Mustafa Kruja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Mustafa Kruja

Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Kryeministër i Shqipërisë
(1941 - 1943)

Mustafa Kruja.gif

Emri: Mustafa
Mbiemri: Merlika Kruja
Lindi më: 15 mars 1887
Vendlindja: Krujë, Perandoria Osmane
Vdiq më: 27 Dhjetor 1958
Vdiq në: Niagara, Kanada
Profesioni: Mësues, Publicist, Politikan
"... as nuk asht nji shënjt, as nuk asht nji mrekullbas! Me thanë vetëm se asht nji patriot, asht prap tepër pak."
─ Dom Lazër Shantoja.

Mustafa Merlika-Kruja[1] (15 mars 1887, Krujë në atë kohë Akçahisar (Kështjellë e bardhë), Perandoria Osmane (sot Shqipëri) – 27 dhjetor 1958, Ujëvarat e Niagarës, Shtetet e Bashkuara) ishte kryeministër i shtetit shqiptar gjatë pushtimit fashist, Senator i legjislarës së XXX të mbretërisë Italiane, pjesëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministë [2] dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë. Si studjues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pêndës "Shpend Bardhi".

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Mustafa Kruja lindi në Krujë15 mars 1887, i biri i Mehmet Merlikës (Meta i Fajës së Merlikës) dhe Hanke Corkës. Arsimin fillor e mori në shkollën e qytetit, ku mësimet konsistonin n'ushtrimin e leximit t'arabishtes dhe turqishtes. Pas shpërnguljes së familjes së tij për shkaqe gjaku në Durrës, ai vazhdon shkollën aty, duke pasur disa mësues, të cilët vlerësonin zgjuarsinë e fëmijës. Pas shpërthimit të Luftës Turko-Greke, më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë, familja e tij rikthehet sërish në Krujë, ku djaloshi rifillon mësimet me mësuesit e tij të parë të fillores, dhe më pas hyn në gjimnazin e ulët (ruzhdije) të qytetit, të cilin e përfundon pas 3 vjetësh. Kapërcyelli i shek. XIX-të dhe fillimi i shek. XX-të shënojnë intensifikimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve anembanë tokave amtare dhe diasporës. Klima e lëvizjes kombëtare dhe përpjekjeve për shkolla e gjuhë shqipe ishte e pranishme dhe në Krujë, ku propaganda kombëtare organizohej fshehtas n'ambiente të ndryshme krutane. Një prej tyre ishte dhe dyqani i tregtarit Miftar Seseri, ku në kthinat e tij zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe dhe këndimi i letërsisë kombëtare. Mustafai, që punonte aty shegert, pati mundësinë të mësonte gjuhën amtare, të lexonte letërsinë e Naimit. Ky dyqan ishte dhe ambienti i parë që ndikoi vetëdijen kombëtare shqiptare të Mustafa Merlikës dhe aty ndoshta, mbiu në shpirtin e tij dhe filizi i atdhedashurisë e shtysa për t'u angazhuar në lëvizjen kombëtare. Më 1902 i ati, që ishte rreshter i trupave mbrojtëse të Esad pashë Toptanit në Janinë, e thërret të birin për të shkuar e për t'u regjistruar me ndihmën e Esad Pashës, në gjymnazin (idadije) e Janinës, ku adoleshenti hasi pengesat e para, dhe kuptoi mangësitë e formimit të tij shkollor të kryer në vendlindje. Fillimet e gjimnazit me atë turqishten e mësuar çalë-çalë, ishin tepër të vështira, derisa pas kritikave t'ashpra të profesorit të vet, vendosë ta mësojë me themel. Vitin e tretë të shkollës e mbaron pranë gjimnazit "Nymunei Terakki" në Stamboll. Si në Janinë edhe në Stamboll, qoftë në ambientet e shkollës, si me profesorë dhe nxënës shqiptarë, qoftë edhe jashtë saj, ai u aktivizua në rrethin e shqiptarëve të cilët përkrahnin përpjekjet kombëtare, mësimin e gjuhës shqipe dhe shpërndarjen e literaturës në shqip. Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se ishte shumë i aftë në lëndët ekzakte dhe kishte dalë i pari në matematikë, Mustafai dëshironte të studionte për inxhinieri, por ndikimi dhe këmbëngulja e Esad Pashës për t'u bërë kajmekan duke studiuar në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore "Mülkiye-i-Sehahané" (Fakulteti i Shkencave politike-administrative), prej së cilës dilnin elitat e Perandorisë Osmane, e çuan t'i bindej këtij të fundit, për të cilin kishte respekt si bamirësi i familjes Merlika. Por ai parapëlqente që shkollën ta fitonte me konkurs dhe jo me dekret të posaçëm sulltanor, që do të nënkuptonte ndërhyrjen e pashës tek rreth'i ngushtë i sulltanit. Kështu bëri, u rendit i 11-ti, në rënditjen totale të 40 fituesve, nga 200 konkurrentë që hynë gjithsej në konkurs. Edhe gjatë viteve të larta në Stamboll, ai nuk rreshti së përpjekuri në rrethin e studentëve shqiptarë, përkrahës kombëtar dhe qe autor i disa shkrimeve e artikujve të botuar nën inicialet A.X. të pseudonimit «Asim Djenan» (Xhenan). Angazhimi i tij politik në lëvizjen e propagandimin e ideve kombëtare shqiptare ndër studentët e Stambollit, i kushtuan edhe përzënien e tij prej xhon-turqve nga shkolla, pas të cilit mendoi t'emigronte në ShBA. Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshi mbarë Turqinë me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në këtë periudhë Mustafai fillon t'interesohej për politikë duke shkruar artikuj të ndryshëm e duke marrë pjesë në një shoqëri revolucionare. Megjithatë, këmbëngulja e bashkë-studentëve bashkë me disa profesora dhe ndërhyrjet e disa deputetëve shqiptarë, bënë që ai të ripranohej në Mylkije, ku u laureua më 1908;[1] e prej nga do të dalë në vitin 1910: "licencié en sciences politiques et sociales".

