tiranë: Toena.