Jump to content

Nesti Kerenxhi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Nesti Kerenxhi
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
2 tetor 1948 – 29 tetor 1948
Paraprirë ngaKoçi Xoxe
Pasuar ngaMehmet Shehu
Të dhëna vetjake
U lind më5 shtator 1920
Korçë, Principata e Shqipërisë
Vdiq më29 nëntor, 2002
Tiranë, Shqipëri
NënshtetësiaShqiptare
Bashkëshortja/etNaxhije Dume
Punësiminëpunës, politikan

Nesti Kerenxhi (Korçë, 5 shtator 1920 - Tiranë, 29 nëntor 2002) ka qenë zëvendës dhe më pas drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore anëtar i KQ të PKSH, zëvendës dhe më pas ministër i Brendshëm. Arrestohet në 1950 dhe dënohet me burg, internim.

U lind në Korçë në mesin e një familjeje me origjinë nga Vithkuqi. Ndoqi arsimin fillor dhe liceun frëng në vendlindje, prej të cilit më pas u përjashtua si i padisiplinuar.

Në mesin e vitit 1939 u pranua në radhët e Grupit Komunist të Korçës, kësisoj ishte edhe anëtar i PKSH-së qysh në themelim të saj. Më 1942 u zgjodh sekretar politik i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste. Në mars 1943 ishte delegat i Korçës në Konferencën e Parë të PKSH-së. Me krijimin e brigadës së 4-t komuniste, caktohet përgjegjës i sektorit politik të saj. Më 1944 përgjegjës i shkollës së parë të partisë në Panarit të Korçës, ku rolin kryesor e luante Dushan Mugosha. Nga këtu Kerenxhi shkon si përfaqësues i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë komuniste shqiptare pranë shtabit të përgjithshëm jugosllav dhe mareshallit Tito.

Në vitet 1944-'46 si i besuar i Koçi Xoxes, Kerenxhi është nëndrejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. Në prill 1946 - shkurt 1948 ishte drejtori i parë i Sigurimit të Shtetit duke qenë edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, më pas ia la drejtimin e sigurimit zëvendësit Vaskë Koleci. Më 1947-'50 deputet i Shkodrës. Më 1948 (2 tetor - 22 nëntor) ministër i Punëve të Brendshme, anëtar i Byrosë Politike të PKSH-së, ministër pa portofol dhe president i Komisionit të Planit të Shtetit. Megjithëse u largua nga MPB-ja pas goditjes së madhe të vitit 1948, Kerenxhi, falë ndihmës sovjetike mundi t'i ruajë pozitat e veta.

Në dhjetor 1948 deri në prill 1949 është nëndrejtor i Ndërmarrjes Shtetërore Rruga-Ura. Më 1949-1956 drejtor i departamentit të eksportit në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Më 1951 me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, madje, i jepet ushqim cilësor, si dhe u lejohet përdorimi pa kursim i energjisë elektrike. Në gusht të 1952 nis kontrolli operativ i tij në 2B dhe më 19 janar 1955 në 2A si "element antiparti". Megjithatë, shënohej se nuk do të merrej masë ndaj tij. Më 1956-1957 është drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit në Cërrik. Më 1957-1960 është emërtuar nga Komiteti Qendror i PPSH-së në Ministrinë e Ndërtimit.

Më 1960-1961 është anëtar i byrosë së çmimeve në Këshillin e Ministrave. Në korrik 1961, d.m.th pas prishjes me sovjetikët, shkarkohet si zëvendëspresident i Bashkimit Qednror të Kooperativave të Konsumit. Më 1961 nëndrejtor i minierës së SelenicësVlorë. Prej vitit 1982 banon në Petë Mavrovë të Selenicës. Dëshmon kundër Kadri Hazbiut më 1983. Më 13 shtator 1983 lirohet pas një burgimi të shkurtër. Po atë vit iu hoqën të gjitha dekoratat. U duk vetëm një herë në shtypin shqiptar, në vitin 1991, por nuk foli më. Në vitin 1996 u kthye në Tiranë, ku dhe vdiq më 29 nëntor 2002[1].

  1. ^ Dervishi K., Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist, Tiranë: Shtëpia Botuese "55", 2012, fq. 142-143.