Kur Mid'hat bej Frashëri, Salih Gjuka, Rexhep bej Mitrovica e Bedri Pejani shkuan në Tiranë tek Abdi Toptani, shkojnë të pestë në Durrës tek Dom Nikolla. Thërrasin dhe Mustafën, që atbotë ishte prof. matematike në gjimnazin e qytetit. Betoi parin' e Krujës për kryengritje. Bashkëpunon ngushtë me Abdi Beun n'organizimin e çetave dhe kujdeset për letërkëmbimin e tij.[3] Për këtë veprimtari e transferojnë n'Urfa të Irakut. Por tepër vonë, kishte hy n'emër të Shqipërisë së Mesme e veçan të bejlerëve të Toptanit me u marrë vesht me Prenk Pashën për një kryengritje të përbashkët me Mirditën[4] Shpallja e Pavarësisë e gjen në Vlorë, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës. Me formimin e qeverisë u emërua zëvendës-prefekt në Vlorë e më vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të Ministrave. U martua me Caje Gunin dhe pati katër fëmijë Petritin, Fatosin, Bashkimin, Besimin. Shkruan për të Karl Gurakuqi:

"Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shty qyshë në riní me u marrë me arsimin, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n'atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit".[5]

Detyra të së njëjtës natyrë pati edhe gjatë sundimit të shkurtër të Princit Vid, në vitin 1914, të cilin e mbështeste. Shkruan artikuj të shumtë në të përkohshme të ndryshme, si p.sh. në faqet shqip të "Corriere delle Puglie", te "Kuvêndi" i Sotir Gjikës, te "Mbrojtja Kombëtare" e Dom Mark Vasës, te "Ora e Maleve" e Shuk Gurakuqit e Dom Lazër Shantojës. Burgoset nga Esat Toptani nga hasmëritë që lindën me tê rreth çështjes së Shkodrës, e nga irritimi i Pashës Toptan që Mustafa Kruja s'ishte dakord t'i shërbejë, më tej e degdisë n'internim për në Bari t'Italisë.[6] Mbas lirimit punon si kryeredaktor te "Kuvêndi" deri kur u mbajt Kongresi i Durrësit. Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në Kongresin e Durrësit. Me propozim të Luigj Gurakuqit ai shërbeu si sekretar i Kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës. Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë. Më 1920 gjendet përkrah Imzot Bumçit, Atë Fishtës, Luigj Gurakuqi e Lef NositKonferencën e Paqes në Paris, delegacionit të azhornuar nga Kongresi ndërkohë që ai i vjetri me kryeministrin Turhan Pashë Përmetin u shfuqizua me rënjen e qeverisë. Më 1920 rrekej t'ia mbushte mendjen Atë Fishtës të hartonin një program partie politike, Ai i kishte thanë,

"... Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!"[6]

Deputet në vitet 1921-22, ikën në (Kragujevaci) Jugosllavì mbasi u përfshì në kryengritjen e marsit 1922 t'organizuar nga Elez Isuf Ndreu e Bajram Curri me emrin "Lidhja e Shenjtë". Gurakuqi bën të mundur nëpërmjet një marrëveshjeje që të kthehet.[7]

Në vitin 1924, me fitoren jetëshkurtër të Nolit e Gurakuqit, emërohet prefekt i Shkodrës, ku merr me vehte dhe biblioteken e tij të madhe me vëllime nga frëngjishtja. Gjatë pranisë së tij si prefekt në Shkodër jep urdhër për djegien e shtëpive të kundërshtarëve politikë të mëparshëm, si shtëpia e M. Jukës.[8] Me ardhjen e Legalitetit në pushtet mërgoi në Itali. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.”[6] Vendoset në Zara, qytet i njohur për tradita arbëreshe, ku rreth tij, grumbullohen edhe intelektualë të tjerë si Xh. Korça, Ernest Koliqi, Kostantin Kotte, etj. Nuk reshti së qenit aktiv në gazetat e mërgimit si te "Lirija Kombëtare" e Omer Nishanit, te "Ora e Shqipnisë" e Shantojës, "Përpjekja shqiptare" e Branko Merxhanit. Por, mbi të gjitha nuk reshti së punuari asnjë çast për atë që do të ishte vepra monumentale e jetës së tij: "Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe". Vepër e cila përshkruhet në nr. e 11/1952 nga Karl Gurakuqi si një fjalor që Merlika vetë la për shtyp para se të mërgonte përfundimisht. Kishte rreth 30.000 lema e mbi 2.600 fletë të daktilografuara. Në daktiloshkrimin që trashëgojmë ne sot ka afro 260 fletë.[9]

Gjatë epokës fashiste[redakto | redakto tekstin burimor]

"Na Shqiptarët, përgjithsisht, jemi bukur fort të prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetëm levdata na del disi rryeshëm nga buza, por mâ tepër, gjêjmë vishtirsí në vetvete kur arsyeja e lypë qi të shfaqim pelqim e lavd mbi cilsít ase veprat e nji tjetri" – e vazhdon: "Kjo korrnecí shpirtnore ndoshta na rrjedh prej krajatave historike nëpër të cilat u përshkueme na dhe të parët t'onë".[10]
Ernest Koliqi, 1957

Në një shkresë që Mustafa i dërgon konsullatës amerikane në Aleksandri, tregon që edhe pse e kishin ftuar me marrë postin e ministrit të punëve të brendshme nuk kishte pranuar. Por kur qarkulluan fjalë se çetat komuniste po lëviznin nën organizmin e dy anëtarëve të Partisë Komuniste Jugosllave atëherë zgjodhi jo pa brerje ndërgjegjeje të merrte detyrën e kryeministrit për të ndalë veprimtarinë komuniste, e cila do rrezikonte vendin nëse lufta do humbej nga Boshti. Arsye tjetër ishte rivendosja e kufijve etnikë të Shqipërisë, Kosovën, Maqedoninë veri-përëndimore dhe Plavën me Gucinë. Sipas një fjalie dëshmohet në letërkambimin me fratin françeskan Át Paulin Margjokajn, që në letren nr.50 shkruan,

"... Njerzt, qi nuk shofin veçse sa t'u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me justifikue veprimin t'Ând politik... Shqypnija e shkretë në periudhen ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi".

