Koçi Xoxe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Koçi Xoxe

Koçi Xoxe (Negovan, 1 maj 1911 - Tiranë, 11 qershor 1949) ishte teneqexhi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Ministër i Brendshëm gjatë periudhës prill, 1946nëntor, 1948. U dënua me vdekje nën akuzën e të qenët agjent jugosllav.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në vitin 1911 në Negovan të Follorinës[1] i biri i Dhimitrit dhe Vasillos[2], por familja e tij u vendos në Korçë. Duke kaluar një fëmijëri të varfër, Xoxe ushtroi zanatin e teneqexhiut me babanë e tij. Formimi i tij lidhej me mbarimin e 5 klasëve fillore.

Më 1937 ishte një ndër të zgjedhurit në Kuvendin e Bashkisë së Korçës. Si element komunist u internua në fund të 1938.

Në vitet 1941-1943 burgoset nga regjimi fashist.

Është themelues dhe kryetar i parë i grupit komunist të Korçës dhe pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Byrosë Politike dhe K.Q. të saj që nga krijimi. Duke qenë një ndër elementët kryesorë PKSH-së, zgjidhet në mungesë sekretar organizativ i PKSH-së në mars 1943 dhe më 10 korrik anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Në kongresin komunist të Përmetit ai u gradua gjeneral-leitnant dhe u caktua zëvendëspresident i KANÇ-it.

Pas lufte, filloi të dukej figura e dytë pas Enver Hoxhës, duke marrë poste të rëndësishme u dëshmua si bashkëpunëtor i ngushtë i tij. U caktua kryetar i Gjyqit Special në mars-prill 1945. Në dhjetor të 1944 e deri në mars 1946 ishte drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, organizmit që në imitim të OZN-së, mori përsipër shtypjen e egër të kundërshtarëve të regjimit. Pasohet nga zëvendësi i tij dhe i besuari i tij, Nesti Kerenxhi.

Në vitet 1946-1948 ishte deputet i Korçës. Më 1946-'48 zv/kryeministër, ministër i Punëve të Brendshme, kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe zëvendëspresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në tetor të 1948, pasi u shkarkua nga posti i Ministrit të Brendshëm, u emërua Ministër i Industrisë. Më 28 nëntor 1948, ai arrestohet me akuzën si agjent i jugosllavëve dhe zhvishet nga të gjitha ofiqet e funksionet që kishte. Gjykata e dënoi me vdekje, vendim që u ekzekutua më 11 qershor 1949.

Historiani dhe arkivisti Kastriot Dervishi e komenton: komunist i devotshëm që i qëndroi besnik Hoxhës pa menduar se do të ishte një prej viktimave të tij. Xoxe u shqua për ashpërsinë ndaj kundërshtarëve politikë dhe shndërrimin e Sigurimit në një armë të profilizuar kriminale, sektare, krahinore, madje deri diku edhe fetare[1].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Dervishi K., Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist, Tiranë: Shtëpia Botuese "55", 2012, fq. 142.
  2. ^ Boriçi K., Kryegjyqtari Frederik Nosi: Ja fajësia e Koçi Xoxes dhe 4 të pandehurve si agjentë të jugosllavëve, gazetadita.al, 27 maj 2013.