Risto Siliqi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Risto Siliqi
U lind më16 gusht 1882
Shkodër, Vilajeti i Shkodrës
Vdiq më1 maj 1936
Shkodër, Mbretëria Shqiptare
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrarePoet, publicist

Risto Siliqi (Shkodër, 10 gusht 1882 - 1 maj 1936) ka qenë poet, publicist, avokat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare.[1]

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Leu në Shkodër, në gjirin e një familjeje të thjeshtë, i ati Llazari ishte furrtar. Ndoqi mësimet fillore në shkollën e gjuhës serbe në qytet dhe pas saj Ryzhdijen (shkollën e mesme osmane) e qytetit, ku spikati me qëndrimet e tij antiosmane. Për pak pa u arrestuar, familja e tij e shpuri në Cetinjë, ku edhe tre vëllezërit e tjerë të tij ishin vendosur. Siliqi nuk rreshti së përhapur qëndrimet e tij nacionaliste edhe përgjatë 10 viteve në syrgjyn. Bashkë me vëllezërit hapi një hotel të vogël me emrin "Albania", ku u bë një vendtubim për çështjet patriotike.[2] Ai udhëtoi edhe në Rumani e Bullgari për të takuar mërgimtarët shqiptarë atje[3].

Siliqi mori pjesë aktivisht në Kryengritjen e Malësisë së Madhe më 1911 dhe ishte së bashku me Hilë Mosin e Luigj Gurakuqin anëtar i Komitetit Shqiptar. Mori pjesë në kuvendin e bërë në Greçë ku u vendos për memorandumin e quajtur "Libri i Kuq". Lufta e Parë Ballkanike e gjeti në Cetinjë, ku pasi u informua nga shërbimet sekrete austriake se do të arrestohej bashkë me emigrantët e tjerë, shkoi në Kotorr. Bashkë me të tjerët, u kthye në Shkodër më 1913 me një anije austriake. Gjykata malazeze ndërkohë e dënoi me vdekje në mungesë si "armik i shtetit malazez"[3].

Gjendja politike në Shkodër ishte gjithashtu e trazuar, në mesin e shumë fushëndikimeve të lidhura me koniukturat e huaja Siliqi arrin të themelojë klubin patriotik "Lidhja Shqiptare" dhe qe redaktor i organit të shtypit Shqypnija e Re me drejtor Hilë Mosin e visartar Karl Sumën[3][4]. Siliqi hoqi dorë nga "Lidhja Shqiptare" prej mosdakordësisë së tij për faktin se iu bë thirrje Malit të Zi për ndihmë ushtarake në shtypjen e elementëve esadistë e pro-osmanë në Shkodër. Ai iu bashkua njësive vullnetare që shkuan në Durrës në ndihmë të Princ Vidit kundër Kryengritjes Myslimane në Shqipërinë e Mesme. Pushtimi malazez i Shkodrës më 1914 e gjeti Siliqin; u arrestua me t'u parë, së bashku me të tjerë si Gurakuqi, iu bë gjyqi me shpejtësi dhe u dënuan me vdekje. Ofensiva austro-hungareze kundër Malit të Zi dhe kapitullimi i këtij të fundit, i shpëtuan jetën.[3]

Nga pikëpamja profesionale, Siliqi kishte nisur punën si avokat, fushë të cilës iu përqendrua nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Pas bashkimit të Shkodrës me qeverinë e dalur nga Kongresi i Lushnjes, më 1921 Siliqi shkoi me punë në Vlorë si gjykatës dhe më 1923 u emërua Sekretar i Parë i Ministrisë së Drejtësisë. Pas 1924 nuk u përfshi më në politikë dhe punoi si avokat deri kur ndërroi jetë më 1 maj 1936[3].

Në emër të djelmisë shkodrane, profesor Ernest Koliqi me një oratori të veçantë theksoi vlerat e vërteta në Shqipëri e mërgim të Risto Siliqit, pjesëmarrjen e tij në kryengritjet kombëtare të veriut, duke e krahasuar me vjershëtorin shkodran Vaso Pashën, dhe me Naim Frashërin. Ai e cilësoi Riston si një poet me ndjenjë të hollë e gazetar me kurajo dhe në fund theksoi zotësinë dhe ndershmërinë e tij si avokat. Shumë njerëz të famshëm janë interesuar e kanë shkruar më pas për Riston Siliqin. Mes tyre edhe poeti Lasgush Poradeci shkroi disa artikuj në shtypin e kohës për Riston si poet e atdhetar, si dhe një baladë të titulluar “Mbi ta”. Familja e tij ka mbledhur gjithë poezitë dhe publicistikën në një libër të ri të botuar në 1998, me titull “Rreze Agimi”.

