Jump to content

Mirash Ivanaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Mirash Ivanaj
Ministër i Arsimit
Në detyrë
11 janar 1933 – 30 gusht 1935
Paraprirë ngaHilë Mosi
Pasuar ngaDhimitër Beratti zëvendësisht
Të dhëna vetjake
U lind më12 mars 1891
Podgoricë, Mali i Zi
Vdiq më22 shtator 1953
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptare
ArsimimiUniversiteti i Romës
PunësimiPublicist, jurist, arsimtar, ministër

Mirash Ivanaj (Podgoricë, 12 mars 1891Tiranë, 22 shtator 1953) ka qenë publicist, jurist, arsimtar dhe ministër shqiptar. Ka dhënë kontribut të madh në lëmin e politikave arsimore, emri i të cilit lidhet ngushtë me të ashtuquajturën "Reforma Ivanaj".

U lind më 12 mars 1891 në Podgoricë dhe ishte i biri i Dodës dhe i Zogës që vinin nga Bekajt e Trieshit. Prindërit e nisën me të vëllanë, Martinin, në gjimnazin klasik të Pozharovacit në juglindje të Beogradit, të cilën e mbaroi me rezultatet të shkëlqyera me 25 gusht 1912. Vëllai i madh, Zefi, vdes nga helmimi me 1911, kur qe 26 vjeç.

Mirashi u bë oficer, ndërsa në vitin akademik 1912-'13 me të vëllanë ndoqën kursin e filozofisë në Universitetin e Beogradit. Vijoi shkollimin e lartë në Itali, ku studioi në Universitetin e Romës dhe u laureua në dy degë, Filozofi-Letërsi dhe Jurisprudencë. Në vitin 1915, i vdes i ati dhe e ëma më 5 janar të po atij viti. Bursa nuk i mjaftonte për minimumin e mundshëm në libra, veshmbathje dhe kura mjekësore, duke shtuar edhe duhanin e shumtë që tymoste. Me interesimin e mikut të tij, Demir Vilës, ministri i arsimit Sotir Peçi mori përsipër t'u niste vëllezërve 150 franga ari në muaj. Pëson një traumë, kur vdes dhe e dashura e zemrës, fotografinë e së cilës e ruajti deri në fund të jetës.

Më 1922, pasi u kthye në Shqipëri u caktua mësues i gjuhës shqipeLiceun e Korçës, ku paguhej 320 franga ari në muaj. Në fund të vitit akademik 1922-'23, më 18 korrik, kreu Jurisprudencën cum laudae me temë "Zakoniku i Stefan Dushanit i shek. XIV". Në 1923, u kthye në Shqipëri dhe bashkë me kushëririn Nikollë Ivanaj botuan në gazetën "Republika". Me punë të palodhur si drejtor ideor e juridik Mirashin, autor i mjaft artikujve ideor të kohës, radhitës, redaktor, korrektor e deri punëtor shtypshkronje doli gazeta me divizën e huazuar nga Mazzini "Republika asht e vetmja trajtë ligjore dhe logjike qeverimi". U botuan 30 numra ku ranë në sy për tema në përputhje me problemet që trazonin botën shqiptare dhe shkëlqeu për guximin e saj politik e nivelin intelektual. Qysh në numrin e parë në tetorin e vitit 1923, shpalosi një program me 11 pika, ku pika e parë shkruante "Shkolla fillore dhe të mesme vetëm në dorë të shtetit" e cila u pasua nga shumë polemika me klerin në përgjithësi dhe etërit jezuitë në veçanti. Dënoi Kongresin e Durrësit e traktatin e fshehtë që u bë me qeverinë italiane më 20 gusht 1919, kritikoi Kuvendin Kushtetues me 318 anëtarë, ku shumë prej tyre me shkollim gjysmak dhe vuri në pah shqetësimin që vijonte gjyqi në bazë të Sheriatit.[1]

Pas Lëvizjes së Qershorit në 1924, Ivanaj la vendin dhe u drejtua për në Podgoricë, u dënua në mungesë gjatë qeverisjes së Nolit.[2] U kthye në 1925 në Shkodër, ku punoi si avokat dhe më 10 shkurt nisi punën si drejtor në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku dha mësim në çdo lëndë përveç biologjisë, fizkulturës dhe muzikës; shkëlqeu në matematikë dhe latinisht. Në histori ishte partizan i teorisë pellazgjike. Një nga nxënësit e tij të degës normale në Licé, Rrok Zojzi tregon:

"Mbasi na ndau diplomat dhe na përshëndeti në ceremoninë e rastit, drejtori tha: Kjoftë livdue Jezu Krishti. Dikush muer guximin dhe reagoi e ai me atë taktin e tij foli si me shokun e vet: Po unë nuk jam shfaqë kurrë kundër fesë. Mandej tha se kishte nji lutje për ne, se kishte mbetë pa zhvillue kapitulli i optikës në fizikë dhe na kërkoi nji javë për ta zhvillue. E kush ia prishte të madhit Ivanaj?".[3] Në letërsi, duke u kënduar "Lahutën e Malcís" u shpjegonte nxënësve se Mark Milani në fakt ishte me origjinë shqiptare. Duke respektuar personalitetin e nxënësve myslimanë, në fillimet e tij në Licé kur qenë me shumicë, e ulte mësimin gjatë muajit të Ramazanit nga 6 orë në 4 orë në ditë. Me një lajmërim, ndaloi përdorimin e fesit gjatë mësimit, gjë që cënonte dhe marrëdhënjet normale me të krishterët. Në mendësinë e qytetit u krijua bindja se në shkollën e Ivanajt nxënësit nuk prisheshin nga feja e nga morali. Ishte kjo bindje që bëri prindërit katolikë të çojnë fëmijët pa rezerva, biles edhe duke i lëvizur nga shkollat private. Ndërsa myslimanët duke përdorur një "argument" që atëherë qarkullonte si thashethem: kur trupat e revolucionit të '24-ës morën me shkue në shtëpinë e tij, e gjetën hapur, dhe në shtrat gjetën Kur'anin. Pjestarët myslimanë në komisionin e kontrollit menduan se ky i krishterë donte të bëhej mysliman... ndërsa në të vërtetë ai po studjonte ndikimin e të Drejtës Romake në librin e shenjtë mysliman. Me reformat që aplikoi në administrimin e shkollës, i rritën prestigjin dhe kur e dorëzoi, bilanci ishte: në 1925 me 83 nxënës dhe e dorëzoi në tetor 1930 me 280 nxënës. Si rrjedhim numri i të larguarve në 1924-1925 ishte 22%, ndërsa 1929- 1930 12%. Asnjë shkollë tjetër e mesme nuk pati ritëm të tillë. Në 1927 mbrojti mësuesin Kel Ujka, që kishte rrahur një nxënës, sepse e kishte fyer dhe i shtrënguar në rrugë nga i ati i nxënësit që i bien flakareshë në rrugë, e vret. Mirash Ivanaj duke veshur petkun e avokatit e mbrojti me sukses.[1]

Ivanaj u caktua mësues në Tiranë, ku drejtor ishte Karl Gurakuqi. Banonte në kat të dytë te rruga e Pishës me të vëllanë. Në sajë të rritjes së reputacionit të tij, u bë Ministër i Arsimit më 1933, pasi vdiq Hilë Mosi. Në 11 janar 1933 Pandeli Evangjeli i ngarkuar të formonte kabinetin e ri, i paraqiti të nesërmen Zogut listën ku Ivanaj ishte ministër më i ri i arsimit. Ndërmori disa reforma për të homogjenizuar gjendjen e arsimit në vend.[4] Nisi të shtetëzonte shkollat e huaja dhe qeveria Shqiptare u vu nën presion për politikat e saja, në veçanti nga qeveria e Italisë fashiste.[5] Në shtator të vitit 1934 paraqiti ligjin e ri për arsimin, duke e bërë 5-vjeçaren fillore arsim të detyruar. Krijoi gjithashtu institute edukuese dytësore të ndryshme.[6] "Ligji i Arsimit", me nofkën "Ligji Ivanaj" ishte ligji më i rëndësishëm e më i plotë i periudhës. Qëllimi i tij ishte të krijonte dhe integronte sistemi e arsimit kombëtar në Shqipëri.[7]

