Lëvizja e qershorit
Lëvizja e qershorit 1924 ishte reagimi politik i opozitës parlamentare shqiptare, pasuesve dhe intelektualëve që gjeti shkak tek vrasja e Avni Rustemit.[1]
Termi historik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emërtimi "Revolucioni Demokratiko-borgjez i Qershorit" i përdorur gjerësisht nga historiografia komuniste, pas viteve '90 u emërtua "Revolucioni i Qershorit".[2] Duke ruajtur termin revolucion, i rrihej synimit për të evokuar për historiografinë e politizuar komuniste, e po ashtu post-komuniste, një precedent historik analog me Revolucioni i tetorit sipas shembullit rus. Pjesëmarrësit i kanë radhitur kujtimet e tyre në zhanrin e memuaristikës, dhe Ali Këlcyra dhe Sejfi Vllamasi e quajnë thjesht Lëvizja e qershorit.[1][3]
Rrethanat politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Copëtimi i Shqipërisë dhe përpjekja e gjatë e njohjes dhe përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar, po e kthenin Shqipërinë në një “tokë të askujt”. Në skenën politike të kohës ishin krijuar dy blloqe kryesore, ai i bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj, të cilët drejtoheshin jo-formalish nga Ahmet Zogolli, si dhe blloku tjetër i konsideruar si borgjezia e re, me intelektualë të rinj, të shkolluar në Perëndim, me rininë e organizuar në shoqërinë 'Bashkimi', të drejtuar nga Avni Rustemi, si dhe me mbështetjen e emigrantëve shiqptarë të Kosovës të mbledhur rreth Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. [4][5]
Me këtë bazë sociale e strukturore opozita mblodhi rreth vetes figura të shquara që kishin luajtur një rol të dorës së parë në shpalljen e Pavarsisë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau e tjerë. Gjatë vitit 1923, tensionet ishin krijuar midis grupeve fetare, me të krishterët të pakënaqur me ish-zyrtarët osmanë që vazhdonin të përfitonin nga pozicioni i tyre dhe taksat nga pjesët më të pasura të krishtera të vendit duke subvencionuar një qeveri të udhëhequr nga muslimani Ahmet Zogu.[6] Këto tensione nxitën dhe përplasjen kryesore politike midis dy blloqeve, në vjeshtën e vitit 1923 për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, e cila kishte si detyrë përcaktimin e formës së regjimit, caktimin e kryeqytetit dhe në njëfarë mënyre caktimin e rrugës nga do të shkonte Shqipëria.[4]
Zgjedhjet dhe situata paszgjedhore e vitit 1923
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Marrëdhëniet mes kundërshtarëve politikë ishin të ndera që në fushatën e zgjedhjeve të 27 dhjetorit 1923. Ku ndër incidentet e renditura, më të rëndat mbetën vrasjet e kandidatëve Adem Gjinishit dhe Haxhi Isuf Kazazit në Peqin.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 1923 u mbajtën në bazë të një sistemi votimi me dy shkallë, me raundin e parë në Nëntor dhe të dytin që u mbajt më 27 Dhjetor. Në Asamblenë me 102 vende, kandidatët e opozitës fituan 39, ndërsa Zogu me të tijët 44 vende. Pjesa tjetër e deputetëve ishin kandidatë të pavarur konservatorë, që përkrahin kryesisht Ahmet Zogun.[4] Nuk munguan akuzat e të dy palëve për shantazh, vjedhje dhe blerje votash, por megjithë pretendimet e opozitës, rezultatet e zgjedhjeve ofruan një grafi të saktë të klimës politike në Shqipëri. Asnjë nga grupet nuk siguroi dot shumicën, duke treguar ndasitë e mëdha krahinore e fetare të kohës, ku opozita fitoi në Jug dhe në Veri, ndërsa Zogu me pasuesit e tij në Shqipëri të Mesme dhe në Dibër. [4][6]
Kuvendi Kushtetues që kishte dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit u mblodh për herë të parë më 21 janar 1924. Petro Poga u zgjodh kryetar i përkohshëm dhe sekretar Nush Bushati. Ali Këlcyra dhe Luigj Gurakuqi mbajtën një fjalë për rëndësimë e kësaj dite dhe në këtë seancë u mbajtën pesë minuta heshtje si shenjë nderi për kandidatët e vrarë gjatë fushatës, të ndjerët Adem Gjinishi dhe Haxhi Jusuf Kazazi.[5] propozimi i bërë prej Ali Begesë të bahen pesë minuta pushim si shenjë nderi për shpirtnat e të ndyerve atdhetarë Adem Gjinishi dhe Haxhi Jusuf Kazazi. Mbasandaj simbas rregullores së vjetër u ba beja e zakonëshme dhe u formuen komisionet…”
Më 24 shkurt të vitit 1924 Kryeministrit Ahmet Zogu iu bë atentat në hyrjen e Parlamentit nga matjani Beqir Valteri. Meqënëse atentatori ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, pasuesit e Zogut e lidhën atentatin me dhe kryetarin e saj Avni Rustemin. Zogu u tërhoq nga posti i Kryeministrit duke ia lënë vëndin Shefqet Vërlacit. Pavarësisht prej këtyre lëvizjeve politike, situata ishte mjaft e nderë. Në marsin e vitit 1924 qeveria kishte dy kundërshtarë të vendosur, forcat përparimtare të mbledhura rreth Fan Nolit dhe Komitetin e Kosovës.