Veprimtaria letrare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” ruhet sot në Muzeun Kombëtar, dhe përbën një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen kryengritja e Kosovës e 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në 1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj. Ristoja i ka përshkruar këto luftëra me aq vërtetësi, pasi ishte vetë pjesëmarrës me armë në dorë duke luftuar kundër armiqve të shumtë të asaj kohe. Tematika e vjershave të tij është atdhetare dhe shoqërore. Ai lëvron edhe vjershën satirike. Krijimtaria e tij poetike shquhet për idetë demokratike, për simpatinë ndaj luftëtarëve të thjeshtë malësorë, për dufin luftarak, thjeshtësinë, ndikimin e frytshëm nga poezia popullore. Vlerën artistike poesisë së tij ia zbehin notat retorike, që vihen re herë pas here dhe gjuha e papërpunuar. Megjithatë ka vjersha shprehëse si "Tradhtarëve të kombit" dhe "Mehmet Shpendi" ku portreti i trimit që i dha emrin vjershës, jepet me forcë epike dhe ngjyra legjendare.

Kur' nuk gjendet zbathë e zdeshun
Por gjithmon' gatue për pritë.
N'zheg e n'shi e n'borë e breshën
shtati i tij gjithmonë vaditë.

Shpesh Siliqi i ndërthur motivin atdhetar me atë shoqëror. Poemthi "Luftëtari ynë" është i afërt për nga tematika me vjershën "Shpërblimi" të Asdrenit dhe "I mbetuni" të Mjedës. Heroi i tij është një fshatar i varfër që, për lirinë e atdheut, rrëmben pushkën dhe jep jetën në luftë. Poeti proteston kundër klasave të pasura që i lanë fëmijët e këtyre luftëtarëve pa mbrojtje:

Dyert të huaja të kërkojnë
Për një kojë bukë të thatë!

Protesta ndaj padrejtësive shoqërore ndihet edhe në krijime të tjera të fundit të R.Siliqit sidomos në vjershën e gjatë "Burim poetik". Vepra më e njohur e R. Siliqit dhe më e realizuara është poemthi lirik "Mrika në shkangull". Këtu gjejmë shfaqe spontane të realizmit, edhe pse vepra në tërësinë e saj është romantike. Mrika, një vajzë e re, e çiltër, plot ëndrra, gabon në dashuri dhe i jep fund jetës. Poeti e mbron forcën e dashurisë, dëshirën për lumturi dhe proteston kundër shoqërisë patriarkale e hipokrite, që me zakonet e saj të egra bëhet e pamëshirshme ndaj të pafajshmëve. Vepra, përveç mendimit tepër të avancuar për kohën ka edhe vlera artistike. Poeti ka arritur këtu një thjeshtësi dhe natyrshmëri, një ngrohtësi ndjenje që u mungon krijimeve të tjera. Poema spikat për vëzhgimet e holla psikologjike që ndriçojnë botën shpirtërore të heroinës. Tablotë e natyrës, plot ëmbëlsi e hijeshi, me ngjyra romantike, janë në funksion të ndjenjave të protagonistes. Poema është e llojit shoqëror-psikologjik.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bibliografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Fullani, Dhimitër (1956). Instituti i Shkencave i R.P.Sh. - Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë (red.). Risto Siliqi, Vepra të zgjedhura [Risto Siliqi, selected works]. Tirana: Ndermarrja Shtetërore e Botimeve. OCLC 28785865. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Franz-Lothar Altmann, Robert Elsie (1990), "Albanien im Umbruch", Untersuchungen zur Gegenwartskunde Südosteuropas, Munich: Oldenburg (28–29): 251, ISSN 0566-2761, OCLC 1607360, ...writer and nationalist figure Risto Siliqi (1882-1936)... {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Gazmend Shpuza (1999), Në prag të pavarësisë [On Independence Eve], New York: Eagle Press, fq. 100, ISBN 9781891654046, OCLC 43972972 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d e Fullani 1956, pp. 3-10.
  4. ^ "SHQYPNIA E RE", Studime Historike, University of Tirana - Institute of History, 8: 205, 1971, ISSN 0563-5799 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)