Esad pashë Toptani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Esad pashë Toptani
Essad Pasha Toptani.jpg
Kryeministër
5 tetor 1914 – 27 janar 1916
Paraardhësi: Turhan pashë Përmeti
Pasardhësi: Administrata Austro-Hungareze
Ministër i Punëve të Brendshme
korrik – shtator 1913
Paraardhësi: Myfid bej Libohova
Pasardhësi: Hasan bej Prishtina
Ministër i punëve të Brendshme dhe i Luftës
14 mars – 20 maj 1914
Paraardhësi: Hasan b. Prishtina
Pasardhësi: Aqif pashë Elbasani
Të dhënat personale
Lindi më: 13 qershor 1863
Lindi në: Tiranë, Perandoria Osmane
Vdiq më: 13 qershor 1920
Vdiq në: Paris, Francë
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Ushtarak
Bashkëshortja 1...? 2. Shadija
Fëmijë Vetëm me shtrat të parë: Mahmude hanëm (1887 - 1935), Pertefe hanëm.


Esat pashë Toptani (Tiranë, 1863? - Paris, 13 qershor 1920) ishte ushtarak i Ushtrisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, drejtues i Rrethimit të Shkodrës dhe kryeministër shqiptar.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Esati, i biri i Ali bej Toptanit dhe Vasfije hanëm Alizotit, lindi më 1863. Nga lisi i gjakut pinjoll i familjes feudale më të rëndësishme të Tiranës dhe nip i bejlerëve të Gjirokastrës, kishte një vëlla, Gani beun.

Me mbështetjen e Halil beu nga Kranja[1] në vitin e 1893 u emërua komandant i xhandarmërisë në vilajetin e Janinës me gradë pashe ushtarak, livá (gjeneral brigade) njëherë e mandej ferik (gjen. major)[2]. Me gjasë për të ftohur gjakrat pas kurthit që i pat ngrehur valiu i Shkodrës Gani beut, që e pat mbajtur deri kur mbërriti lajmi telegrafik te Sulltani dhe urdhri i tij për t'u liruar[3].

Në prill të 1897 trupat e gjeneral Hivzi Pashës që luftonin kundër ushtrisë greke humbën pranë vendit të quajtur Gryka e Pesë Puseve (Pente Pigadia). Shqiptarët që luftonin në formacionet osmane patën pakënaqësi dhe mosbesim ndaj komandës. Si komandant i xhandarmërisë, Esati ndihmoi me njerëzit e tij të armatosur që të rivendosej rregulli dhe disiplina.

Pas njëfarë situate të pakëndshme me valiun e Janinës, Osman pashën, emërohet komandant xhandarmërie në Shkodër, për ku niset më 15 shtator 1902[4]. Kur ishte në detyrë, me t'u shpallur Hyrrijeti, shpalli kandidaturën për deputet i Durrësit[1]. Ishte kundër Komitetit për Bashkim e Përparim në një intervistë të bërë më 1908[5].

Abdikimi i Sulltanit[redakto | redakto tekstin burimor]

Pasditen e 27 prillit 1909 bën pjesë në katërshen e deputetëve të Mexhlisit osman që shkuan për t'i dhënë lajmin Sulltan Abdyl Hamidit II se ka rënë nga froni sipas vendimeve të Asamblesë Kushtetuese[4]. Pas kësaj zuri një vend nderi nën kujdesin e Ittihadçinjve dhe e gjeti veten në mbrojtjen e vilajetit të Shkodrës.

Në legjislaturën e dytë u zgjodh përsëri deputet në Kuvend, por me forcë. Qeveria tek po përgatitej për luftë, e dërgoi në Shkodër si komandant të "Organizatës në ndihmë të Ushtarëve"[1]. Në krye të 15 batalioneve me redifë dhe vullnetarë të ardhur prej kushtrimit ushtarak dhe zonave me ndikim tradicional të oxhakut të Toptanëve, u gjend në radhën e mbrojtësve në Rrethimin e Shkodrës[4].

