Lef Nosi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Lef Nosi
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë

Ministër i Postë-Telegrafes (4 dhjetor 1912- 21 shkurt 1914)

Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943)

Anëtar i Regjencës
(1943 - 1944)

Lef Nosi 2.JPG

Emri: Lef
Mbiemri: Nosi
Lindi më: 9 prill, 1877
Vendlindja: Elbasani, Perandoria Osmane
Vdiq më: 20 shkurt, 1945
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
Profesioni: Politikan, folklorist, numizmat, arkeolog.

Lef Nosi (1877-1945) (lindur Elefter Nosi), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan shqiptar. Njihet si babai i filatelisë shqiptare, personalitet me interesa të gjëra kulturore. Veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Pranë Arkivit Qendror Shtetëror tërësia e letrave të ardhura në adresë të tij arrin më tepër se 1200, mes tyre edhe me Norbert Joklin, Holger Pedersenin por edhe të rinj që e shihnin me admirim si Qemal Stafa.[1]

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në qytetin e Elbasanit9 prill të vitit 1877 në një familje të kamur ortodokse[2] në lagjen "Kala", djali më i vogël i Siljanit dhe Anës ndër tetë vëllezër e motra, në një familje që shquhej për fuqinë ekonomike.[3] Sa i përket origjinës shkruan në një letërkëmbim:

"Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut. Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me tëvetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë."
Mbiemnin Kapidani e gjejmë në kodikun e motshëm të kishës së Shën Mërisë në vitin 1784 e faqe 167….
Ashtë edhe në vitet 1812 e 1814 faqe 192 e 193….
… Një gjë që provon që Nost janë t’ardhun nga Greqia asht një ngjarje që më kallzon im vëlla Gregori.
Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndigjue nga i ati se i pari i familjes “Nosi” kishte pasë qenë “Kapidani i një anie e pasi kjo i kishte mbytë, nga Korfuzi ishte hudhë e kishte dalë mëktanë. Kishte ardhë e kishte zanë vend ktu n’Elbasan e prandaj i kishin quejtë Kapideni. Mirëpo nuk më gjanë të jetë kështu.
Emri kapidani asht ma fort nji titull nderi të cilin kur ishja më i vogël përdoresh edhe kapidan. U thoshin muhamedanët e Elbasanit të krishtenvet të pasun e me randësi në shoqëni. Edhe në katundin Golomesh të Lushnjës e kam ndigjue…”

Tërthorazi ai zbulon diçka edhe për jetën e tij, ndërsa thotë se mbiemrin “Nosi” e hasi në formën e tij greke, kur në 25.7.1934 udhëtonte bashkë me gruan e vet të sëmurë në Greqi. “Bashkë me time shoqe, gruan e parë që kysha sëmunë në grykë të Salaminës kundrejt Pireut…”.

Ai jep të dhëna më të gjera për familjen Nosi. Tregon për dy të afërmit e tij, Jançi e Nosi, “të bijtë e të cilëve nisë tregtinë” dhe “Patën një dyqan në shtëpi e pastaj dolnë në Pazar. Shkonin për mall në Venecia…”.[4]

U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia.

Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar ishte një shtet laik. Pikat e tjera të programit tregojnë se për organizimin e brendshëm, me zgjedhje, përfaqësues dhe administratë, programi ishte mbështetur gjerësisht në traditën e popullit shqiptar[1]. Në shërbim të çështjes shqiptare, arsimit dhe kulturës kombëtare Lef Nosi, ndërmerr një udhëtim në SHBA, Filadelfia, në maj 1908.[3]1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit "Vllaznia" në Elbasan.

Merr pjesë në Kongresin e Manastirit; historiani Kujtim Bevapi shton se Lefi ka qenë partizan i Dom Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, në variantin shkodran të hartimit të alfabetit gjuhës shqipe. Si kryetar i shoqërisë “Afërdita” në Elbasan (1909), Lef Nosi kërkoi që Kongresi i Manastirit të mbahej në Elbasan, por nuk u pranua. Vajti gjithsesi në kongres, por pa të drejtë vote.[5] Kjo shoqëri krijoi edhe bandën muzikore të Elbasanit me emrin e shoqërisë në fjalë, çfarë ndikoi në gjallërimin e jetës qytetare. Një vit më vonë, botoi gazetën "Tomorri" ku ka përkrah Aleksandër Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ishte një nga figurat qëndrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Në këtë kohë ai ishte mësues i shkollës shqipe të mbrëmjes. Gazeta “Liria” e Selanikut, ku ai ishte korrespondent që nga viti 1908, shkroi: “U hap një mësonjëtore nate dhe mësimi po ecën rregullisht. Mësimet e natës janë këto: mësim gjuhe, histori dhe shkronjë, letërkëmbim, e cila mësohet nga ana e z. Lef Nosi, Fot Papajani dhe Josif Haxhimima”. Pikërisht në këtë kohë u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi francez “Koha” dhe “Turqia”: “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike”, “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme”[6] bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital.[5] Drejtori i Shkollës Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan nga ekspedita ndëshkimore e Shefqet Turgut pashës që kishte vepruar në gjithë Gegninë. Katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910. Përballë kësaj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohesh jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Europës.