Kahu nacionalist i emigrantëve politik i mbledhur në Hotel Exelsior-Gallia të Milanos ishin mbledhë me diskutue ramjen e regjimit të Zogut me ndihmën e Italisë. Por kur përfaqësuesi i qeverisë italiane, Giovanni Giro, i shpjegon pikat e marrëveshjes ku nder to ishin integrimi i simboleve fashiste e të Savoiave në flamurin kombëtar, shkrirjen e dy administratave në një, etj. Për patriotat shqiptarë flet Mustafa:

"Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnisë".[6]

Duhet thënë se Mustafai, me intuitën e tij të mprehtë kishte qenë ndër ata të pakta personalitete shqiptare që kishin kuptuar se aleati më i mirë për me rrëzuar Zogun ishte Italia. Në vitin 1927, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Aleancës ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, Mustafa ishte i vetmi emigrant politik që i telegrafoi Mussolini-t duke vlerësuar ketë marrveshtje.[11] [12] Edhe Hasan Prishtina në një intervistë dhënë një gazetari të "Giornale d'Italia", me datë 8 dhjetor 1927, e vlerësonte lart Traktatin. Më 4 gusht 1939, në prag të bashkimit me Italinë, u thirrën 4 personazhe, që me veprimet e tyre ndikuan në këtë "bashkim", Shefqet bej Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, Vangjel Turtulli.[13] Nepërmjet të birit, Petritit, që studionte për inxhinieri elektrike në Grenoble të Francës vendosë kontakte me Petro Markon, të cilin e ndihmonte me të holla dhe me të kthyer në Shqipëri i propozon postin e zv/Ministrit të Kulturës[14], ose në sektorin e organizimit të të rinjve shqiptarë jashtë Shtetit, apo si korrespondent i gazetës "Tomorri" n'Itali, ose si zëdhënës i zyrës së shtypit dhe propagandës. Ka qenë Kryeministër i Shqipërisë gjatë pushtimit italian, duke nisur nga 4 dhjetori i vitit 1941 e deri më 18 janar të vitit 1943. Me ardhjen Kryeministër të Mustafës, i kërkoi qeverisë italiane, që i dënuari për vrasje Baltjon Stamolla, me vazhdue dënimin në Shqipëri. Qeveria italiane ra dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërguar në Fieri, “për siguri” larg Shkodrës. Atje ka ndejtë në një shtëpi ku ruhej nga tre-kater policë shqiptar. Një ditë gjoja se donte me u arratisë, policët e kanë gjuajtur dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E lanë disa orë pa e çuar në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuante nga dhimbjet e tmerrshme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2–3 ditë mbas gjuajtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, duke vërritë nga dhimbjet.

Mustafa Kruja i ka treguar ngjarjen Kolë Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”.[15]

Opinioni i hierarkisë fashiste për Mustafa Krujën, dhe veprimtaria e tij gjatë Luftës[redakto | redakto tekstin burimor]