Ardhja në pushtet e Komitetit Revolucionar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vrasja e Avni Rustemit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fërkimet mes palëve politike u theksuan pas atentatit të Beqir Valterit ndaj Zogut të nxitur nga Rustemi. Organizator i ngjarjes ishte Rustemi dhe të tjerë të implikuar ishin Sali Hidri (Hoxha), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, etj. Rrustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë më 20 prill duke u paraqitur në Kuvend për të kërkuar leje tremujore, pasi kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane.[7]
Pasditen e 20 Prillit, në Varrezat e Pashës (më pas sheshi "Avni Rustemi", Pazari i Ri), Rrustemi u ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë me Hoxhë Kadriun dhe në ato momente ai u qëllua me një plumb nga mullixhiu Jusuf Reçi. Ali Këlcyra e strehoi disa orë në shtëpi dhe më pas e çuan në spital, ku pas një qëndrimi dyditor, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemoragjia. Me vrasjen e Rustemit, armiqësia politike mori hov dhe shërbeu si sebep për organizimet me efekte revolucionare që u bënë për varrimin e deputetit të vrarë.[8]
Varrimi i Avni Rustemit dhe ngritja e Komitetit Revolucionar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe pasuesit e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjën të tërhequr.
Në Vlorë u formua një Komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, i përbërë prej Qazim Koculit, Spiro Kolekës, Koço Tasit e Këlcyrës, për Shqipërinë e Jugut; Luigj Gurakuqit e Xhemal beg Bushatit për Shqipërinë e Veriut. Ky komitet në pak ditë iu kundërvu qeverisë së ligjshme të vendit dhe kKrkoi njohje, pasi kyetari i komitetit i nisi nga Vlora ministrit të Italisë në Durrës, markezit Durazzo, një telegram ku shprehej shpresa për ndihmë morale nga Mussolini.[9]
Futja në lojë e dy garnizoneve ushtarake, të atij të Shkodrës nën komandën e Rexhep Shalës, dhe atij të Përmetit, komanduar nga Kasëm Qafëzezi, si dhe mësymja e forcave të Bajram Currit nga Kruma, bënë që qeveria të largohej nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun dhe pasuesit e tij. Njëzet e katër orë pas fillimit të lëvizjes ngarendës të forcave nga Veriu dhe nga Jugu në drejtim të Tiranës, fuqitë e Lëvizjes, pa zbrazur pothuaj asnjë pushkë, hynë në kryeqytet.[10][4]
Qeveria e Fan Nolit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, ushtrisë, bejlerëve, liberalëve, progresistëve dhe lobit shkodran. Ndërsa Komiteti i Kosovës nuk u përfshi në qeveri. [2]Kabineti qeveritar përbëhej nga:
Anëtari i Kabinetit | Pozicioni |
---|---|
Fan Noli | Kryeministër |
Sulejman Delvina | Ministër i Jashtëm |
Luigj Gurakuqi | Ministër i Financave |
Stavro Vinjau | Ministër i Arsimit |
Kasëm Qafëzezi | Minist
i Luftësës |
Rexhep Shala | Ministër i Brendshëm |
Qazim Koculi | Ministër i Bujqësisë |
Xhemal Bushati | Ministër pa portofol |
Anëtarët e kabinetit përfaqësonin interesa të kundërta, mes tyre mungonte kohezioni, e vetmja gjë që i kishte bashkuar ishte qëndrimi antizogist. Gurakuqi ishte i moderuar, Noli dhe Vinjau ishin më radikalët, Shala dhe Qafëzezi ishin thjesht karrieristë me bindje antiçifligare, por nuk ishin për ndryshimin e sistemit të vjetër.[4]
