Petro Marko

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Petro Marko
Ditëlindja: 25 nëntor 1913
Vendlindja: Dhërmi, Shqipëria e Pavarur
Ditëvdekja: 27 dhjetor 1991
Vendvdekja: Tiranë, Republika e Shqipërisë
Pseudonim(e): Vlonjati, Demo Koti, P. M.
Kombësia: Shqiptar
Zhanri: Prozë, poezi

Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 - Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar, anëtar i Grupit Komunist të Tiranës, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Bregut nga prindët Marko e Zoica, u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

Pasi kreu filloren në vendlindje më 1924, shkoi në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilen jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me "Manifestin" e Marksit.

Pasi kreu shkollën u soll në Tiranë, takoi Hilë Mosin, asokohe ministër Arsimi. U caktua mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në DhuvjanDropullit.

Më 1934 ishte pjesë e Grupit Komunist të Tiranës, duke marrë pjesë në takimet e të cilit pa ditur se kush ishte kryetari. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nepërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n'Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu "turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!...", replikë që i shkaktoi përjashtimin. Nepërmjet punëdhënësit të të të vëllait u krijua mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik.

Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut, në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete ("Koha e Re") si organ i qeverisë, iku prej aty pasi nuk iu pranua një artikull. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën ("Illyria", etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 1-rë nga regjimi zogist[1].

Pas gjyqit e dënojnë me 6 muaj internim në Porto Palermo, ku bën vetëm 2 javë. Pas pak javësh në Llogara[2], lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në "Përpjekja shqiptare" e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t'ia vinte për antipod "Hyllit të Dritës". Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i dëtyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro-proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi.

Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të mbërrirë në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një shok serb që mbante si nofkë "Robert". Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetësh që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.

Hyn në Itali nga fundi i '39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t'i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë në maj 1940. Pas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut të Italisë nga anglo-amerikanët, çan burgun me të burgosurit e tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44 kthehet në Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve të tjerë në kohën kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi.

Në fundin e 1944 gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur po bastisej nga trupat jugosllave. Ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, shkruan se Hysni Kapo e shpëtoi nga pushkatimi dhe u lirua më 15 maj 1950. Më 1957 mësues në teknikumin “8 nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim.

Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani "Çuka e shtegtarit" - 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s'ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. Pas rrezimit te diktatures themelon se bashku me Sabri Godon dhe Vangjush Gambeten Partine Republikane te Shqiperise. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni[3].

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Ministri i Arsimit Mosi kur u takuan vetëm një herë, i tha:

Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës.

Krijimi i parë i tij daton shumë herët, qysh në vitin 1930, data 9 dhjetor, pra kur ende ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, boton poezinë e tij të parë “ Flamurit” në gazetën “Shqipëria e re”, nr. 448, f. 4, të Kostancës (Rumani), me pseudonimin Vlonjati. Dhe pas këtij viti deri sa mbyll sytë, ai shkruan pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, që nga poezia e deri tek dramaturgjia. Numërohen mbi 50 organe shtypi ku ndihet pena e tij. Me qindra poezi, tregime, fragmente romanesh, shkrime publicistike, përkthime nga autorë të ndryshëm, veçanërisht ata hispanikë zënë vend në këto organe. Shquajnë shqipërimet nga Rafael Alberto dhe Federiko Garsia Lorka, si një shërbim plot dashuri e talent, krahas 7 autorëve të tjerë, kryesisht poetë[4].

Tituj të veprave[redakto | redakto tekstin burimor]

Mirënjohje[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lista e vullnetarëve shqiptarë në luftën qytetare të Spanjës

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Cornis-Pope M.; Neubauer J., History of the literary cultures of East-Central Europe: junctures and disjunctures in the 19th and 20th centuries. History of the Literary Cultures of East-central Europe. 2. John Benjamins Publishing Company. 2004. fq. 93. ISBN 90-272-3453-1
  2. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 119. ISBN 978-9828-106-38-4
  3. ^ Marko P, "Intervistë me vetveten", Tiranë: sh.b. "Omsca", 2000
  4. ^ Habazaj A., Petro Marko - Kalorësi rebel i lirisë, Tirana Observer, 20 prill 2015.
  5. ^ a b c d e Gjovalin shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
  6. ^ PETRO MARKO, "Ara në mal", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  7. ^ PETRO MARKO, "Shpella e piratëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  8. ^ PETRO MARKO, "Horizont", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  9. ^ PETRO MARKO, "Stina e armëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  10. ^ PETRO MARKO, "Halimi", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  11. ^ PETRO MARKO, "Tregime", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  12. ^ PETRO MARKO, "Gazetari, mbreti e uria", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

Lidhje te jashme[redakto | redakto tekstin burimor]