Bisedojeni ketê çeshtje me miqt’ e atjeshme dhe shkruamëni që të di. Jam gatî dhe unë dhe z. Faik bej Konitza të vemi të gjithë në Svicerë dhe të bêhemi të gjithë profesore atje dhe të gatitim një racë te ré për Shqipërine e nesërme.”

Shkolla nuk u transferua jashtë por qëndroi mbyllur afro 18 muaj për t’u hapur nga marsi i vitit 1912. Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij. Do të lirohej nga internimi 9 muaj më vonë për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij në mesditën e 9 prillit 1911.[1] Në maj 1911 A.Xhuvani do t’i shkruajë atij nga Kajroja se duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe nëse do të merret me gazetën “Tomorri” duhet të largohet nga Elbasani. Por, Lef Nosi nuk tërhiqet nga rruga e nisur. Me forca të reja i hyn punës së tij fisnike të mbledhjes, gjurmimit të dokumenteve historike, antikave, koleksioneve të rralla, filatelisë, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike dhe ballkanologjike. Në mënyrë të veçantë mbledh një material të pasur folklorik, si Cikli i Kreshnikëve, këngët legjendare, baladat etj.[3] Shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe klube të tjera brenda trojeve amtare. Në vijim punoi dhe hartoi “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit.

Më 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mit’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal Karaosmanin. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me një pjesë të delegacionit të Kosovës, iu bashkuan delegacionit e prijësit të historisë, Ismail bej Vlorës, te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit. Në 28 nëntor, Lef Nosi dhe Shefqet bej Daiu shkëmbyen disa telegrame me Elbasanin, duke i nxitur që dhe ata, ashtu si Durrësi, të ngrinin flamurin. “Ngrini-e sa ma shpejt. Mbë nj’anë i dërgoni ushtëriës serbe komision të posaçëm e më tjetërt anë flamurin nuk e ngrini. Si bahet kjo punë?!”, – pyeste telegrami i Lef Nosit. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Në 4 dhjetor, me votimin me dytë, ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i qeverisë si Ministër i Post-Telegrafit. Sipas baroneshës Marie Amelie Freiin von Godin, dëshmitare okulare e ngjarjes së shpalljes të pavarësisë, Lef Nosi “dallohej për një atdhetarizëm të padyshimtë”.[7] Sipas arkivave të mbajtura nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ishte një nga nismëtarët themeltarë për vendosjen e një sherbimi informativ (rrjet spiunazhi)

Lef Nosi në vitet e para të shek.XX

ku me «urdhnin e ditës të 4 shëndre 328/912, pika 6 thuhet: "Të organizohet nji Shërbim i Msheftë për viset e shkeluna të Shqipnis." [...] ene Lef Nosi për m'u marr vesh me Dibrën».[8]