Mbrojtja e Shkodrës[redakto | redakto tekstin burimor]

Çështja e komandës së operacioneve nuk qe fort e qartë sipas ushtarakut shtatmadhor osmano-turk me origjinë shqiptare, Fevzi Çakmak: Hasan Pasha ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel pas një reforme në grada (kishte qenë gjeneral), ndërsa Esati ishte pashë dhe gjeneral-brigade. Esadi kishte po ashtu në kontroll një numër më të madh efektivësh: 15 mijë redifë dhe vullnetarë. Për nga rangu ishte Esadi që duhej të komandonte, por për nga kompetencat ushtarake i takonte Hasan Rizait[4].

Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës mbrëmjen e 30 janarit e deri në prill arriti të mbrojë Shkodrën, duke bërë që ky qytet t'i mbetej Shqipërisë.

Lajmërimi në media mbi vdekjen e Esat Toptanit

Politika[redakto | redakto tekstin burimor]

Në fund të qershorit të 1913 u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit dhe ditët e para të korrikut mori kabinetin e lënë nga Libohova. Shkoi në Itali atë verë, ndërkohë në Vlorë zienin intrigat dhe në tarafin e tij ishin radhitur kushërinjtë e tij Toptanë, Mehdi bej Frashëri, Dervish Hima dhe iu bashkua Faik Konica me të cilin ishte takuar në Romë. Në tetor të po atij viti ngriti në këmbë qeverinë e vet, të quajtur "Pleqësia e Shqipërisë së Mesme", të cilës Konica i vuri në shërbimin organin e shtypit "Trumbeta e Krujës"[4]. Kabllogramet austriake e paraqesin si të vetmen qeveri autoktone shqiptare, e cila ishte e vetmja në gjendje të qeveriste. Nëpërmjet organeve përkatëse Esad Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksa, filloi ndërtimin e rrugëve, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij[6].

Më 1914 kryesoi delegacionin shqiptar që i dorëzoi kurorën e fronit shqiptar Princ Vidit. Më 1914 u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës. Në Durrës iu organizua një komplot nga oficerët hollandezë, këshilltarët austro-hungarezë dhe disa bejlerë me mbështetjen e Vidit. Me ndërhyrjen e Italisë, u largua pa u burgosur.

Mungesa e qeverisjes pas revoltës së Shqipërisë së Mesme dhe nisjes së Luftës së Parë Botërore i dha një mundësi të fundit Esad pashës, i cili ishte jashtë Shqipërisë, që të kthehej. Shpalli shpërndarjen e organeve revolucionare dhe emëroi prefektët e rinj të vendit. Më 21 tetor 1914 ndërmorri reformën e parë agrare në vend, kur nxori urdhërin që t'u konfiskohej toka 50 personave nga oxhaqet bejlere dhe kundërshtarët e tij politikë nga Vlorajt, Toptanajt, Biçakçinjtë (përjashto Dervish beun), Vrionasit dhe Cakraniotët. Urdhër i cili për shkak të rrethanave të kohës, nuk gjeti zbatim.

I dha rëndësi gjendjes së pushtimit grek në jug të vendit, kërkoi rihartimin e regjistrave kadastralë të qyteteve ku u dogjën nga revolta e Shqipërisë së Mesme. Në dhjetor të 1915, pasi përzuri përfaqësuesit diplomatikë të Vienës dhe Sofies nga Durrësi, i shpalli luftë Austro-Hungarisë. E shtriu qeverisjen në një hapësirë më të madhe se qeveria e Vlorës, derisa hyri ushtria austro-hungareze në territorin shqiptar. I detyruar të largohej, e vendosi qeverinë e tij në Selanik në krahun e Antantës[7]. Atje rreshtohet përkrah francezëve në Frontin e Maqedonisë, ku me taborrin e tij prej 500 vetësh u lejua të zgjerohej aq sa në një pikë duke rekrutuar shqiptarë të trevave të mbetura në Greqi dhe nga zona e Korçës, trupat e tij numronin në 1 mijë e 300 njerëz. Qershorin e 1916 gazetat shpërndanë nga Stambolli lajmin se një gjykatë ushtarake e kishte dënuar me vdekje[4].

