Jump to content

Lidhja e Dytë e Prizrenit

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lidhja e Dytë e Prizrenit - me nismën e Xhafer Devës, Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Qazim Bllacës dhe Pjetër Vuçajt, më 11 shtator në Bujan te Malesise se Gjakoves / Tropoje u organizua një mbledhje për të shqyrtuar situatën e krijuar pas kapitullimit të Italisë dhe nevojën e ngutshme të ngritjes së nji ndërlidhjeje e marrëveshjeje midis krahinave të ndryshme të ish Jugosllavisë, ku jetonte popullsia shqiptare dhe myslimane. Këtë qëllim kishte thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me përfaqësues të viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit dhe anëve tjera.[1] Mbledhje u organizua në shkallë kuvendi ( në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit) dhe zhvilloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe Ulqinin.[2]

Prizren

Kuvendi u mbledh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekyekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej: Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.[3]

Kryetari i Këshillit Ekzekutiv Z, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej Kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari. Me votim të fshehtë Z. Musa Shehu zgjidhet Kryetar i kongresit, Z.Aqif Blyta nënkryetar, Rexhep Krasniqi nënkryetar. Ndërsa sekretar i Kongresit u emërua Z. Bedri Gjinaj.[4][5]

  • Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Krytar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Krytar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet "Lidhja e Prizrenit", në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës. 
  • U themelua me vendim të një kongresi të posaçëm të thirrur në qytetin historik shqiptar më 16-19 nëntor 1943[6]. Por, sipas disa studiuesve, "prvih dana maja 1941 godine iz Albanije je stigao takozvani Kosovski komitet, "Albanski narodni savez", sa predsednikom Bedri beg Pejanijem na ćelu" e inkurajuar nga kryeministri Shefqet Vërlaci[7]. Ndryshimi në kalendar në këtë rast nuk është me disa ditë apo muaj, por me vite. Deri më 13 nëntor 1943 Bedri Pejani ishte i internuar në kampin e Porto-Palermos në jug të Shqipërisë[8][9].
  • Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t'u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëheqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë. Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogën në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Tahir Zajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike për mbrojtjen e Kosovës, Bruxelles 1964, 35 ss
  2. ^ Zekeria Cana, Shpalime Historike, pjesa e dytë, Libri Shkollor Prishtinë 1998, faqe 542
  3. ^ Zekeria Cana, Shpalime Historike, pjesa e dytë, Libri Shkollor Prishtinë 1998, faqe 543
  4. ^ Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faq 98.
  5. ^ Zekeria Cana, Shpalime Historike, pjesa e dytë, Libri Shkollor Prishtinë 1998, faqe 548
  6. ^ "Vjetari" XXIV, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1988, f.266.
  7. ^ Dźeletoviċ, Ivanov P.: "Jevreji Kosova i Metohije", Beograd 1988, st. 70)
  8. ^ "Vjetari" XXIV, 1988, f.266.
  9. ^ Shaban Sinani: Hebrenjtë në Shqipëri - Prania dhe shpëtimi, "Naimi" Tiranë 2009, f. 274