Faik bej Konica

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Faik Konica)
Faik Konica
Skeda:Faik-konica.jpg
Bej i Konicës
U lind më15 mars, 1875
Konicë, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane
Vdiq më15 dhjetor 1942
Uashington
Emri i letraveTrhank Spirobeg, Pyrrhus Bardyli, Jean de Croia, dhe 20 emra, pseudonime e iniciale.
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrareProzë, poezi, ese

Faik bej Konica (Konicë, 15 mars 1875 - Uashington, 15 dhjetor 1942) ka qenë figurë qëndrore e lëvizjes kombëtare, studiues i historisë dhe gjuhës shqipe, botues, publicist, drejtues i Vatrës dhe diplomat shqiptar. Ministri fuqiplotë i ShqipërisëShtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkohshmja e tij Albania ka qenë ndër tribunat e publicistikës shqiptare për trembëdhjetë vjet. Vetë Konica është i njohur për erudicionin, publicistikën, stilin dhe ndikimin që pati në kulturën dhe politikën shqiptare.[1]

Është po ashtu autor i dy romaneve të shkruar në gjuhën frënge me nofkën Jean de Croia (sq. Gjoni i Krujës), Le mariage de Leila suivi de Sotiri et Mitka (Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka) botuar më 1911 në Paris.[2]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë, i biri i Shahin beut dhe Zeliha hanëm Delvinës,[3] i treti ndër katër djemtë, Mehmeti, Rustemi? dhe Hilmiu?.[4] Muaji i lindjes figuron i dokumentuar në prill - ndryshim që mbase lidhet me ndryshimet në kalendaret e zbatuara në atë periudhë.[5]

Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesë privatë.[5] Më 1883 vizitoi të motrën, Xheva hanëm që në atë kohë banonte në Shkodër. Ndoqi shkollën saveriane në dy vite shkollore 1883-1885 ku ndoqi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit[4] dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të GallatasarajitStamboll gjatë viteve 1886-1887.[6] Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux në Normandi; më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne në jug të Francës ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine. Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) më 16 nëntor 1895,[5] ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim "beg Faik - Dominik Koniza".[7] Në vitet 1895-1896, Konica filloi studimet pasuniversitare tek Collège de France në Paris, ku u përqëndrua në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.[5]

Albania

Belgjikë, Angli, Amerikë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi të përkohshmen Albania, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze.[7] Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur Sophie Annette Hugon, me të cilën, në 1897, pati një djalë të quajtur Henrik.[8] Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studioi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e Diellit, botim javor i Shoqërisë "Besa-Besë". Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Vatrës më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. Vatra bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë. Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA.[5]

Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet kërkesa për punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romane, kryesisht frëngjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A.-së dëshironte të punonte, ai iu përgjigj: “Në 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”. Sipas studiuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy viteve në kuadrin e Vatrës. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut dhe jo në arkivën e universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse. Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitin e PekinitKinë.[5]

Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët morën vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.[5] Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishte quajtur "njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët" në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës Mesme. Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga.[9] Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austro-hungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t'u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë.

Rikthimi i fundit në Shtetet e Bashkuara[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të Vatrës për t'u bërë kryetar i saj.[10] Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur.[11] Më 1923 u takua në Boston me 20-vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t'i ofronte miqësinë e tij.[12] Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij.[13] Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan.[14]

Konica me bashkëpunëtorët e tij, në Boston, 1927.

Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.

Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, - thuhet në testamentin e Konicës.

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shqetësimi kryesor i Konicës lidhej me çështjet e alfabetit dhe shkrimin e shqipes, apo "gjuhën letrare" siç e quante ai.[15]

Tituj të veprave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pikëpyetje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

? - dy vëllezërit e tjerë gjetkë figurojnë me emrat Mustafa dhe Hysen, ndërsa të motrat Rukije dhe Sanije.[16]

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton University Press. fq. 125–126, 347. ISBN 9781400847761.
  2. ^ Zejno, Krenar (20 maj 2018). "Faik Konica, Gjoni i Krujës dhe dy romane të panjohura". gazetadita.al. Arkivuar nga origjinali më 25 prill 2020. Marrë më 13 gusht 2021.
  3. ^ Andrea, Fotaq (2016). "Hyrje: Lojnia - Kush qëndron prapa pseudonimit Gjoni i Krujës". Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka. Tiranë: Zenit. fq. 64–65. ISBN 9789928113504.
  4. ^ a b Kelmendi, Ramiz (19 janar 2014) [1995]. "Konica siç nuk e njohim, të dhënat të reja për prindërit, motrat e vëllezërit". Shqiptarja.com suplementi "Rilindasi".{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ a b c d e f g Alibali, Agron (19 dhjetor 2010). "Faik Konica më 1911-1912 Vitet e Harvardit dhe të "Vatrës"". albaniapress.com. Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 5142. fq. II–V. Arkivuar nga origjinali më 1 korrik 2018. Marrë më 2 qershor 2018.
  6. ^ Shema, Isak (shtator 2009). "Faik Konica - personalitet i shquar i letërsisë dhe i kulturës shqiptare" (PDF). diogenpro.com. Diogen. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ a b Ikonomi, Ilir (2011). Faik Konica: jeta në Uashington. Tiranë: Onufri. fq. 108. ISBN 978-99956-87-41-0.
  8. ^ Ikonomi 2011, p. 148.
  9. ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 206–8, 210–2, 214, 218, 223, 285, 334. ISBN 978-9928-190-91-8. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Ikonomi 2011, pp. 25-26.
  11. ^ Ikonomi 2011, p. 27.
  12. ^ Vrioni, Qerim (12 shkurt 2007). "Takimi i panjohur i Gjon Milit me Faik Konicën: dy shqiptarë të mëdhenj në panteonin e kulturës". floart-press.blogspot.com. Telegraf. - Nr. 337. fq. 16–17. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ Ikonomi 2011, pp. 31-34.
  14. ^ Ikonomi 2011, p. 12.
  15. ^ Puto, Artan (2009). "Faik Konitza, the Modernizer of the Albanian Language and Nation". We, the people (në anglisht). ISBN 9786155211669.
  16. ^ Konica A., Albania 101: shkruan çdo gjë : mbesa e Faik Konicës, riboton "Albania", intervistoi Violeta Murati, Standard. - Nr. 1587, 7 maj, 2010, f. 14 - 15.
Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :