Bektashi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Dhulfikari

Tarikati Bektashi ose Imamati Shi'i Alevi-Bektashi është një urdhër musliman dervishësh që kanë marrë emrin nga Haxhi Bektash Veliu, evlija Alevi nga Harasani, por u themelua nga Ballëm Sulltani.[1] Tarikati, qendra e të cilit është në Tiranë, është i përhapur në Anadoll dhe Ballkan, ka qenë veçanërisht i fortë në Shqipëri, Bullgari dhe ndër grekët muslimanë të periudhës osmane. Urdhri përfaqëson rrymën shpirtërore zyrtare të bektashizmit.

Përpos Haxhi Ali Bektashit, tarikati duket të jetë ndikuar nga Hurufitë dhe Kalandaritë dhe besojmat shi'ite të Anadollit të shekullit të 15. Praktikat mistike dhe ritualet u renduan nga Ballëm Sulltani në shekullin e 16, kur shumë praktikat e veçanta të tarikatit morën formë.

Disa akademikë janë të mendimit se bektashizmi ka përzier koncepte Shi'i dhe Sunni, megjithatë tarikat ka praktika dhe doktrina të veçanta. Përgjatë historisë, bektashijtë mbahen të kenë patur ndikim si tek elita intelektuale osmane ashtu edhe tek fshatarësia.

Besojma[redakto | redakto tekstin burimor]

Tarikati Bektashi është një tarikat sufi, që bashkëndan të njëjtat tipare me tarikatet e tjera duke patur një nevojë për udhëheqje shpirtërore - i quajtur baba sipas bektashijve - si dhe doktrinën e "katër portave" që duhen tejshkuar: Sheriati, Tarikati, Hakikati dhe Marifeti. Bektashizmi i jep vëmendje të veçantë Waḥdat al-Wujūd (Njësimit) të formuluar nga Ibn Arabi, një formë panenteizmi kjo. Ka gjithashtu ndikime të mëdha nga Shi'izmi, me përnderim ndaj Aliut, Dymbëdhjetë Imamëve dhe ndërmendjen ritualore të Ashures në përkujtim të Betejës së Qerbelasë. Bektashijtë e çmojnë Nevruzin si ditë të shenjtë.

Përmes Waḥdat al-Wujūd bektashijtë shohin realitetin e përfundëm në përmbajtjen e Hak-Muhammed-Aliut, të cilën nuk e cilësojnë një trinitet. Megjithatë ka praktika të tjera që kanë përngjasime me tradita të tjera, si vakti ritualor i të ngrënit (muhabbet) dhe rrëfimet e përvitshme të mëkateve tek një baba (magfirat-i zunub). Bektashijtë e mbështesin besimin dhe ritualet e tyre tek interpretimi dhe të kuptuarit e tyre joortodoks dhe mistik i Kuranit dhe praktikave profetike. Ata nuk kanë doktrinë specifike të shkruar për këtë, kështu që kuptimësia dhe interpretimi mund të dallojë në varësi të mësuesit që e ka ushqyer. Bektashijtë përnderojnë mistikët sufi jashtë tarikatit të tyre, si Rumiu, Ibn Arabiu dhe El-Gazaliu që janë më të afërtit në shpirt me ta.

Bektashinjtë falen vetëm dy herë në ditë dhe faljen nuk e bëjnë detyrimisht me fytyrë nga Meka, nuk përkulen detyri-misht në gjunjë. Sikundër myslimanët e tjerë, shumica e bektashinjve nuk e hanë mishin e derrit, as nuk i prekin me dorë breshkat, qentë e gjarpërinjtë dhe, mbi të gjitha, nuk u afrohen lepujve. Disa bektashinj e pijnë alkoolin e madje, në disa teqe, rakinë e bëjnë vetë. Gratë e tyre marrin pjesë si të barabarta në ceremonitë e kuvendimet, diçka tjetër kjo që i skandalizon myslimanët tradicionalë e që në të kaluarën ka dhënë shkas për hamendje të forta e thashetheme për jetën dhe sjelljet brenda teqeve. Bektashinjtë nuk e kanë detyrim të mbajnë Ramazan, por ata agjërojnë, ose të paktën nuk pijnë lëngje, gjatë periudhës së matemit, pra në dhjetë ditët e para të muajit Muharrem, gjatë të cilave përkujtohen vuajtjet dhe vdekja e imamit Husein. Pas matemit vjen festa e hashures (shih), gjatë së cilës hahet një ëmbëlsirë e bërë me grurë të rrahur, fruta të thata, arra dhe kanellë. Nga bektashinjtë shqiptarë kremtohet edhe Nevruzi, viti i ri persian dhe ditëlindja e imam Aliut.

Hierarkia[redakto | redakto tekstin burimor]

Tarikati ka natyrë iniciatike me nivele dhe rangje të ndryshme në rrugëtimin drejt Realitetit, si më poshtë:

  • ashiku, عاشق, ndjekës të panismuar të tarikatit.
  • myhibi/muhibi, محب, ashiku pasi kalon ritin e dëlirjes dhe deklaratën e besnikërisë gjatë një ceremonie në teqe (nasip), bëhet ithtar.
  • dervishi, muhibi pasi ndërmerr betime të tjera.
    • myxheri, 'person i sprovuar nga jeta, i dëlirë, i pamartuar,' është një kategori e veçantë dervishësh, të betuar për beqari, të cilët mbajnë një vath në veshin e djathtë.
  • babà, shq. átë, mbahet si drejtues i një teqeje dhe i aftësuar të japë drejtim shpirtëror (irshad إرشاد).
  • halife-babà ose dedè, shq. gjysh, zakonisht kanë qenë dymbëdhjetë të tillë, më i moçmi i të cilëve ishte dede-babai.
  • dede-babà, sq. kryegjyshi, mbahet si rangu dhe autoriteti më i lartë i tarikatit. Tradicionalisht selia e dede-babait ishte Pir Evi (shtëpia e shenjtit) në teqenë e Haxhi Ali Bektashit, në Anadollin Qendror.[2]

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Tarikati bektashi ka qenë tejet i përhapur në Perandorinë Osmane, teqetë e tyre ishin goxha të përhapura në Anadoll dhe në anë të tjera, veçanërisht në Ballkanin Jugor, si dhe Stamboll. Tarikati kishte shumë lidhje me jeniçerët, duke u bërë kësodore më i lidhur me anadollasit dhe ish-të krishterët ortodoksë shqiptarë e grekë; megjithëse më së shumti babatë qenë shqiptarë të jugut.

Më 1826 Sulltan Mahmudi II suprimoi Oxhakun e Jeniçerëve, u prish seminari i madh bektashijan që ka qenë në Teqenë e Sejid Ali Sulltanit në Dimotokë dhe burimi i kulturës Bektashijane shterroi. Pasi u vranë shumë krerë fetarë të tarikatit, u segregua dhe ndalua në krejt perandorinë.[3]

Në viset shqiptare[redakto | redakto tekstin burimor]

Sipas Eqrem bej Vlorës, ndryshimi konfesional ndër viset arbëroro-shqiptare është vepër e tarikateve të ndryshme të dervishëve shtegtarë që janë shfaqur në Ballkan përpara se të dukeshin trupat osmane dhe, falë forcës së tyre bindëse, patën shumë ithtarë të cilët u treguan shumë të dobishëm për pushtuesin turk, kur ai erdhi në këto anë. Autoritetet osmane kanë pak ose aspak dorë në këtë proces nistor. Si shembuj Vlora sjell Kalkandelët në Tetovë dhe Teqenë e Sheh Hashimit në Janinë.[4][5] Teqeja e Tetovës lidhet me një gojëdhënë të Sersem Ali Dedeit, para se të vdiste porositi që të blehej një tokë dhe të ndërtohej teqeja në Tetovë, e cila në fillim shekullin XVIII shërbeu si seli mëmë (ashitanë) për shumë teqe të tjera në Kosovë e në Maqedoni. Më 1780 pasoi ndërtimi i një teqeje bektashinjsh në Gjirokastër në kohën e Baba Asimit.

Kaligrafi bektashiane

Udhëtari turk Evlija Çelebiu, i cili kreu një udhëtim nëpër Shqipërinë jugore në verën e vitit 1670, gjeti një teqe bektashinjsh në Kaninë dhe atë vend e përshkruan:[6]

"Këtu ka një teqe bektashinjsh, që është hajrati i Gazi Sinan Pashës. Teqeja ka mjaft dervishë besnikë e simpatikë. Në hashefin e saj ushqehen, nga të ardhurat që nxirren nga vakufet aty pranë, e mbahen me ushqime udhëtarë e shtegtarë."

Tyrbja ishte ende vend pelegrinazhi në kohën e vizitës së konsullit austriak Johann Georg von Hahn, i cili më 1854 e përshkruan:[7]

"[...] Dhe ata kanë qenë pasardhësit e pushtuesve të parë turq të këtyne viseve, të të famshmit Sinan pashë të Konjës, varri [tyrbja] e të cilit shihet edhe sot në teqenë e vogël të vendosun në kambë të kodrës. Ky varr shërben si vend pelegrinazhi, sepse Sinani mbahet si shenjt nga turqit."

Kur Porta urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve të bektashinjve më 1826, teqeja e Kaninës i kaloi tarikatit Halveti. Tyrbja ku ndodhej teqeja u rrënua më 1971, por në "vendin e mirë" ka ende një gur të bardhë.

Mendohet se një pjesë e mirë e Shqipërisë Jugore dhe Greqisë Veriore u kthye në bektashi nën ndikimin e Ali Pashë Tepelenës, i cili edhe vetë ishte idhtar i këtij tarikati.[8]

Pas pavarësisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Me Luftën Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore, bektashizmi pësoi humbje të mëdha pas djegieve dhe plaçkitjeve të shumë teqeve shqiptare nga nga andartet greke.

Prishtë të Skraparit në janar 1922, bektashinjtë duke mbajtur Kongresin e tyre të parë, e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë dhe, pas ndalimit të të gjitha tarikateve të dervishëve në Turqi në vjeshtën e vitit 1925, bektashinjtë turq e shpërngulën selinë e tyre botërore në Tiranë. Në Shqipëri ata ngritën një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët, e cila ekzistoi deri më 1967. Bashkësia e bektashinjve u sistemua e u nda në gjashtë gjyshërí:

  • Gjyshata e Krujës, me seli në teqenë e Fushë Krujës;
  • Gjyshata e Elbasanit, me seli në teqenë e Krastës;
  • Gjyshata e Korçës, me seli në teqenë e Melçanit;
  • Gjyshata e Gjirokastrës, me seli në teqenë e Baba Asimit në Gjirokastër;
  • Gjyshata e Beratit, që përfaqësonte Beratin e një pjesë të Përmetit;
  • Gjyshata e Vlorës, me seli në teqenë e Frashërit.

1928, publicisti Teki Selenica regjistroi praninë në Shqipëri të gjashtëdhjetë e pesë baballarëve, që teorikisht do të thotë se në atë kohë kishte të paktën gjashtëdhjetë e pesë teqe në gjithë vendin. Gjithashtu, kishte rreth 10-12 teqe bektashinjsh në Kosovë.[9] Me ligjin mbi komunitetet fetare të vitit 1929, edhe pse tarikati bektashian u deklarua autonom, ai prapë ishte nën varësinë e Komunitetit Musliman.[10] Deri në mesin e viteve 1940, në Shqipëri numëroheshin 280 baballarë e dervishë, kurse në vitet 1960 në vend ende kishte rreth pesëdhjetë teqe bektashinjsh dhe rreth tetëdhjetë dervishë, pesëmbëdhjetë nga të cilët vetëm në Krujë.

Një pjesë e klerikëve bektashinj përkrahën Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por një pjesë tjetër dilnin për të informuar njerëzit se komunistët janë të pafe e paatdhe. Pas ardhjes në fuqi të Frontit Nacionalçlirimtar, krerët e tarikatit nisën të përndiqeshin: Baba Murtezai i Krujës vdiq më 1946, pasi ishte torturuar dhe hedhur nga dritarja e burgut. Baba Qamil Gllava i Tepelenës u ekzekutua më 1946 në Gjirokastër. Shkrimtari Baba Ali Tomori (1900-1947) dhe Baba Shefqet Koshtani nga Tepelena u ekzekutuan një vit më pas. Antropologu amerikan Frances Trix ka botuar një listë pak a shumë të plotë të baballarëve bektashinj që kanë vuajtur gjatë viteve të para të regjimit komunist.[9] Më 1946 kur komunistët organizuan Kongresin e Katërt të bektashinjve, disa babá të lidhur me Frontin, si Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzo që ishin pjesë të Partisë Komuniste Shqiptare, ushtruan trysni që nga tarikat musliman të kishte statusin e një komuniteti fetar më vete.[11] Ndër elementet reformuese ishte "demokratizimi" që dervishët të martoheshin dhe të visheshin me rroba civile. Pasi dy babatë ish-partizanë i kërkonin kryegjyshin Abaz Hilmi Dedenë më 1947 që të lihej prapa betimi i beqarisë, ky i fundit i vrau të dy dhe më pas veten. Vrasja që krijoi pështjellim të madh në Kryegjyshatë dhe një mosbesim në qeveri: ministri i Brendshëm i atëhershëm, Koçi Xoxe, propozoi madje një prift ortodoks, Llazar Popoviqin, por nuk u pranua vetëm se nuk kishte biografi të mirë.[12] Në qershor të 1948 u miratua kandidatura e Ahmet Myftar Ahmatajt, i cili më 1958 u hoq prej postit dhe u internua në Mallakastër.[13]

Pas ndalimit të fesë më 1967 në Shqipëri, pati vetëm dy teqe shqiptare që vazhduan veprimtarinë si qendra tubimi shpirtëror: njëra në Gjakovë, nën drejtimin e Baba Qazim Bakallit, dhe tjetra në Taylor, afër Detroitit, e themeluar më 1954 dhe, për shumë kohë, nën drejtimin e Baba Rexhebit. Më pas ajo u drejtua nga Baba Flamur Shkalla. Teqeja e bukur e Gjakovës u shkatërrua me themel nga ushtria serbë në pranverën e vitit 1999 bashkë me pjesën tjetër të qytetit të vjetër.[9]

Mirëpo, më 1993, pas shembjes së diktaturës, kishin mbetur gjallë vetëm pesë baballarë dhe një dervish, kurse teqe të mbetura më këmbë e që mund të njiheshin si teqe kishin mbetur vetëm gjashtë.

Pas pothuajse një çerek shekulli heshtjeje në Shqipëri, më 27 janar 1991, në Tiranë u ngrit një komitet i përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë së bektashinjve. Që prej atij viti e këndej, bashkësia e re, nën drejtimin e Baba Reshat Bardhit (1. 1935), ka punuar mjaft për të ringjallur traditat e Bektashizmit në Shqipëri. Teqeja dhe, njëkohësisht, selia botërore në Tiranë u rihapën më 22 mars 1991 me rastin e Nevruzit, kurse kongresi VI kombëtar i bektashinjve u mbajt në korrik 1993. Në fund të viteve '90 u vepruan në Shqipëri gjashtë teqe bektash-injsh: në Turan KO, e drejtuar nga Baba Edmond Ibrahimi (1. rreth vitit 1957); në Gjirokastër, e drejtuar nga Baba Haxhiu (1. 1936); në Elbasan, e drejtuar nga Baba Sadik Ibro (1. 1972); në Fushë Krujë, e drejruar nga Baba Selim Kaliçani (1922-2001); në Tomoricë, e drejtuar nga Baba Shabani; dhe në Martanesh, e drejtuar nga Baba Halil Curri. Të tjera teqe janë në ngritje e sipër: në Berat, në Shëmbërdhenj LB, në Bllacë e në Vlorë, ku tyrbja e Kusum Babait u rihap në prill 1998 në një pikë të bukur që ngrihet mbi qytet. Jashtë kufijve të Shqipërisë, teqe bektashinjsh ka në Tetovë, e drejtuar nga Baba Tahiri dhe para se të shkatërrohej nga forcat serbe në pranverë të vitit 1999 - në Gjakovë, e drejtuar nga Baba Mumin Lamaj.[9]

Kultura[redakto | redakto tekstin burimor]

Kombëtare[redakto | redakto tekstin burimor]

Për ndikimin e bektashizmit mes shqiptarëve, studiuesit boshnjak Xhemal Qehajiq, kur thotë se: "Aspiratat nacionale të shqiptarëve jo vetëm që janë zhvilluar, por ato edhe kanë filluar nga celulat e bektashinjëve."[14] Në kulturën e bektashinjve shqiptarë luajti rol edukativ libreci i Naim Frashërit, Fletore e Bektashinjet, ku dhe propozoi për shqipërimin e titujve të gradave dhe mëtonte që bektashizmi të ishte baza konfesionale e kombit shqiptar.[15]

Më 1941 në Romë, Musine Kokalari në temën e mbrojtjes së diplomës mbi Naim Frashërin, i kushton vëmendje të veçantë doktrinës dhe ndikimit që kishte sjellë tek poeti ky tarikat.[16]

Shiko dhe këtë[redakto | redakto tekstin burimor]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ "Bektāšīya". Encyclopaedia Iranica. 1989-12-15. Marrë më 2016-07-14. 
  2. ^ Izeti, Metin (2001). Tarikati bektashian. Tetovë: Çabej. pp. 124–126. 
  3. ^ Merlika-Kruja, Mustafa; Baba Rexhepi (2013). Kuvend letrash me miqtë. Tiranë: Omsca-1. p. 112. ISBN 9789928132321. 
  4. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Translated by Afrim Koçi. Tiranë: IDK. p. 201. ISBN 99927-780-6-7. 
  5. ^ Roald Hysa (25 maj 2016). "Hyrja e osmanëve në trojet arbërore dhe kthimi në Islam". zeriislam.com. 
  6. ^ Çelebi, Evlija (2000). Shqipëria para tre shekujsh. Translated by Salih Vuçitërni. Tiranë: Besa. p. 70. 
  7. ^ Von Hahn, Johan Georg (2013) [1854]. Studime shqiptare. Translated by Veniamin Dashi. Tiranë: IDK. p. 106. ISBN 978-99943-982-5-6. 
  8. ^ Ali Tyrabiu: Historia e bektashinjëve, Tiranë, 1929, fq. 65, cituar sipas, Memli Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi (1814 - 1897), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013, fq. 94
  9. ^ a b c d Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania. Rowman & Littlefield. pp. 41–42. ISBN 9780810861886. 
  10. ^ Qazimi 2012, p. 49.
  11. ^ Olsi Jazexhi (2007). "The Bektashi Dervishes". scribd.com. 
  12. ^ Qazimi, Azem (2012). Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. pp. 25–26. ISBN 9789928168030. 
  13. ^ Qazimi 2012, pp. 52-53.
  14. ^ Džemal Ćehajić: Bektašije i islam u Bosni i Hercegovini, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, lib.V-VI, Sarajevë, 1978, fq. 287, cituar sipas, Jashar Rexhepagiq: Dervishët dhe teqetë, në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përrreth, Dukagjini, Pejë, 2003, fq. 233.
  15. ^ Lloyd Ridgeon, Lloyd V. J. Ridgeon (2012). Shi'i Islam and Identity: Religion, Politics and Change in the Global Muslim Community. I.B.Tauris. p. 186. ISBN 9781848856493. 
  16. ^ Leka, Arian (1–2 dhjetor 2001). Intelektualët shqiptarë dhe bektashizmi. Flaka. - Nr. 6986. p. 15.