Bedri Pejani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Bedri Pejani
Anëtar i KEP i ngarkuar për Arsimin
Në detyrë
14 shtator – 4 nëntor 1943
Paraprirë ngaAnton Kosmaçi
Pasuar ngaRrok Kolaj
Të dhëna vetjake
U lind më10 tetor 1885
Pejë, Perandoria Osmane
Vdiq më6 korrik 1946
Prizren, Jugosllavi
Nënshtetësiashqiptar
Punësiminëpunës

Bedri Pejani (Pejë, 10 tetor 1885 - Prizren, 6 korrik 1946) ka qenë figurë politike shqiptare, nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, publicist dhe kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Në cilësinë e kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me nxitjen e kryeministrit Mitrovica dhe ministrit të Brendshëm Xhaferr Deva, ndërmjetësoi me autoritetet ushtarake gjermane për krijimin e divizionit SS Skanderbeg. Studjues e çmojnë të besueshëm pohimin e tij për nxitjen e krijimit të divizionit që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte keq fundi i luftës.[1][2]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 10 tetor 1885 në Pejë të Vilajetit të Kosovës, i biri i Abdi Thaçit.

Shkollën e mesme e ndoqi dhe e kreu në Robert College dhe studimet e larta nё Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Në fillim të viteve 1900 punoi për një shtet të përbashkët shqiptaro-maqedon me Shkupin kryeqytet për shqiptarët dhe Selanikun për maqedonasit.[3] Më 1907 negocioi me maqedonasit për një kryengritje të përbashkët dhe më 1908 mori pjesë në demonstratat xhonturke.[4] Ishte anëtar i klubit "Bashkimi"Shkupit, kryesuar nga Nexhip bej Draga.[5] Më 1908 punonte mësues në Shkup, ndërsa më 1-6 prill 1910 ishte delegat në kongresin e dytë të Manastirit.[3] Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910.[6] Në shtator të 1910 gjykata e Prizrenit e dënon me vdekje në mungesë duke e akuzuar për punë konspirative.[4]

Më 14 tetor 1912, anëtar i komitetit, nënshkroi një memorandum për Fuqitë e Mëdha.[3] U zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, delegat në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Bedri Pejani.[7] Ka qenë anëtar themelues i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, pas themelimit të të cilit emërua sekretar dhe i hartoi programin.[4] Përktheu në gjuhën frënge memorandumet dhe protestat e përpiluar nga Hoxha Kadri në emër të Komitetit, dërguar Konferencës së PaqesParis.[8]

Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër.[4] Anëtar i Krahut Kombëtar, ishte i vetmi kosovar dakord që korrikun e atij viti të shkarkoheshin të dy vaporat me armë të nisur nga D'Annunzio për në Shëngjin.[9] Prillin e 1921 u zgjodh inspektor në Komisionin Central të Federatës "Atdheu", formuar pas mbledhjes më 25-28 prill 1921 në Vlorë; më pas federata u mbyll nga qeveria Ypi.[10] U zgjodh deputet në zgjedhjet 1921, më 1922 u zgjodh kryetar i Partisë Popullore. Po atë vit përjetoi një shok cerebral, arsye për të cilën u dërgua për kura në Napoli, ku më pas u përmirësua.[11]

Mbështeti Lëvizjen e qershorit, dhe për këtë arsye u arratis dhjetorin e 1924, emigracioni i tij politik zgjati deri më 1930,[3] kur u amnistua. Më 1925 si përfaqësues i Komitetit për Çlirimin e Kosovës u bë anëtar i Konare-s.[12] U kthye dhe qëndroi në Shqipëri deri më 1935, ndërsa emri i tij doli në një raport si pjesë e Grupit Komunist të Tiranës si dhe në kryengritjen e Fierit, por pa pasojë për dënim.[13] Më pas shkoi në Francë deri më 1940. U kthye sërish në Shqipëri dhe regjimi i ri e burgosi në Porto Palermo[3] deri më 13 shtator 1943.

Më 16 shtator 1943 ishte ndër themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe u bë figurë qendrore e lëvizjes. U zgjodh anëtar i grupit të Komitetit Kombëtar, si dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm (KEP) i ngarkuar me Arsimin. Më 1943-1944 qe deputet në Asamblenë Kombëtare, dhe nga janari deri në qershorin e 1944 ishte kryetar i Lidhjes sё Dytё tё Prizrenit[3] me inkurajimin e kryeministrit Rexhep bej Mitrovica dhe ministrit të Mbrendshëm Deva; u mor gjithashtu me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për krijimin e Divizionit SS Skanderbeg.[1]

Mbarimi i luftës e gjen në Tiranë, ku u arrestua nga autoritetet komuniste dhe e dorëzojnë te jugosllavët. Më 21 shkurt 1946 gjykata e Prizrenit e dënoi me vdekje, dënimi nuk arrin të zbatohet pasi u helmua dhe ndërroi jetë[3] në spitalin e Prizrenit.[14]

Trashëgimia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1921 u botua në Vlorë në gjuhën frënge një raport mbi krimet dhe grabitjet e bëra shqiptarëve të trevave etnike në Çamëri, Guci, Plavë dhe Rugovë me titullin Les droits de l’Albanie a ses frontieres naturelles. Appel aux nations du monde civilisé.; raporti u përpilua nga Pejani, Kolë Baci dhe Asaf Çami.[15] Po atë vit u botua në Shkodër përkthimi që Pejani kishte bërë në shqipe nga origjinali në frëngjisht memuarin Kujtimet e Hasan Prishtinës. Përkthime të tjetra po nga frëngjishtja vijoi t'i botonte vitet në vijim, si: Japoni modern e shvillimi i tii (Tiranë, 1923) nga Ludovik Naudeau;[16] Historia e përgjithshme (prej Kryengritjes frënge “1789 - 1799” deri më marëveshjet e Lokarnos 1925) (Korçë, 1934) nga Albert Malet dhe Jules Isaak;[17] Demostheni (Korçë, 1934) nga Georges Clemenceau.[18]

I ndihmuar në kohën e emigracionit antizogist si anëtar i Konare-s,[19] më pas u bë anëtar aktiv i Kominternit, ku si i tillë pati korrespodencë të madhe me nofkën Emoraj. Letërkëmbimi i tij ruhet në fondin "Albania: Collection nr. 495, Inventory nr. 188".[1]

Pas kapitullimit të Italisë, këmbëngulja e tij për krijimin e Shqipërisë etnike me çfarëdo mjeti i bëri përshtypje edhe të plotfuqishmit të Gjermanisë naziste në Ballkan Hermann Neubacher.[3][20] Sikurse ishte në stilin e propagandës, Reich-ut iu premtua se divizioni do të mund të mobilizonte 120 mijë deri 150 mijë vullnetarë. Por vetë autoritetet naziste nuk e besonin. Në një telegram të datës 5 maj 1944 të Neubacher drejtuar konsullatës së përgjithshme në Tiranë, Pejani, premtues i kësaj shkalle rreshtimi, cilësohet si "njeri jonormal" ngaqë shifrat ishin demografikisht të pamundura.[20]

Sipas Petro Markos, Babushi - siç e quanin me përkëdheli[1] - i kishte shprehur dhe më pas përmes një promemorieje 13 faqëshe se cilat do të ishin pasojat e kahjes politike që kishte marrë Fronti Nacional-çlirimtar.[21]

Studime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Hakif Bajrami ka punuar një monografi me titullin Bedri Pejani Një jetë e një vdekje për Shqipëri etnike 1885-1946, botuar në Prishtinë më 1994.

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 26 qershor 2012 dekorohet me urdhërin "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi me dekretin nr. 7574, të datës 26. 06 2012, me motivacionin "Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të parreshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë".

Në Pejë një gjimnaz mban emrin e tij.[14]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 273–274. ISBN 978-99956-800-2-2.
  2. ^ Sinani 2009, p. 281.
  3. ^ a b c d e f g h Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 206. ISBN 9789994356225.
  4. ^ a b c d Roszkowski, Wojciech; Kofman, Jan (2016). Biographical Dictionary of Central and Eastern Europe in the Twentieth Century (në anglisht). Routledge. fq. 763. ISBN 9781317475941.
  5. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 49. ISBN 978-9928-140-54-8.
  6. ^ Kansu, Aykut (2000). Politics in Post-revolutionary Turkey, 1908-1913 (PDF) (në anglisht). Brill. fq. 381. ISBN 9789004115873.
  7. ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 99. ISBN 978-99956-10-04-3.
  8. ^ Vllamasi 2012, p. 154.
  9. ^ Vllamasi 2012, p. 222.
  10. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 20–21. ISBN 9789928106384.
  11. ^ Vllamasi 2012, p. 333.
  12. ^ Dervishi 2016, p. 47.
  13. ^ Dervishi 2016, pp. 63-64.
  14. ^ a b Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 246. ISBN 9789928440358.
  15. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 70–71. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 4 shtator 2021.
  16. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 78.
  17. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 617.
  18. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 626.
  19. ^ Vllamasi 2012, p. 420.
  20. ^ a b Sinani 2009, p. 275.
  21. ^ Marko, Petro (2000). Retë dhe gurët: Intervistë me vetveten. Omsca. fq. 444. ISBN 9789992740330.