Së pari duhet thënë se ai nuk ishte një fashist në kuptimin e vërtetë të termit. Dihet se fashizmi lind historikisht prej gjirit të socializmit, për të kundërshtuar liberalizmin individualist, për të vënë në rend të parë interesat e përgjithshme të shoqërisë kundrejt atyre të individit. Mussolini vetë në rini kenë qenë socialist militant e si i tillë ka ardhë duke përforcuar gjithnjë bindjen se shteti është njësia më e randësishme e jetës shoqërore, i denjë për t'u vënë mbi vlerat e lirisë e të demokracisë. Në një intervistë të 1932-shit, dhënë biografit të tij Emil Ludwig për të përkohshmen «Candide», B. Mussolini pohon se kur ishte i ri, mbante gjithnjë me vete si nuskë, një medaljon me figurën e Karl Marx-it e ndërsa Mustafa nuk ka asnjë gjë të përbashkët me idetë socialiste e, për të, vlera absolute nuk është shteti por atdheu, që i përfshin: etninë, gjuhën, kulturën materiale e shpirtërore e besimin.[16] Në prill të 1940-ës me kontributin personal të tij krijohet Instituti i Studimeve Shqiptare (Istituto di Studi Albanesi) i fondacionit "Skanderbeg". Kruja qe jo vetëm themelues por edhe president i këtij Instituti. Ky institut mëtoi të ndërtohej mbi trashëgiminë morale dhe ideale të Kongresit të Manastirit dhe të përftonte trashëgiminë e iniciativave kulturore që patën lindur në Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë. Qysh në krye të punës Kruja u paravendoi studiuesve të Institutit problematikat më të rëndësishme që shtroheshin në lëmë të albanologjisë asokohe. Iniciativa e parë e ndërmarrë nga Instituti qe përgatitja e Leksikonit të Madh të Gjuhës Shqipe megjithë vështirësitë e skajme që një ndërmarrje e tillë paraqiste në raport me kohën dhe momentin historik që kalonte vendi.[17] Në 1941, si pasojë e sulmit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, komunistët në Shqipërí, të frymëzuar prej të huajve, nisin të lëvizin. Qeverija e Shefqet Vërlacit bie e në dhjetor të 1941-shit Mustafa Kruja ngarkohet me formue qeverinë e re. Ministri i jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, shënon në ditarin e vet që vënja e Krujës në postin e kryeministrit "... i përgjigjet një lëshimi të matejshëm ndaj ekstremistave të nacionalizmit shqiptar".[18] Ndërsa në datën 23 dhjetor, Ciano shkruan që Vërlaci urren Krujën, por s'ka argumenta të fortë kundër tij, kufizohet duke thënë se s'mund të qeverisë vendin djali i një qehajai.[18]

"Qyshë të parën herë që Mustafa vjen në Romë si kryeministër, në shkurt të 1942, siç dëshmon Çiano në Ditarin e vet, fillon duke i kërkuar italianëve "ndreqje të vogla të kufijve nga Mali i Zi e rishikimin e flamurit" - ndreqjet e vogla bëhej fjalë për krahinat e Hotit, Grudës, Triepshit, Plavës, Gucisë e Rugovës.

"Nuk e duan,- vazhdon Çiano, duke folë për nacionalistat e Tiranës,- shqipen e «burgosur» midis fashiove e nyjeve të Savojës. Çështja është delikate e nuk mund të mos pranohet a priori".

Emërimi i Krujës kryeministër, shkruan konti Çiano, bëri bujë,

"... ndër italianë pse ai është shumë nacionalist, ndër shqiptarë pse rrjedh prej një familje të përvuajtur".[18]

Një tjetër hierark i fashizmit, Mëkëmbësi i Mbretit F. Jacomoni, në kujtimet e tij, analizon figurën e Krujës dhe vëren:

" Nacionalist që nuk lëshonte pê kur bëhej fjalë për interesat e vendit të vet, por që inteligjenca e çelun e kultura e shëndoshë perëndimore e bënin të vlerësohej, idenë konfederale e cila duhet të kryesonte atë që vetvetiu u quante Bashkësia e Romës".[19]

Me 23 prill 1942 Mustafa Kruja detyroi italianët që të hiqnin fashot e Savojës nga flamuri kombëtar. Sipas gjykimit të Carlo Umiltà bashkë me një koleg e mik të tijin cilësohen "ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja."[20] Në një intervistë të dhënë atij që do bëhej babai i gazetarisë italiane, Indro Montanellit, më 21 maj 1942 shpreh qartazi qëndrimin e tij ndaj bashkimit me Romën. [21]Pakënaqësí në qarqet fashiste kishte shkaktuar gjithashtu edhe fjalimi i tij i mbajtur më 22 Nëntor 1942 në Teatro Savoia në Romë. Kuptohet haptas prej këtij fjalimi që ai nuk është një kukull në duart e askujt. Çka shtyu përfundimisht Mustafën me dhënë dorëheqjen ishte vrasja e Qazim Koculit, komisar special Vlorë. Një vrasje me natyrë politike e në të njëjtën kohë edhe hakmarrje ndaj drejtuesit luftarak të Luftës së Vlorës.