Nën drejtimin e tij Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash ndër të cilat padyshim më interesanti është Emisioni i Tretë. Ky emision përbëhet nga pullat turke të kohës të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin Shqipënia. Pulla me vlerë 50 piastër, nga e cila janë emetuar vetëm 16 copë, është shitur në ankandin Chrystone të pullave të rralla 26.000 euro në vitin 2008.[5] Më 28 nëntor 1913, ditën e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, nga Vlora iu drejtua nëpunësve të zyrave “Postare e Telegrafike” të Beratit, Fierit, Lushnjës, Skraparit, Mollasit, Elbasanit, Qukësit, Starovës, Lezhës, Shëngjinit e Shkodrës: “Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajt na e kishin grabitun që nga sot pesëqind vjet asht me e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin shqiptar. Sot stërgjyshënit tonë qi derdhën gjakun pa kursim për të mos humbur atë, çojnë kryet nga varret edhe marrin pjesë në këtë kremtim të ngazëllyem, edhe vlleznit tonë qi mbetën ndën zgjedhën e anmiqëvet, kremtojnë me zemër bashkë me ne tyke pritur qi sot mot mot të jenë bashkuar me amën Shqipënië. Tyke i lutun Zotit qi të mbushi gjithë shpresat e dëshirët tona ju uroj mot gëzuar ditën e sotme”.[9] Nga ish-qeveritarët e përkohshëm në delegacionin prej 34 shqiptarëve, që morën pjesë në përmortjen e Franc Jozefit kanë qenë: Imzot Nikollë Kaçorri-përfaqësues i Durrësit; Lef Nosi-përfaqësues i Elbasanit, Hasan Prishtina përfaqësues i Durrësit. Po kështu, Elefteri ka qenë delegat i Elbasanit në grupin e shqiptarëve që shkuan në Nojvid, të mbreti (16 vetë), për të takuar princ Wied-in dhe uruar me rastin e caktimit të tij princ i Shqipërisë, ku ishte edhe ish-qeveritari tjetër i Vlorës, Hasan Prishtina, si përfaqësues i Durrësit. Lef Nosi, më 1914 ka burgosur në Durrës, ndihmësin e tij, Xhemal Deliallisi, caktuar pranë tij nga qeveria e Vlorës. Ka qenë në delegacionin e Elbasanit që u caktuan për pritjen e princ Wied-it, kur erdhi në Durrës, në mars 1914. Pas largimit të princit dhe zhurmës që po krijonte Esad Toptani, ka shkuar në Shkodër më 1914, ku ishte edhe Aqif pashë Elbasani, për arsye të rrezikimit të jetës nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme por dhe nga represioni serb. Më 26 shkurt 1918 ka nënshkruar dokumentin e protestës kundër Dr. Rizofit, ministër i Bullgarisë në Berlin, i cili në një libër që botoi shkaktoi trazim të madh për copëtimin e Shqipërisë. Në 25 dhjetor 1918, Lef Nosi ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit së bashku me Shefqet bej Vërlacin dhe Ahmet Daklin. Propozoi t’i dërgohej një përshëndetje falënderimi qeverisë italiane “për ndihmë qi asht tyke i bamë Shqipnís”.[7] Në 1919 zgjidhet si një nga delegatët për në Versajë, perkrah me Mehmet bej Konicën, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, Imzot Luigj Bumçin etj.

Në vitet 1918-1919 Lef Nosi ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës.[7] Mbërriti në Durrës më 14 maj 1920 dhe prej aty ka shkuar në Elbasan më 18 maj, së bashku me Mehdi Frashërin që kishte familjen te Dervish bej Biçakçiu. Ka përkrahur Aqif pashën, së bashku me Ahmet Daklin gjatë gjithë kohës. Edhe më 1922, pas rrëzimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, kur Ahmet Zogu urdhëroi dëbimin në emigrim të pashës dhe shpërndarjen e fuqisë së tij të armatosur, Nosi i qëndroi përkrah, si këshilltarë i përhershëm i tij. Në vitet 1921-1923 ka bashkëpunuar me miqtë e tij, në federatën “Atdheu”, ku bënin pjesë Ahmet Dakli, Avni Rustemi, Halim Xhelo, Karl Gurakuqi, Koço Grameno dhe kosovari Bedri Pejani. Lef Nosi, me mikun e tij, Ahmet Daklin, kanë qenë në grupin politik “As i beut as i pashës”, të cilët dështuan në zgjedhjet e viti 1923, Me Revolucionin e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit. Kryeministrin e gjysmës së dytë të atij viti, Fan Nolin, e kishte mbështetur që kur u bë prift që të hidhte themelet e Kishës Autoqefale me të në krye.[10] Fan Noli, i pati dhuruar Lef Nosit violinën e Fishtës dhe qenin e tij, para largimit nga Shqipëria. Tërhiqet nga jeta politike me "Fitoren e Legalitetit" në dhjetor të 1924 dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë.[5]

