Ismet Toto

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Ismet Toto
U1 IsmetToto.jpg
Ditëlindja:1908
Vendlindja:Progronat, Perandoria Osmane
Ditëvdekja:1937
Vendvdekja:Gjirokastër, Mbretëria Shqiptare 1928–1939

Ismet Toto (Progonat, 1908 - Gjirokastër, 1937) qe nëpunës, publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Progonat të Kurveleshit, i biri i Rizait dhe Hilvijes,[1] familja e tyre kishin qenë tradicionalisht pasues të Asllan Pashallinjve.[2] Mbaheshin nga shtëpitë e forta të krahinës, një i pari i tyre, Belul Toto kishte marrë pjesë në levizjet e Tanzimatit.

Shkollën fillore e kreu në Delvinë. Shkollën e mesme teknike amerikaneTiranë, ndërsa studioi statistikën në Universitetin e Romës.[3] Por më shumë se sa nga studimet shkollore, ai do të formohej si intelektual, brenda një kohe shumë të shkurtër, falë punës vetjake, mençurisë dhe vullnetit, etjes së pashuar për dije dhe guximit për të çarë drejt shtigjeve të pashkelura. Edhe detyrat administrative që kreu, apo misionet që iu ngarkuan kur shkoi në Gjermani e Itali, i shërbyen për të njohur jetën e për të zgjeruar horizontin intelektual. Frutet e kësaj pune këmbëngulëse dhe e synimeve serioze të talentit dhe aftësive të tij do të duken në mozaikun e shkrimeve që boton në shtypin e kohës si Arbënia, "Illyria", Minerva, "Ora", etj[4].

Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, intersa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për për shtigje të pashkelura. Ismet Toto përfaqëson intelektualin që i kthen krahët orientit dhe idealeve të mumifikuara dhe që përvojën oksidentale e she si alternativën më të mirë për një filozofi dhe moral kombëtar, për një kulturë të vërtetë shqiptare. Eshtë njeriu që i kundërvihet koncepteve anadollake dhe bën kryefjalë të vet gjallërimit shpirtëror të popullit, lartësimin e qytetërimit tonë të lashtë . S'është e lehtë t'a përkufizosh, e për më tepër t'i vësh një emërues të përbashkët vlerave të Ismet Totos jo vetëm sepse u nda shpejt nga jeta por edhe sepse punoi dhe krijoi në fusha të ndryshme. U njoh si gazetar, letrar, biograf e përkthyes. Botoi prozë e poezi, shkroi artikuj problematik, përktheu veprea filozofike, polemizoi. Shumica mbetën të shpërndara në shtypin e kohës, ose në dorëshkrime. Librat që mbajnë emrin e tij janë biografia Gazi-Kemal Ataturk (1935), polemika Grindje me klerin (1934) dhe përkthimi Heronjtë e mendimit : Platoni (1936). Një përmbledhje u dërgua në shtyp më 1944 me titullin Bota e një djali kryengritës, por nuk u botua dhe humbi. Sdq një portret i tij del i qartë, ai qëndron mes krijuesit dhe mendimtarit, në veprat e tij harmonizohet tharmi filozofik me shprehjen artisitke dhe publicistike. Mënyra e tij e të shprehurit është e butë dhe humane por pas saj vihet re vendosmëria dhe karakteri i fortë. Kredoja e bindjeve të Ismet Totos pasqyrohet me një qartësi tronditëse në letrën e shkruar në prag të egzekutimit dhe botuar nën titullin De profundis: "Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen."

Aftësitë e gjera dalin në pah edhe në biografinë "Gazi-Kemal Ataturk". Ky libër jo vetëm u prit mirë nga lexuesi dhe kritika, por u përshëndet dhe u vlerësua edhe vet nga Mustafa Qemali. Traditës së varfër biografike iu shtua me të një vepër plot merita si nga nivelim dhe nga serioziteti shkencor por edhe nga karakteri tregimtar. Eshtë një vepër që i ka qëndruar kohës dhe mund të lexohet edhe sot me ëndje dhe fitim. Ismet Toto nuk mund të kuptohet pa angazhimin total në luftën për një lëvizje mendore shqiptare. I etur për dituri, gjithë vullnet e përkushtim, ai bëhet një intelektual i formuar, erudit dhe me kulturë të gjerë filozofike. Gjithë sa merr e përthith dhe e shpreh qartë e thjeshtë në përqasje me nevojat e vëndit. Duke qënë luftëtar i lirisë së mendimit, adhurues i shkencës, armik i obskurantizmit ai do të ishte për një ndergjegje të lartë kombëtare dhe për një shëndet shpirtëror të popullit shqiptar. Për ti ardhur në ndihmë kulturës shqiptare, që kishte aq mangesi aso kohe ai botoi "Platonin" dhe përpara tij po përgatiste "Volterin" dhe kolosë të tjerë të mendimit. Mirpo ky hop dhe këto aspirata u prenë sëbashku me jetën e tij në nëntor të '37, në oborrin e burgut të Gjirokastrës, përballë një trekëmbshi. Tirania u hakmorr egërsisht ndaj një intelektuali kryengritës, kur mendimi shqiptar kërkonte me guxim shtigje liridashës. Dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut.

Vepra të publikuara[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • "Grindje me Klerin" - polemikë (1934)[5]
  • "Gazi-Kemal Ataturk" - biografi (1935)
  • "Platoni" - përkthim (1936)
  • "Bota e një djali kryengritës" - derguar në shtyp në 1944

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Aktakuza: Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor". rd.al. Rilindja Demokratike. 10 tetor 2017. 
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. f. 527–528.  99927-780-6-7. 
  3. ^ Hasani H., Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, sh.b. Faik Konica, 2003.
  4. ^ Nga Nasho Jorgaqi
  5. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 14 janar 2009. Marrë më 3 nëntor 2010.  Një parametër i panjohur |url-status= është injoruar (ndihmë)

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]