Vitet e mëvonshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në verën e vitit 1935 dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi Gjykata e Hagës detyroi qeverinë shqiptare që të moderonte politikat e saj ndaj shkollave minoritare.[8] Më pas, Mirash Ivanaj emërohet kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i mbretit Zog deri më 7 prill 1939. Bashkë me miqtë Safet Butka dhe Qemal Butka mobilizoi studentët shqiptarë në protestat kundër hyrjes së italianëve. Kur vendi u pushtua, bashkë me arkitektin Qemal Butka dhe vëllanë, u larguan drejt Turqisë, ku vdes i vëllai Martini më 1940.[1] Qëndroi në Turqi në vitet 1939 - 1945, me ndërprerje në vitet 1942 - 43, kur ishte në Jerusalem.[2]

U kthye në Shqipëri në tetor 1945 i kërkuar edhe nga Gjergj Kokoshi. Autoritetet e larta i luten që të shpallë kandidaturë për deputet nga ana e Frontit Demokratik, gjë për të cilën refuzoi. Punoi në shkollën pedagogjike të Tiranës nga nëntori i 1945 deri më 15 maj 1946, kohë kur u arrestua si "agjent i anglezëve".[2] Në burg e angazhuan në repartin e përkthimeve për nevojat e regjimit në burgun e ri të Tiranës, repart të cilit i ishte kërkuar që të përkthenin të gjitha veprat e spiunazhit botëror si dhe histori mbi luftërat botërore. Aty Ivanaj nisi të përkthente "Bijtë e shqipes" të Julian Amery dhe një libër për spiunin Cicero, për të cilin Ivanaj dyshonte se ishte shqiptar.[9] Pasi dënohet dhe burgoset Kokoshi, me 1947 u arrestua dhe u dënua me 7 vjet në burg. Një fakt domethënës mbi padrejtësinë e akuzave ndaj tij: kur i thanë se dënohej me 7 vjet burg dr.jur.Mirash Ivanaj pyeti trupin gjykues:

- Po për çka jam dënue zotni?
- Ke ardhur me ide që të bësh propagandë (në Shqipëri).
- Po a ka ligj në botë që të dënojnë mendimin?

Vdiq më 22 shtator 1953 në Spitalin e Tiranës mbas një operacioni të thjeshtë, 12 ditë para se të lirohej.[1]

Formimi, vepra dhe ndikimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kur u caktua mësues në gjimnazin e Shkodrës, në kurrikulën e tij radhiti gjuhët që zotëronte, të gjallat: shqip, serbisht, italisht, rumanisht, bullgarisht, gjermanisht dhe frëngjisht; të vdekurat: latinisht, greqisht, sanskritisht, godix (gotisht?), gjuhët e Italisë së poshtme dhe gjuhën sllavonike.

Bashkë me të vëllain lanë një libër me poezi shkruar në gjuhën serbe me titullin "Epopeja e Njeriut", përkthyer në gjuhën shqipe nga Lazër Radi.

Në 1995 u hap "Martin and Mirash Ivanaj Foundation", krijuar nga mbesa, Drita Ivanaj e bija e Martinit. U krijua me qëllim promovimin e arsimit ndër të rinjtë shqiptarë.[10]

  1. ^ a b c d Gogaj, Iljaz (2004). Mirash Ivanaj: personalitet i shquari i universit shqiptar. Tiranë: Erik. fq. 240. ISBN 9789992798355.
  2. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 140–141. ISBN 9789994356225.
  3. ^ Rrok Zojzi: Kujtime nga gjimnazi
  4. ^ Sultana, Ronald G. (2002). Teacher Education in the Euro-Mediterranean Region (në anglisht). P. Lang. fq. 30. ISBN 9780820462165.
  5. ^ Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: independence, republic and monarchy 1908-1939 (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 352. ISBN 9781845110130.
  6. ^ Pearson 2004, p. 360.
  7. ^ Free Europe Committee, Mid-European Studies Center of the Free Europe Committee (1956). Skëndi, Stavro (red.). Albania (në anglisht). Praeger publications.
  8. ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 273–274. ISBN 9789928261984.
  9. ^ Radi, Lazër (1994). Misteret e një ministri: vitet e fundit të Mirash Ivanajt. Tiranë: Lilo. fq. 110. OCLC 166102685.
  10. ^ Martin and Mirash Ivanaj Foundation