Më 18 dhjetor 1934, ministri i Arsimit Ivanaj me ndërmjetësinë e Inspektorisë së Arsimit i kërkonte Nosit të përshkruante hollësisht flamurin e ngritur më 28 nëntor 1912. Në përgjigjen e tij mbas dy ditësh Nosi shkruante se "flamuri ishte prej stofi të mëndafshtë, që në tregti quhet atllas, në ngjyrë të uthullës. Shqiponja asht si e sotmja, me dy krena e me dy krahë të ndemë, premë nga nji copë sateni të zi dhe ngjitun për flamur.[11] Botoi revistën historike "Dokumenta historike për t'i sherbye histories tonë kombëtare" dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarsisë të vj.1912, me rastin e 25 vjetorit. “Rastet e mira dhe kujdesi qi kam pasun, u banë shkak me futë në dorë dal nga dalë, nji numër të math dokumentash, të cilët janë një visar i paçmueshëm i Rilindjes tonë Kombëtare”, shkruan Nosi në parathënien e botimit të parë të revistës. Botimi i dokumentave u nxit nga shqetësimi i tij se mos i humbiste ose nga droja se mos dëmtoheshin. Revista (Fletorja e quante Nosi) ishte e përmuajshme. Me anën e saj, ai synonte të nxiste dhe botimin e dokumenteve të tjera, të cilat mund t’i zotëronin njerëz që ua kishte “sjellë puna me u ra në dorë”. Shumica e dokumenteve ishin në gjuhën osmane. Ai botoi vetëm përkthimin e tyre me shpresën se në të ardhmen mund të realizonte botimin e origjinaleve në një libër të veçantë. Ky botim që nuk u realizua, për shkak të historisë së trazuar të Shqipërisë dhe fatit të tragjik të Lef Nosit. Ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali i dokumentit që duhet të kishte indeksin “Fondi 1, Viti 1912, Dosja 1, Fleta 1”, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Nuk dihet ku është. Në arkivë ndodhen vetëm kopje të tij. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të Lef Nosit, fati i të cilave është gjithashtu ende i pasqaruar. “Një pjesë u vodh. Studiues që sot mbahen “profesorë” në kohën kur nuk lejohej njeri t’i prekte studimet e tij, i vodhën ato dhe morën tituj të pamerituar”, shkruan historiani Kastriot Dervishi.[7] Ka pasë një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohuna të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë; ndër këto personalitet qe dhe studiuesja skoceze Margaret Hasluck. Qëndroi në Shqipëri nga 1923-'39, duke përshkuar viset e skajshme të vendit për 13 vjet e apasionuar mbas folklorit e traditave shqiptare. Personalitetet e kohës, sikundër dhe miku i saj më i afërt, Lef Nosi, e kanë cilësuar si gjeografe, gjuhëtare, epigrafe, arkeologe, dijetare, etnologe e kulturës shqiptare. Margaret Hasluck në vitin 1932 botoi librin “Albanian – English Reader”. Në të përmblidheshin 16 histori folklori të përkthyera me dy gramatika dhe fjalorë.[12] Në kujtimet e Margaret nënvizohet se “pa përkrahjen e Lef Nosit nuk do të mund të kishte nxjerrë në dritë shkrimet e saj”.[5] Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (1761) i njohur ndryshe si Anonimi i Elbasanit vjen nga manastiri orthodoks i Shën Jon Vlladimirit në fshatin Shijon të Elbasanit. E mori në pronësi para ose gjatë Luftës së Dytë Botërore.[13]

Gjatë Luftës së Dytë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Lef Nosi para gjyqit

Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet n'atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit'hat Frashërin, etj. për të shuguruar lëvizjen e Ballit Kombëtar,[14] me bashkëdrejtuesit e të cilit do kishte edhe mosmarrëveshje.[15] Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia e e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. Erdhi të banonte në Tiranë, në hotel “Dajti”. Mbasi një mik i tij, Hafiz Musa Basha e ka pyet se ç'e shtyu në atë moshë me u marrë me politikë, thuhet të ketë thënë mes miqsh "Merrem me politikë se çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile".[16] Për këto pjesëmarrje Balli Kombëtar e përjashtoi nga organizata, tok më Ismail Sefën.[15] Në vitin 1943 u bë kryetar i Asamblesë Kombëtare, tetorin e po atij viti, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarësia që i morën fashistët. “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”, deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjanës. Ndihmon në shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve. Institucioni Yad Vashem i ka njohur më 1992 këto anëtarë të familjes Nosi si Fisnikë të Kombeve.[17] Mbasi u tërhoqën gjermanët e komunistat avanconin shkoi të fshihej me Atë Antonin ndër malet e veriut, i veshur si frat. Në tetorin e '44 ndodhej në Kuvendin Françeskan. Duke mos mundur të jetonte ndër malet e Pultit e çuan me jetue në fshatin Kir, ku u zbulua shpejt se s'ishte frat. Sipas rrëfimit të nipit të tij, Lef Nosi, gjatë kohës që ishte në arrati, mbante në dorë një bllok ku kishte të shkruar të gjithë biografinë e tij.[7] E përcollën për në Tiranë,[18], gazeta “Bashkimi” njoftoi se më 1 fruer 1946 hapet gjyqi kundër regjentëve dhe kryeministrit, duke përmendur Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarakë. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues kryesohej nga major Irakli Bozgo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska. Mikja e tij skoceze i shkruan një letër Enver Hoxhës",

"Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.
Me nderime të nalta, shkëlqés
Margaret Hasluck "[5]

Pavarësisht presioneve e përuljeve që i bëheshin nga trupi gjykues "gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj. shpjegon dhe dallimin mes gjeneralit francez që u dënua si kolaboracionist dhe anëtarëve të regjencës." ai u shpjegoi se ka qenë i internuar shtatë muaj në Romë nga Italia fashiste; se ka qenë i njohur dhe madje mik me Mit’hat Frashërin për shkak të prirjeve në fushën e letrave; se u bashkua me Ballin Kombëtar, mbasi ajo organizatë iu afrua më herët se lëvizja komuniste në Shqipëri dhe se për krimet e bëra kur ai ka qenë regjent, faji nuk është as i Nosit e as i Regjencës, por i Qeverisë dhe posaçërisht i Xhafer Devës. Justifikimin e fundit e ka përdorur gjerësisht në përgjigjet e pyetjeve për kohën që ka qenë në Këshillin e Regjencës, duke shtuar: “ne i hiqnim vërejtje qeverisë”. "PëteniFrancë kishte bamun aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftue aleatët", – tha Lef Nosi në Gjyq.[7] Në gjyq u mbrojt nga avokati Zoi Xoxe, i cili paraqiti mbrojtjen më 12 shkurt 1946, duke u përballur me akuzën që dha pretencën “dënim me vdekje, pushkatim”, më 20 shkurt. Edhe mbrojtja nuk pati fuqi ta shpëtonte nga ndëshkimi i parashkruar e i paravendosur, vendim që u shpall më 13 fruer 1946, për ekzekutim me pushkatim.[19] Me aprovimin e akt-gjykimit nr.24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te "Kodra e Priftit" (ose te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane sipas një versioni tjetër) me Maliq Bushatin e Atë Anton Harapin.

Trashëgimia[redakto | redakto tekstin burimor]

Njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit. Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan mban vulën personale të Lef Nosit. Myrvet Dhono, specialiste e fushës së albanologjisë, thotë: “Lef Nosi ka dhënë një kontribut shumë të madh në bibliotekën “Qemal Baholli” të qytetit, që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe. Si njohës mjaft i mirë i disa gjuhëve të huaja dhe studiues i vlerave dhe historisë së Shqipërisë, ai blinte rregullisht libra të shkruara për vendin tonë dhe ia dhuronte bibliotekës. Një ndër to është libri në gjuhën frënge me titull “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”. Sipas Dhonos, “ky libër i dhuruar nga Lef Nosi ka për autor Hyacinthe Hecquard, asokohe konsull në Shkodër, kavalier i legjionit të nderi, etj. Në të ka 516 faqe të shoqëruara me hartë, ku ekzistojnë katër vilajete. Kryesisht bëhet përshkrimi i vilajetit të Shkodrës e Tivarit. Në këtë libër flitet gjatë edhe për Elbasanin. Pasionin e Nosit për librat e përshkruan me hollësi Dora d’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”. Në fondin e Nosit në bibliotekën “Qemal Baholli” gjendet edhe libri me titull “Banka Kombëtare e Shqipnis”, çfarë dëshmon faktin që Lef Nosi ishte një studiues i mjaft fushave”. Në morinë e librave me vulën e tij mund të përmenden veprat me tituj, “Albania the master Key to the Near East”, shkruar nga Kristo Dako, president dhe drejtues i Partisë Nacionale Shqiptare, me vit botimi 1919, libri “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915, e shumë të tjerë. Sipas studiueses Dhono, një vlerë të madhe të këtij personaliteti paraqet sistemi i dokumenteve historike përmbledhur në një vëllim të madh, ku trajtohen probleme të historisë sonë kombëtare, botim i vitit 1924. Në të ka dokumente që i përkasin harkut kohor 1912- 1918, si telegrame, letërkëmbime, fonograme, shkresa, kujtime etj. Aty pasqyrohen shpallja e pavarësisë kombëtare, krijimi i qeverisë së Ismail Qemalit, luftërat ballkanike, periudha e Princ Vidit etj.[5]

