Jump to content

Sulejman Naibi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sulejman Naibi i njohur edhe si Sulejman Ramazani (Berat, ? - 1763 ose 1771/1772) ka qenë poet shqiptar i rrymës së bejtexhinjve, bashkëkohës i Nezimit.

Në ëndërr të gremisurë
Një natë m'u shty një sevda,
Mahmudeja e stolisurë
Mjeri unë po heq xhefa,
Kjo sevdaja e insanit
gjallë njerinë ç'e përvëlon.
Mahmudeja e Sulejmanit
me gazep sokakut shkon.
Jelek kadife veshurë
si mosnjeri në këtë dhé,
Me buzë duke qeshurë
ç'të ka hije, moj Mahmudé!”
Varianti i Mahmudesë së stolisurë botuar nga Arshi Pipa.[1]

Buharaja në dorëshkrimin e tij Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e Beratit shkruan se Sulejman Naibi ka qenë beratas, nga lagjja Muratçelepias.[2] Njoftohet se vëllai i tij i madh quhej Ataullah Naim Mullanë, njohës i dijeve të Hurufijve, tek i cili mësoi Nezimi; e i tillë ishte edhe Sulejmani.[3] Mbi jetën e Sulejmanit dihet që ndjekte tarikatin bektashi,[4] u martua në Elbasan dhe që ka kaluar ca kohë në viset aziatike të perandorisë.[5]

Ndërroi jetë në Berat më 1763[2] ose 1771/1772,[4][5] u varros në varrezat e Xhamisë së Sahatit të mëhallës ku banonte.[2]

I cilësuar nga Elsie "poet i dalluar i traditës myslimane",[5] vjen fill pas Nezimit në radhojën kronologjike të poetëve të letërsisë shqipe me alfabet arab,[3] autor një Divani, dorëshkrimi i të cilit gjendej në Fier deri më 1944.[5] Dorëshkrim i cili, përpos pesë poezive, konsiderohej i humbur.[2]

Bejtet e tij mbijetuan edhe përmes këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme, të tilla si Mahmudeja e stolisurë ose Jelekun kadife veshur, duke e bërë kështu poetin e parë shqiptar që i kushton vargje bukurisë së grave,[5] vargje të cilat respektojnë strukturën metrike orientale.[6] Në ato pak vargje të mbijetuara, studjuesit kanë vërejtur se krahasimisht me Nezimin, leksiku i Sulejmanit është më i përkorë ndaj orientalizmave.[7]

Këngë të tjera të njohura në ahengun qytetar beratas që e kanë burimin nga vargjet e Sulejmanit janë Kështu e kështu më thanë dhe Aman, o im atë.[8]

  1. ^ Pipa 2013, p. 35
  2. ^ a b c d Buharaja, Vexhi (2015) [1979]. "Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e Beratit". Berat, Beratinus, Buhara. Tiranë: Naimi. fq. 260. ISBN 9789928109552.
  3. ^ a b Frashëri, Kristo (shtator 2012). Sulejman Naibi dhe vendi që ai zë në letërsinë shqipe të shekullit XVIII. Vëll. 62 / 2. Tiranë: Perla. fq. 5–13.
  4. ^ a b Norris, Harry Thirlwal (1993), Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht), Columbia, S.C: University of South Carolina Press, fq. 70, ISBN 9780872499775, OCLC 28067651
  5. ^ a b c d e Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B. Tauris në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptare. fq. 326. ISBN 9781780764313.
  6. ^ Pipa, Arshi (2013) [1978]. Trilogia Albanica I: Albanian folk verse: Structure and genre [Trilogjia Albanika I: Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitë]. Tiranë: Princi. fq. 36–37. ISBN 9789928409065.
  7. ^ Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Dukagjini. fq. 55. Marrë më 8 tetor 2019.
  8. ^ Tole, Vasil (2002). "Folklori Muzikor - monodia Shqiptare". Shtëpia Botuese e Librit Universitar. ISBN 9789992701768. Arkivuar nga origjinali më 19 shtator 2019. Marrë më 8 tetor 2019.