SS Skënderbeu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Emblema e regjimentit

SS "Skanderbeg" ─ emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1) - ishte një regjiment i trupave elitë SS i përbërë nga shqiptarë.

U krijua në periudhën mars-prill-maj 1944 si pasojë e një veprimtarie të shumtë si me divizione tjera të trupave SS, ashtu dhe të dhjetëra çetave vullnetarësh ustashë, çetnikë, ballistë të cilët qendronin të armatosur duke llogaritur ç'do të ndodhte me të mbaruar lufta. Datë zyrtare të formimit të tij nuk ka, sepse, siç dëshmohet nga burimet zyrtare, rekrutimi dhe dezertimet mbetën proces i hapur, për shkak të dezertimeve, deri në nëntor 1944, kur divizioni u shpërnda[1]. Për herë të parë ky divizion mori detyrë veprimi më 7 maj 1944, të siguronte "rendin dhe qetësinë e brendshme në Kosovë". Propozimi për themelimin e divizionit u bë nga krerët e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit" dhe personalisht nga Bedri Pejani. Në mënyrë të beftë, kur nisi të dukej se luftës po i vinte fundi, për shkak të situatës së ndërlikuar në Kosovë, në ish-Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan, ai renditet skajshmërisht djathtas, duke marrë përsipër mobilizimin e rinisë së Kosovës në formacionin e ushtrisë së Reich-ut, trupat elitë SS. Me inkurajimin e R. Mitrovicës gjatë kohës kur qe kryeministër, Pejani merr përgjegjësinë e krijimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe pastaj me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për marrjen e vendimit për krijimin e Divizionit SS Skanderbeg, i njohur terminologjikisht si Divizioni i 21-të Waffen (malor)[2]. Ky Divizion komandohej nga SS-Brigadeführer Josef Fitzhum (prill 1944); e më vonë prej SS-Brigadeführer August Schmidthuber (maj-nëntor 1944), i cili plotësohej nga ndihmësi i vet SS-Obersturmbannführer Alfred Graf. U shpërnda në nëntor 1944, kurse shtabi dhe trupat gjermane të tij iu bashkëngjitën Divizionit "Prinz Eugen" (i njohur ndryshe si Divizioni VII malor), nga i cili pat ardhur komandanti August Schmidthuber. Krerët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit nuk e patën të lehtë t'ua mbushnin mendjen sutoriteteve naziste për të marrë vendimin e themelimit të Divizionit SS "Skanderbeg". Führer-i vetë s'kishte fare bindje, Himmler dushonte akoma më shumë, Hermann Neubacher nuk shpreh kurrfarë entuziazmi, por, më në fund, vendimi u mor. Divizioni do të mbante emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve, "Skanderbeg", sipas shqiptimit perëndimor; do të kishte uniformën dhe shenjat e veta të përveçme dhe do të shënjohej si formacion alpin. Ai do të armatosej, vishej e ushqehej nga të njëjtat burime si gjithë ushtria naziste, si dhe do të stërvitej e komandohej nga oficerë nazistë gjermanë. Sikurse ishte në stilin e propagandës naziste, Reichut iu premtua se divizioni do të mund të mobilizonte 120 mijë deri në 150 mijë vullnetarë. Por vetë autoritetet naziste nuk e besonin këtë fantazi. Në një telegram të datës 5 maj 1944 të H. Neubacher-it drejtuar konsullatës së përgjithshme në Tiranë[3], Bedri Pejani, premtues i kësaj shkalle rreshtimi, cilësohet si "njeri jonormal". Këto shifra ishin demografikisht të pamundura. Gjatë më pak se nëntë muajve veprimtari të këtij divizioni, që prej fillimit të rekrutimit, deri në shpërndarjen tërësore (nëntor 1944), u paraqitën 11389 veta, nga të cilët më shumë se gjysma nuk u pranuan nhërbim, për shkak të mosplotësimit të kushteve të gjendjes shëndetësore. Rekrutimi vazhdoi për një kohë të gjatë. Në shtator '44 divizioni kishte 6491 vullnetarë[4]. Një pjesë e tyre ishin vullnetarë në kuptimin e plotë të mëhershëm të fjalës, domethënë, pasi kishin marrë armatimin dhe pajimet, qendronin në shtëpi, në pritje të komandës për të marrë pjesë në ndonjë veprim ushtarak përreth. Vetë komanda naziste njofton dezertime të përditshme. Njëmijë vullnetarë shqiptarë dezertuan qysh në ditën e parë të thirrjes nën armë, duke u larguar nga kishin ardhur sapo morën armatimet. Neubacher përshkruan në kujtimet e veta:

"... këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë, dhe pastaj ia mbathnin për në shtëpitë e tyre; madje dhe këpucët e pajimet i hedhin shkurreve, sepse janë mësuar të ecin me opinga"[5].