Nderime[redakto | redakto tekstin burimor]

Pas vitit 1990, u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, me pjesëmarrjen e veçantë të familjes Nosi, mbesës së tij, Adelina Kosturi (Nosi) dhe birit të saj, Skënder Kosturi. Në vitin 2004 titullohet “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Një rrugë në Elbasan mban emrin Lef Nosi. Një shkollë e mesme në Prizren mban emrin e tij. Në vitin 2007, dekorohet me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Është cilësuar nga miq e të afërm të tij “akademik” dhe “personalitet kombëtar”, më shumë një “filolog” se sa një “politikan”. Nën kujdesin e lartë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës prof. dr. Myqerem Tafaj, në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Universiteti i Elbasanit “A. Xhuvani”, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe me bashkinë e qytetit të Elbasanit, organizojnë sesionin shkencor “Lef Nosi, figurë qendrore e historisë dhe kulturës shqiptare.” Në seancën plenare të këtij paneli u zhvillua një fjala e hapjes u bë nga prof. dr. Liman Varoshi, Rektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Më pas, fjala përshëndetjes ishte nga prof. dr. Ardian Marashi, Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Më pas, përshëndeti prof. dr. Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe i Shkencës, ashtu siç edhe ishte fjala përshëndetëse e kryetarit të bashkisë së qytetit të Elbasanit, Qazim Sejdini.[20]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c Boçe A., "Lef Nosi, një guru për pavarësinë", Shekulli (gazetë), 16 prill 2012.
  2. ^ (Anglisht) Elsie R., Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Marrë më 22 prill 2012.
  3. ^ a b c Dr. Bevapi K., Koha e Nosit : [Lef Nosi, në 130 - vjetorin e lindjes], gazeta Standard, - Nr. 474, 5 prill, 2007, f. 20.
  4. ^ Goce B., Lef Nosi: Botohet për të parën herë letërkëmbimi me nënën dhe vëllain, Gazeta Metropol.
  5. ^ a b c d e f g Sadiku M., "Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi...", Gazeta "Panorama" më 31/01/2012
  6. ^ Murati V., Besëlidhja ballkanike. Lef Nosi/ Si dështoi projekti sllav, për zhdukjen e shqiptarëve, gazeta Standard, 20 shtator 2012.
  7. ^ a b c d e f Hoxha Ç., "Lef Nosi: Kujtesa e kombit", gazeta "Standard", 15 shtator 2012.. Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë: Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; AMPB, Dosja N1086-A; AQSH, Fondi MSHPKP, V 1945, Dosja 126; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Marie Amelie Frein von Godin, Nga Shqipëria e re, Botimet Koçi, Tiranë, 2007; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Arbënia, Nr. 427, 28 nëntor 1936; Gazeta 55, 28, 29, 30, 31 mars 2008.
  8. ^ A.Q.SH i R.SH., Fondi 145, D. 2, fl. 2.
  9. ^ A.Q.SH i R.SH. Fondi 32, D. 54, fl. 6.
  10. ^ Jorgaqi N., Jeta e Fan.S.Nolit, v. I, Ombra GVG, Tiranë 2005, fq. 421.
  11. ^ Dr. Dushku L., Kujtimet e Lef Nosit, çfarë dëshmish la për flamurin e Pavarësisë, suplementi Rilindasi i gazetës Shqiptarja.com, 10 dhjetor 2012.
  12. ^ Stocker Sh.R., Margaret Masson Hardie Hasluck (1885-1948)].
  13. ^ Elsie R., Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, 1761, dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar (PDF-Format në shqip).
  14. ^ Frashëri T., "Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi", Botime "Çabej", Tiranë 2005.
  15. ^ a b Dervishi K., "Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet", Tiranë 2012.
  16. ^ Nga dëshmitë e stërnipit, Skënder Kosturi.
  17. ^ Petritaj E., Besa: Shpëtimi shqiptar i hebrenjve. Java Edukative mbi Holokaustin, Toronto, Kanada, voal-online.ch, 23 nëntor 2010.
  18. ^ Atë Pllumi Z. OFM, Rrno vetëm për me tregue, “55”, Tiranë 2006.
  19. ^ Zbardhet gjyqi i Lef Nosit, momentet e tij të fundit
  20. ^ Zane H., Lef Nosi, sesion shkencor dhe një monument për firmëtarin dhe ministrin e qeverisë së Ismail Qemalit, gazetarepublika.al.