Gjatë viteve 1918-20 Esat Pasha përfaqësonte të vetmen qeveri legjitime shqiptare në Paris, Francë pranë Konferencën e Paqes që kishte mbajtur qëndrim gjatë luftës. Por për shkak të konkurrencës politike në Shqipëri, delegacioni shqiptar nuk e përkrahte[8].

Vrasja e Esat Pashës[redakto | redakto tekstin burimor]

Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikneshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga Avni Rustemi në kushtet e konkurrencës politike në Tiranë[8]. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit Continental në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver Smith & Wesson, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t'u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës[4].

Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe "me paramendimin e një populli të tërë"[4]. Sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati që çoi në vrasjen e Toptanit ishte i shtyrë nga kushëriri i tij Aqif Pasha, si rival politik i atyre kohëve - dhe paratë për ta financuar u nxorrën nga fondet e Këshillit të Naltë[9].

Varrosja[redakto | redakto tekstin burimor]

Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t'u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D'Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit[4].

Në vitin 1929, qyteti i Parisit vendosi të sjellë në një vendvarrim të vetëm në Thiais eshtrat e ushtarëve serbë dhe malazezë, aleatë të Francës, të vrarë në Luftën Botërore. Eshtrat e Esatit u shpunë në atë parcelë më 2 korrik 1934[4].

Sipas kërkimeve të gazetarit dhe autorit të një monografie për Esad pashën, Ilir Ikonomi, nuk dihet që të ketë lënë testament për t'u varrosur pranë ushtarëve, kundër të cilëve luftoi në Shkodër dhe dy vjet më vonë i ndihmoi të shpëtonin nga katastrofa e plotë. Por argumenti i varrit përdoret në valët e pasioneve për ta akuzuar si tradhtar[4].

Nderime[redakto | redakto tekstin burimor]

Esad pashë Toptani për shërbimin e tij në Frontin e Lindjes si aleat i Antantës, u dekorua me titullin Oficer i Legjionit të Nderit, dhe me Kryqin francez të Luftës.

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c Vlora S., Kujtime, përkthyer nga Ali Asllani, Tiranë: Iceberg, 2013, fq. 74. ISBN 978-9928-4140-4-5 Koment: nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për Halil bej Skjejën nga Kraja në viset veriore, apo është tamam Kranja, vendbanim në Çamëri.
  2. ^ Letërkëmbim (1947-1958), Shkodër: Camaj-Pipa 2006. fq. 140. ISBN 99943-34-47-6
  3. ^ Dushi M., Tirana dhe rrethinat e saj, AQSH F. 431, D. 6, fl. 31
  4. ^ a b c d e f g h i j k Ikonomi I., Esat pashë Toptani, Tiranë: UET press, 2016. ISBN 978-9928-190-91-8
  5. ^ Jaray G., Au jeune royaume d’Albanie, përktheu dhe pajisi me shënime Asti Papa, Tiranë: Dituria, 2007. ISBN 99927-59-99-2
  6. ^ M. Kasmi, Shqipëria në arkivat gjermane: Fondet arkivore, përdorimi dhe veçoritë e këtij dokumentacioni, Shkodër: Shêjzat, 2016. fq. 194. ISNN 2517-9624
  7. ^ Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 7-8, ISBN 978-9943-56-22-5
  8. ^ a b Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 239, ISBN 978-9943-56-22-5
  9. ^ Kastriot Dervishi (2010). Plumba politikës. "55". p. 46. ISBN 978-99943-56-43-0.