Deri në fund të shtatorit '44 statistikisht kishin dezertuar 3425 vullnetarë shqiptarë dhe kishin mbetur vetëm 3994 rekrutë të gatshëm, edhe këta jo të gjithë nën armë[6] Neubacher vërente se qëllimi i shqiptarëve nismëtarë për themelimin e këtij divizioni është "për të mposhtur serbët e malazezët" (telegram i datës 5 maj 1944)[7]. Nën komandën naziste kanë vepruar kundër shqiptarëve dhe, në një rast të vetëm, kundër malazesve, gjatë operacionit "Draufgenger" (korrik-gusht 1944)[8]. Themeluesi i divizionit është i besueshëm kur thotë se e nxiti krijimin e këtij divizioni që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte rasti i keq, fundi i luftës, një fund që mund të vinte me të papritura të mëdha, me duart lart[9]. Rreshtimet e ndërlikuara në frontin e luftës në ish-Jugosllavi parathoshin se mund të niste një konflikt ndëretnik pas lufte. Vërtetohen plotësisht pohimet e tij se, në të vërtetë, aq vullnetarë sa u rreshtuan në Divizionin SS "Skanderbeg", nuk ndryshuan gjë në raportet e rreshtimit të shqiptarëve të Kosovës, sepse numri i arritur i vullnetarëve nuk i kalonte 4 mijë shqiptarët e kthyer prej kampeve naziste të punës e përqendrimit, ku gjendeshin ndërkaq për shkaqe të ndryshme, dhe pjesëmarrja në këtë divizion u jepej si një mundësi e vetme për të dalë në liri, plus rreth 2 mijë të tjerë, që kishin qenë të mobilizuar më parë në Divizionin "Handžar" në Bosnjë[10]. Në telegramin e datës 10 maj 1944 drejtuar Reisführer-it SS në Berlin nga komanda naziste lokale thuhet se "robërit shqiptarë të luftës arritën" dhe se "një pjesë e madhe e tyre është e gatshme të inkuadrohet në Divizionin "Skanderbeg"[11]. Kthimi i shqiptarëve të internuar e burgosur në Gjermani për këtë qëllim qe kërkuar tri javë më parë, me letrën e datës 15 prill 1944, në të cilënn, duke iu referuar marrëveshjes për krijimin e Divizionit SS "Skanderbeg", kërkohet që të përfshihen në këtë kategori edhe shqiptarët që gjenden në Dachau[12]. Pjesa tjetër, mbi shifrën 6 mijë, thjesht mori armën dhe u kthye në shtëpi. Në të vërtetë, marrëveshja për themelimin e Divizionit SS "Skanderbeg", ndërsa jepte garanci agjitative për një mobilizim të përgjithshëm, me rregullat që vendosi e pengonte një gjë të tillë: familja shqiptare që kishte më pak se tre djem nuk kishte detyrim të jepte vullnetarë për luftë; familja shqiptare që kishte më shumë se tre djem, por një pjesëtar i saj gjendej në shërbim civil a ushtarak në administratën e vendit, gjithashtu përjashtohej nga detyrimi për mobilizim[13]. Fakti që në marrëveshje qe parashikuar se mund të thirreshin për rekrutim vetëm brezat 18-24 vjeç provon se premtimi për një armatë naziste dhjetëra e qindramijëshe në Kosovë ishte matematikisht një mashtrim demagogjik. Madje statistikisht mund të thuhet që, nëse në afro 6300 rekrutë të pranuar në këtë divizion, në përbërje të tij mobilizuan mbi 4 mijë shqiptarë të kthyer prej kampeve të punës dhe përqendrimit në Gjermani dhe mbi 2 mijë të tjerë u zhvendosën prej një divizioni bosnjak, vullnetarë s'ka. Në statutin e Divizionit SS "Skanderbeg" ishte ndaluar rreptësisht zotimi i forcave të tij ushtarake jashtë hapësirës së Shqipërisë së kohës së luftës, atje ku nuk kishte shqiptarë[14].

