Frederik Rreshpja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Frederik Rreshpja
Emri Frederik
Mbiemri Rreshpja
Lindur më 1940
Lindur në Shkodër
Vdiq më 17 shkurt 2006
Vdiq në Shkodër
Kombësia shqiptare
Profesioni shkrimtar

Frederik Rreshpja (Shkodër, 19 korrik 1940[1][2] - 17 shkurt 2006[3]) qe poet lirik, eseist, publicist dhe botues shqiptar. Penda e tij është ndër më përfaqësueset të vargut shqip.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në Shkoder në një familje me origjinë nga Dukagjini, i ati Marku i Sokol Vuksanajt ishte i vëllazërisë Afiej nga Plani ndërsa e ëma Drandafilja nga Xhani. Vatra familjare qe fëmijëshumë, me motrat Antoneta, Pashka, Anunciata dhe vëllezërit Kel e Gjovalin. Fëmijërinë e kaloi në lagjen Mëhalla e Çakajve. Prania me grat e së ëmës e nxiti të mësonte edhe qepjen, në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit "29 nëntori"[4], studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë[5]. Punoi në gjendjen civile ne Dajç të bregut të Bunës, më pas nëpunës si përgjegjës kulturor pranë Kombinatit të Drurit në Shkodër[6].

Poezia "Topi fushor" hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës pa botuar ende ndonjë përmbledhje[7]. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi "Rapsodi shqiptare“ - pas një viti u arrestua sërish[8]. Botimet dhe shkrimet ndër të përkohshmet e kohës u pritën mirë nga kritika por kjo gjë nuk zgjati për shumë kohë. Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhërin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv/ministri Mantho Bala për shkak të qëndrimit të autorit[9]. Arrestohet dhe dënohet “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…” me 4 vjet[10]. Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu ne Sarandë[5].

Në vitin 1991 Frederiku u bë kryeredaktori i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste të Shkodrës. Ai qe gjithashtu kandidat për deputet nga ana e PS-së në zgjedhjet e marsit 1992. Nga fillimviti i 1992shit shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku ai ishte themelues e pronar i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese "Europa" dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme[1] e më pas pësoi një hemoragji cerebrale më 2001[11]. Vdes më 17 shkurt të 2006 në Shkodër dhe varroset të nesërmen në varrezat e Rrëmajit.

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Mësohet se poezia e parë e shkruar prej tij i qe kushtuar s'ëmës, Files - siç e quante[12]. Nga Adriatik Kallulli i botohet përmbledhja poetike "Rapsodi shqiptare"[8] më 1967 dhe vitin tjetër "Tri përralla për fëmijë" dhe "Trimi i fshatit Bardhë", "Eranda" më 1969[4]. Romanin "Zëri i largët i kasolles" më 1972 dhe dramën "Ëndrra e tokës" dhe "Trofta hutaqe" më 1973, për t'iu rikthyer sërishmi poezisë me përmbledhjen "Në këtë qytet" po atë vit. Vargu i tij u kaplua me t'u parë nga antologjitë e kohës, për t'u lënë më pas në humbëtirën e persekutimit të autorit. Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “"Zëri i Rinisë"” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: “Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (...) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shum녔. Vetmi e trishtim poetik ky që do thuktohej në vëllimin poetik që do të vinte.

Me rënjen e regjimit me hapjen e shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese përfshihet me botimet dhe redaktimet, nxjerr "Erdhi ora të vdes përsëri" më 1994 dhe "Lirika" më 1996. Më 2004 nxjerr vëllimin "Në vetmi" me parathënie, ku në parathënien nga Shpëtim Kelmendi përmendet se çmonte De Radën, Mjedjën, Lasgushin edhe Ali Asllanin[13].

Përfshihet në vëllimin "Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001" nga Hasan Hasani, mbasandej në vëllimin "Historia e Letërsisë Shqiptare" e Robert Elsie-t të 2003. Përfaqësohet me disa poezi në "Anthologie de la poésie albanaise" të Aleksandër Zotos (Chambéry, 1998) dhe në "Antologjinë e poezisë shqipe - Gjysmëshekulli i artë" të Ali Aliut (Tetovë, 2000) si dhe e rrumbullakson punimin e G. Krasniqit "Poezi. Sprovë antologjike" (Tiranë, 2003)[11]. I vendosur ndër shkallaret e arketipit të poetit shqiptar sipas kritikës, kishte komunikim direkt me etnit e poezisë - gjë e cila e bënte t'i kalonte kornizat e kohës, burgut, etj[14].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Zeqo M., In memoriam për Frederik Rreshpën, Koha jonë. - Nr. 46, 18 shkurt, 2006, f. 14 - 15.
  2. ^ Kelmendi Sh., Bisedë me poetin e madh Frederik Rreshpja, Koha jonë. - Nr. 35, 24 dhjetor, 2005, f. 19.
  3. ^ Kelmendi Sh., Kur vdekja vjen në shkurt, Koha jonë. - Nr. 48, 20 shkurt, 2006, f. 18.
  4. ^ a b Hasani H., "Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001", Prishtinë, 2003, fq. 374.
  5. ^ a b Sipas bisedës së bërë me të vëllanë, Kel Rreshpja i dtl. 1938 më dt. 10 dhjetor 2014 në shtëpinë e tij pranë kryqëzimit të Degës në lagjen Serreq, Shkodër.
  6. ^ Traboini K., Nobel për së vdekuri, Pegasi. - p. 2, vjeshtë, 2006, p. 21-25.
  7. ^ Krasniqi G., Rënia e funksionales, Shqip, 1 maj 2013.
  8. ^ a b Jubica I., Arrestimi im më 1957, kritikova Enverin, Gazeta shqiptare. - p. 55, 20 shkurt, 2012, p. 14 - 15.
  9. ^ Leci E., Vrasja e poetëve Blloshmi, Leka e Nela, Shekulli, 07 shkurt 2008.
  10. ^ Bytyçi K., Frederik Rreshpja, ky bohem shqiptar, [pritet të pohohet nga autori vendi dhe data e botimit].
  11. ^ a b Lanksch H-J., S'dua të pikëllohet kush për fatin tim: poeti, tregimtari dhe eseisti Frederik Rreshpja, Kalendari letrar. - Nr. 6, 5 maj, 2004, f. 4. I; V.
  12. ^ Milani P., F. Rreshpja - Intervistë: Shkodra është kryeqyteti i Dukagjinit, Dukagjini, nr. , 24 nëntor, 2005, fq. 6.
  13. ^ Kelmendi Sh., Në muzgun e një poeti lirik, nga parathënia e librit "Në vetmi" të Rreshpjës, sh.b. "Arbëria", Tiranë 2004. fq. 5. ISBN 99927-985-8-0
  14. ^ Cani A., Frederik Rreshpja, zhdukja e arketipit: Universalizmi dhe bukuria e pashoqe e vargut, Koha jonë. - Nr. 51, 23 shkurt, 2006, f. 19.