Në janar të 1943 Mustafa lë qeverinë në duart e Eqrem Bej Libohovën. Mbas dhënjes së dorëheqjes i jep gjithë përkrahjen e tij forcave të Abaz Kupit. Më 12 tetor 1943 i bëhet një atentat në Tiranë, nga i cili shpëtoi me një plagosje të lehtë. Vazhdon të merret me çështje gjuhësie dhe tërthorazi u vinte në ndihmë miqve në mal. U largua nga Tirana më 1 shtator 1944, ngaqë djali i vogël, Besimi, ishte sëmurur rëndë dhe mjekët e quanin të domosdoshme praninë e tij për të vendosur mbi operimin e tij. Pas dhjetë ditësh udhëtimi nëpër Shqipëri, Jugosllavi, Hungari dhe Austri, arrita në Vjenë. I biri vdiq më 21 nëntor. Abaz Kupi duke marrë vesht se Kruja s'e përballon jetesën n'Italí e thërret n'Egjipt, pranë Ahmet Zogut ku shkon më 25 shkurt 1948. Kruja shkruen "... rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qysh më 1943, kur mu mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Tê. Tash po pajtohem edhe për s'afri".[6]

Pjesën tjetër të jetës ishte i detyruar nga regjimi enverist ta kalonte në mërgim në Francë dhe ShBA ku edhe vdes pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 Dhjetor 1958. Fjalët e fundit që ka thënë në agoni ishin në gjuhën turke.

Idealet e jetës së tij[redakto | redakto tekstin burimor]

Vetëm në dy gjëra Mustafai do të mbesë gjithë jetën i patundur: nuk do të pranojë kurrë asgjë që është kundra interesave të kombit e nuk do të shklasë asnjëherë parimet e tija të larta morale. Atë Zef Valentini ka shkruar që Mustafai, megjithëse i lindur në fe myslimane, ka pasur të vetat shumë vlera shpirtnore të katoliçizmit)[22]. Krahas virtyteve qytetare, ai do të kultivojë gjithë jetën një ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre që ndoshta e ka dëmtuar në marrëdhëniet me të tjerët, por e ka lartësuar personin e tij, sa jeta e tij përkon krejtësisht me idealin që ai ka dëshmuar.

"Tek, Aj, nuk gjêjshin mirëpritje formulat si «Shif e bân!" e «Shkel e shko!». Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. (...) Dikushi, e kritikoi Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t'ishte nji akrobat politik dhe t'i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: - «Në kët botë, nuk ká gjâ mâ kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij këtê, por, nuk e bâj; sepse , «Idare-i Maslahat-i», të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç'âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim".[23]

Lufta e tij fillon atëherë kur Shqipëria po bëhej shtet më vete, në 1912. Në 1924, Mustafa, përkrah Luigj Gurakuqit me shokë do të përpiqet me të tërë energjitë me ndërtue një Shqipëri moderne, europiane, e shkëputur njëherë e përgjithmonë prej mentalitetit oriental. Në këtë drejtim ai njehet si një ndër etërit e Shqipërisë së re.

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Që në rini të tij qe aktiv në shtypin e Stambollit, e më pas n'atë të Shqipërisë. Do të përkthejë * "Shqiptart dhe fuqitë e mdha" përkthim nga Vladan Gjorgjeviç, 1927. Gjatë kultivimit të pasionit të tij për gjuhësinë punon "Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe", daktiloshkrim që autori ia ka dorëzuar Institutit për Studimet Shqiptare më 1943. Tashmë i humbur, autori ka ripërpunuar gërmat "A" dhe "B" në mërgim pas '45. Punon veprën "Abetari i të mërguemit" në Aleksandri të Egjiptit, 1952, me qëllim për t'ia shpërnda fëmijëve t'emigrantëve. "Vëzhgime Iliro-Shqiptare", 2004. "Aleksandr'i Madh", postume 2005. "Letërkëmbim (1947-1958), Kruja-Margjokaj", 2006. "Fjalori i Frangut të Bardhë", e botuar po ashtu pas vdekjes më 2007. Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë, postume, 2007. "Problema gjuhe", postume, 2011. "Shkrime historike: (nga Egjypt'i vjetër deri tek shpallja e Pamvarsis së Shqipnis)", 2011.