Gjendja ekonomike dhe politike në Shqipëri në atë kohë ishte tejet e vështirë. Në aspektin ekonomik, Shqipëria vuante nga një prapambetje e theksuar, ku dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia dhe pjesa më e madhe e tokës ishte në pronësi të një numri të vogël familjesh çifligare, që ushtronin dhunë ekonomike mbi fshatarësinë e varfër. Gati 85% e popullsisë jetonte në fshat, vetëm 9% e tokës ishte e punueshme, shtatë familje të mëdha çifligare (Vrioni, Vërlaci, Zogu, Toptani, Libohova, Vlora, Këlcyra) zotëronin 2000 ha tokë, kurse shumica e fshatarësisë kishin në zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare.[4]
Më 19 qershor 1924 qeveria e Nolit shpalli programin e saj ku përfshiheshin reforma të thella sociale dhe politike që kërkonin kthimin e shtetit shqiptar drejt Perëndimit për t’u bërë si kombet e qytetëruara.[4]Kabineti i ri, ndonëse u prit me entuziazëm nga populli dhe u përshëndet formalisht nga qeveritë europiane, nuk arriti të bëjë as betimin zyrtar. I vetmi regjent që kish mbetur, Sotir Peçi, iu shmang këtij akti duke u larguar nga posti për arsye shëndetësore në fillim të korrikut.[11]
Programi dhe puna e Qeverisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Masat e para që mori Noli Kryeministër, filluan nga thjeshtësimi i aparatit shtetëror (deri në 25%), nga ulja e rrogave të funksionarëve (deri në 40%, duke vënë veten në krye), te tentativa për të larguar nëpunësit e diskredituar politikisht e moralisht. Por ai nuk mendoi sa duhet se reformat që do të ndërmerrte, s’mund të realizoheshin duke lënë jashtë shume njerëz të devotshëm të Bashkimit e të Vatrës.[11]
Në 19 qershor qeveria e Nolit shpalli programin e saj, një program reformash me 20 pika, të cilat ishin:
- Çarmatimi i përgjithshëm dhe papërjashtim;
- Dënim i shkaktarëve të kësaj vëllavrasje dhe i agjentëve të tyre kryesorë me përjashtim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera sipas masës së përgjegjësisë së secilit;
- Ristabilizim i qetësisë, i rregullit dhe të ligjit;
- Lartësim i autoritetit të Shtetit mbi ç’do fuqi personale ose ekstralegale;
- Çrrënjosje të feudalizmit dhe vendosje e demokracisë në Shqipëri;
- Reformë radikale e të gjitha degët e administratës civile e ushtarake;
- Heqja e burakracisë tek nëpunësit;
- Sigurimi i të drejtave dhe caktimi i përgjegjsis së nëpunësve me ligj;
- Organizim i fshatrave duke përmirësuar gjendjen e tyre dhe fshatarve;
- Kursime radikale t buxhetit;
- Ndryshim i sistemit të taksave për lehtësuar popullin;
- Përmirësim i gjendjes dhe ekonomisë së bujkut;
- Lehtësim i hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtje e organizim i kapitaleve të vendit;
- Lartësim i figurës së shtetit në botën e jashtme;
- Pavarësi e vërtetë e gjyqësorit;
- Reformë radikale e kanunevet gjyqësore të vjetëruara;
- Rregullimi i rrugëve dhe urave, si dhe kujdes i veçantë për të gjitha komunikimet e shtetit;
- Organizim i Degës së Shëndetësisë për të luftuar sëmundjet;
- Organizim i Degës së Arsimit mbi baza moderne, kombëtare dhe praktike;
- Marrëdhanje miqësore me të gjitha shtetet e veçanërisht me fqinjët.
