Hasan Zyko Kamberi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Hasan Zyko Kamberi lindi në StarjeKolonjës në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII. Për jetën e tij nuk dihet shumë, pos që ka kaluar një jetë të rëndë. Jeta e tij njihet e dihet më shumë nëpërmjet teksteve të tij që kanë edhe shenja autobiografike. Dihet se mori pjesë në luftën turko-austriake të vitit 1789. Ka shënime të ketë improvizuar në vargje një lloj testamenti para se të vdiste. Ka shkruar vjersha fetare filozofike, poema fetare e shkrime të tjera që kanë humbur. Mirëpo, vjershat e tij që njihen sot nuk janë vjersha fetare, bile janë vjersha krejt laike. Hasan Zyko Kamberi, jo vetëm në kuadër të Vjershëtarëve (Bejtexhinjëve), por përgjithësisht në letërsinë shqipe, është shkrimtari i parë i modelit të krijuesit kritik. Gjithë vepra e tij shquhet për praninë e madhe të qëndrimit autorial për çështjet që shkruan, për problemet personale dhe problemet shoqërore. Ky qëndrim bëhet elementi karakterizues i gjithë krijimtarisë së tij në vjersha. Për nga mënyra e artikulimit të këtij qëndrimi dhe për preokupimet e tyre vjershat e Hasan Zyko Kamberit mund të grupohen në poezi personale me të dhëna autobiografike si:

Bahti im,
Lufta mbretërore
Ty bota zili të kanë

Poezi me temë shoqërore si:

Gjerdeku i vashës
Gratë e va,

Poezi satirike si:

Paraja,
Trahani
Munafiku.

Hasan Zyko Kamberi është vjershëtor i mungesave në jetën njerëzore, si kur merret me tema sociale, ashtu edhe me çështje shpirtërore. Vjersha Gjerdeku i vashës, të cilën Faik Konica e quante një vepër të dalluar të letërsisë së vjetër shqipe, tregon shkallë-shkallë bashkimin e Djalit me Çupën, duke portretuar ambientin shoqëror dhe zjarminë e atyre që duhet të martohen. Në mënyrë alternative portretohen djali e çupa, puna dhe mundimi i tyre për bashkim, që nuk është vetëm social por edhe psiqik, për të projektuar më në fund një embrion të lumturisë së jetës njerëzore. Hasan Zyko Kamberi kritik e satirik shkëlqen në vjersha të tjera, për t’u bërë satiriku i parë i letërsisë shqipe. Nëse në vjershat e tija të para personale e shoqërore ky autor ironizon edhe vetëveten, në vjershat satirike ai nuk kursen askendin. Dy vjershat e tij Paraja dhe Trahani lidhen ndër vete si vjersha të situatave sociale, po edhe të sprovimeve morale, duke i karakterizuar një qëndrim autorial. Të gjitha vjershat e Kamberit, duke qenë me frymë kritike ndaj dukurive shoqërore, domosdo karakterizohen me shprehje të ashpra, me një shpërthim deri në përmbysje dhe me një revoltë të përhershme deri në pëlcitje, si qëndrim autorial. Në anën tjetër, për nga ndërtimi formal i vargjeve janë të njënjëshme. Rregulla e tij krijuese është vjersha katërshe me varg tetërrokësh dhe me skemën e rimës (aaab). Kjo është një rregull e përgjithshme krijuese. Në anën tjetër krijimi i vjershës sociale shpesh formalisht i afrohet tregimit dhe ka elemente të poemave me subjekt e me rrjedhë kontinuitive, formë që do të shfaqet më vonë në letërsinë shqipe.


Burim i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Hamiti, Sabri (1995) Letërsia e vjetër shqipe, Prishtinë.