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Wikibooks-logo.png Wiki Libri: Vëzhgime Iliro-Shqiptare përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja [24]

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Enriketa Papa Pandelejmoni tek "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" nën kujdesin e prof. Ardian Ndrecës fq. 56-58, Botime Françeskane. I. Mbiemni u ndryshue nga MerlikaKruja me kërkesë të vetë Mustafës Ministrit të Drejtësisë, Hasan Dostit të qeverisë së tij. II. AQSH, Fondi 37 (Mustafa Kruja), Viti 1940, Dosja 11, Fl1-13. Në fund të dokumentit me ngjyrë rozë është firmosur me dorëshkrim vetëm gërma K (biografia është e daktilografuar). Mendohet nga stili i shkrimit, prej studjueses, se âshtë shkrue nga vetë Mustafa Merlika-Kruja, ose nga Ernest Koliqi.
  2. ^ (Italisht) Skeda e M. Krujës në sitin e Senatit italian.
  3. ^ Merlika E., “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, OMSCA-1, 2012.
  4. ^ Kruja M., «Shqiptari» i 1912-s e shqiptarizma në qarkun e Durrësit, Revista «Shêjzat» 1973.
  5. ^ Testamenti i Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1959 (III), n. 11-12, fq. 382.
  6. ^ a b c d e Letërkëmbimi Kruja-Margjokaj, shtëpia botuese "Camaj-Pipa", Shkodër 2006.
  7. ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, 2000.
  8. ^ Vlora Bej E., "Kujtime 1885-1925", Botime "IDK".
  9. ^ Shamku-Shkreli L., "Zbulohet fjalori i rrallë i Mustafa Krujës: trinija metodike e Krujës: daktiloshkrimi prej 260 fletësh", Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 4442, 28 dhjetor, 2008, f. XIII - XV.
  10. ^ Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1957 (I), n. 2-3, fq. 70.
  11. ^ Ora e Shqipnisë, 10 Kallnduer (Shkurt) 1928.
  12. ^ Shandoja L., "Mustafa Merlika Kruja", Tomori, 19 Dhjetor 1941 (II).
  13. ^ Kronikë historike; Parlamenti (Italisht)
  14. ^ Marko P., "Intervistë me vetveten" (Retë dhe gurët), "OMSCA", Tiranë 2000.
  15. ^ Radovani F., "Vrasësit e atdhetarit Luigj Gurakuqi", Gazeta shqiptare. - Nr. 4888, 6 prill, 2010, f. 27.
  16. ^ Ndreca A., Mustafa Merlika Kruja, figurë e ndritun e shkencës shqiptare: në 121 vjetorin e lindjes, 55. - Nr. 73, 17 mars, 2008, f. 15.
  17. ^ Shamku-Shkreli L.,"Mustafa Kruja mes Thamusit dhe Derridàs Për herë të parë. Një Mustafa Kruja me anën e panjohur të gjuhëtarit", Shekulli. - Nr. 2078, 14 tetor, 2007, f. 14 - 15.
  18. ^ a b c Ciano G., Diario 1937-1943, kujdesue prej R. De Felice, Rizzoli, Milano 1963, data 11 nanduer 1941, fq. 556.
  19. ^ Jacomoni F., La politica dell'Italia in Albania, nelle testimonianze del Luogotente del Re Francesco Jacomoni di San Savino, Cappelli Editore, Rocca San Casciano 1965, fq. 138.
  20. ^ Umiltà C., "Jugoslavia e Albania", Memorie di un diplomatico, Milano, Garzanti, 1948, fq, 147.
  21. ^ Montanelli I., Një burrë, Corriere della sera, 21 maj 1942. Marrë nga Anthologji Historike - Shkrime e Perkthime nga Mustafa Kruja. Kujdesë nga Bashkim Merlika dhe Roland Sejko, Sejko, Elbasan 2001.
  22. ^ Valentini G., "Mustafa Kruja come studioso", në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 5.
  23. ^ Lok Limthi, "Mustafa Kruja. Perendoi mâ i Ndritëshmi Hyllë i Nacjonalizmës Shqiptare", në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 8.
  24. ^ Dr. Von Thalloczy L., Vëzhgime Iliro-Shqiptare, përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja, "Phoenix", 2004.