Qeveria formoi gjithashtu një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave në mungesë, Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë përkrahës së Zogut, në një listë me 196 veta. Qeveria nuk arriti të njihej nga shtetet e tjera dhe konsiderohej jolegjitime, pasi nuk ishte e zgjedhur nga Parlamenti. [12]
Programi i hartuar nga Noli dhe qeveria e tij është vlerësuar nga bashkëkohës dhe studiues. Nolit nuk i mungonte as dëshira dhe as vullneti për ta vënë në jetë programin e tij, por pati një sërë faktorësh që ndikuan negativisht.[4]
Noli kishte kërkuar nga Lidhja e Kombeve një hua prej 300 milionë franga ari, por kjo nuk iu dha. Në lidhje me atë hua të kërkuar, Noli në mbledhjen e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924, mbajti një fjalim që mahniti të pranishmit dhe mediat e botës, por që nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë. [12] Për kushtet e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit shqiptar, programi ishte i parakohshëm dhe siç e tregoi koha i vështirë, për të mos thënë i pamundur për t’u realizuar. [4]
Për gjashtë muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte. As shtetet fqinje, Greqi e Jugosllavi, nuk e njohën qeverinë e Nolit, madje në atë kohë aleate me njëra-tjetrën, shtetet fqinje punuan së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit.[4] Noli bëri thirrje për marrëdhenie të mira me shtetet fqinje, por arriti të zhvillojë marrëdhënie diplomatike vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik. [12]
Qeveria e Nolit mbajti një qëndrim thellësisht kombëtar në politikën e jashtme, duke kundërshtuar pretendimet e fqinjëve ballkanikë, ku Jugosllavia pretendonte të merrte Shën Naumin dhe Vermoshin. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve, Fan Noli hodhi poshtë pretendimet shoviniste të qeverisë serbe-kroate sllovene dhe të asaj greke. Qeveria e Nolit mbrojti me forcë të drejtat e popullsisë çame dhe kosovare dhe mori masa për pritjen e refugjatëve të persekutuar nga qarqet shoviniste.[4]
Largimi i Qeverisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas një qeverisje gjashtëmujore, më 22 dhjetor 1924, nga presioni i forcave të armatosura të drejtuara nga Ahmet Zogu dhe Musa Juka, nga krahu i Veriut, dhe Koço Kota e Myfit Libohova, nga krahu i Jugut, duke e parë të pamundur të mbajë pushtetin, Noli dhe kabineti i tij u vendosën në Vlorë. Në gazetën “Shqipëri e re”, shkruhej: “Qeveria tue lënë Tiranën, u mblodh në Vlonë, e cila u deklarua kryeqytet i hëpërhëshëm i Shtetit Shqiptar”.
Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, qeveritarët e Nolit u kujdesën që të merrnin nga arka e shtetit, shuma të konsiderueshme frangash ari. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të zhvilluar në Vlorë më 25 dhjetor 1925, të drejtuar nga kryeministri, me anëtarë; ministri i Punëve Botore, Qazim Koculi, zëvendësish ministri i Financave Av. Stavri Vinjau dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sulejman Delvina, u vendos që Drejtoria e Financave të Vlorës, të paguante rrogat e nëpunësve të qendrës dhe të qarqeve.Shuma e përgjithshme arrinte në 146 376.20 franga ari.[13]
Dy javë më pas, Ahmet Zogu kthehet në Shqipëri dhe Noli largohet për në Itali, duke i paraprirë një dënimi me vdekje nga qeveria e re e Zogut.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Këlcyra 2012, p. 62
- ^ a b Blendi Fevziu (19 shkurt 2004). "Si ndodhi Revolucioni i Qershorit". Klan (40): 14–15.
- ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 367. ISBN 978-9928-140-54-8.
- ^ a b c d e f g h i j k l Xhoxhi, Ledio (2022-12-02). "Lëvizja e Qershorit dhe Qeverisja gjashtëmujore e Nolit – Dielli | The Sun". Arkivuar nga origjinali më 2023-10-03. Marrë më 2023-10-03.
- ^ a b Memishaj, Enver (2023-02-13). "PËR VRASJET PËR MOTIVE POLITIKE TË ADEM GJINISHIT DHE HAXHI ISUF KAZAZIT". FJALA e LIRË. Arkivuar nga origjinali më 2023-10-03. Marrë më 2023-10-03.
- ^ a b Fischer, Bernd J.; Vickers, Miranda (1996-12-01). "The Albanians: A Modern History". The American Historical Review (në anglisht). 101 (5): 1581. doi:10.2307/2170271. ISSN 0002-8762.
- ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. ISBN 978-9828-106-38-4.
{{cite book}}
: Shiko vlerën e|isbn=
: shifra e kontrollit (Ndihmë!) - ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 47–94. ISBN 978-99943-56-43-0.
- ^ Këlcyra 2012, pp. 469-470
- ^ Këlcyra 2012, pp. 111-112
- ^ a b Jorgaqi, Nasho. "Qeveria e Nolit dhe roli i saj historik". Telegrafi. Arkivuar nga origjinali më 2023-10-03. Marrë më 2023-10-03.
- ^ a b c Fetahu, Adil (2022-09-09). "PROGRAMI I QEVERISË , DHE FJALIMI I NOLIT NË ASAMBLENË E LIDHJES SË KOMBEVE – Dielli | The Sun". Arkivuar nga origjinali më 2023-10-03. Marrë më 2023-10-03.
- ^ Haklaj, Veli. "Publikohen emrat/ Fan Noli e qeveritarët e tjerë, një ditë para largimit, morën franga ari nga arka e shtetit". Shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 2023-10-03. Marrë më 2023-10-03.
Literaturë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Këlcyra, Ali (2012). Frashëri, Tanush (red.). Shkrime për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. ISBN 978-99956-87-81-6.