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare", Prishtinë 1998, f. 284. Shih M. Shatri, "Kosova në Luftën e Dytë Botërore", Prishtinë 1997, f.195.
  2. ^ "Vjetari" XXIV, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1988, f. 262 e vijim
  3. ^ "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare", Prishtinë 1998, f. 233. Shih M. Shatri, "Kosova në Luftën e Dytë Botërore", Prishtinë 1997, f. 195.
  4. ^ "Raport sumar (përmbledhës) për formimin dhe gjendjen në Divizionin Waffen 21 SS Skanderbeg", tepër sekret, nr. 175/44, 2.X.1944, botuar në "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë 1941-1944", përgatitë nga dr. H. Bajrami, Prishtinë 1998, f. 262. Shih dhe: Noel Malcolm, "Kosovo - a Short History", London 1998, p. 309.
  5. ^ Ibidem, f.260-261.
  6. ^ Ibidem, f.267: "Deri më 1 tetor 1944 kanë dezertuar 3425 shqiptarë pjesëtarë të forcave SS gjermane.
  7. ^ "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944", Prishtinë 1998, f.233-234.
  8. ^ "Raport i Divizionit të 21-të SS malor "Skanderbeg: prej 1 gushtit të v. '44 (drejtuar) Komparmatës së 21-të malore për veprimet dhe rezultatet e operacionit "Draufgenger" në territorin Andrijevice-Berane-Morinë", tepër skret, nënshkruar nga komandanti i Divizionit August Schmidthaber, botuar në "Vjetari", 1988, XXIV, f. 193-218. Dokumenti mban indeksimin protokollar nr. 79/44, datë 1.8.1944. Shih për më gjerë edhe dokumentin dr. 219 botuar shqip në "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë 1941-1944", përgatitë nga dr. H. Bajrami, Prishtinë 1998, f. 259.
  9. ^ "Bedri Pejani, në cilësi të kryetarit të Lidhjes së Dytë Nacionale të Prizrenit, i ka dërguar shkresë Führer-it, në të cilën, mes të tjerash, lutet të bëhet e muindur armatosja e 150 mijë vullnetarëve, përmes të cilëve ai synon të mposhtë serbët e malazezët" - telegram i Neubacher (rezervat) nr. 864, datë 5 maj 1944; botuar shqip në "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944", Prishtinë 1998, f. 233-234.
  10. ^ Bedri Pejani, diskutim para gjyqit të popullit më 15.02.1946 në Prizren, botuar në "Vjetari" XXIV, f. 249-261, Prishtinë 1988: "Do të shkëputen nga divizia SS e Bosnjes e do të kthehen në Kosmet 2500 ushtarë që ishin rekrutue në prefekturën e Mitrovicës më 1942; do të kthehen në Kosmet ma se 4000 shqiptarë që gjenden nepër llogoret e Gjermanisë si robër lufte", f. 275
  11. ^ "Arritën robërit shqiptarë të luftës. Pritja solemne pati efekt të mirë. Një pjesë e madhe e tyre është e gatshme të inkuadrohet në divizionin "Skanderbeg" - telegram i komandantit Fitzhuum datë 10 maj 1944, botuar shqip në: "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944", Prishtinë 1998, f. 234.
  12. ^ "Zëvendësministri i punëve të jashtme Frashëri ka paraqitur kohë më parë dëshirën e qeverisë së tij që shtetasit civilë shqiptarë që janë internuar në kampet gjermane të përqendrimit, si për shembull në Dachau, të transferohen në Shqipëri" - letërkëmbim i ministrisë së punëve të jashtme të Reich-ut të 3-të drejtuar Gestapo-s dhe shërbimeve tjera të sigurimit, 15 prill 1944, botuar shqip në "Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944", Prishtinë 1998, f. 224.
  13. ^ Bedri Pejani, diskutim para gjyqit të popullit më 15.02.1946 në Prizren, botuar në "Vjetari" XXIV, Prishtinë 1998: "Çdo shtëpi shqiptare që nuk i ka tre meshkuj të afë për luftë përjashtohet nga shërbimi", f. 276.
  14. ^ "Raport i Divizionit të 21-të SS malor "Skanderbeg" prej 1 gushtit të vitit 1944 (drejtuar) Komparmatës së 21-të malore për veprimet dhe rezultatet e operacionit "Draufgenger në territorin Andrijevice-Berane-Morinë", tepër sekret, nënshkruar nga komandanti i Divizionit August Schmidthaber, botuar në "Vjetari", 1988, XXIV, f.219-234.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]