Tahir Kolgjini
Hafiz Tahir Kolgjini (Lusen, 24 prill 1903 - Stamboll, 12 dhjetor 1988) ishte hoxhë, studiues, shkrimtar, poet, historian dhe nëpunës shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Leu më 24 prill 1903 në Lamshejt të katundit Lusën të Lumës, i biri i Alisë së Osman Kolgjinit dhe Qamiles së Sadik Totës. Mësimet fillestare i mori në vendlindje ku mësuesi i parë ishte Hoxhë Mulla Ademi nga rrethinat e Shkupit. Me të plasur Lufta Ballkanike emigroi në Stamboll me familjen, por pas gjashtë muajsh familja iu kthye dhe Tahiri qëndroi me të atin që zhvillonte tregti atje. Tahiri të studjonte në shkollën fillore "Sulltan Mahmud" ku mësoi dhe Kur'anin përmendsh e muer titullin Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë "Dar-ul Hilafet-ul Aliyye" deri më 1924 kur u suprimua nga Republika e Atatürk-ut për unjësimin e arsimit.[1][2]
Më 1925-'26 punoi si mësues e kryemësues në Bicaj, 1927-'28 Lusen e pasi e kalojnë në Kukës jep dorëheqjen dhe transferohet në Tiranë. Në fund të vitit 1928 emërohet si sekretar i gjykatës së paqes në Himarë, ndërsa nga prilli i vitit 1929 emërohet si Sekretar i Gjykatës të Shkallës së Parë në Kukës.[2] Më 1932 hodhi kandidaturën për deputet por listat manipulohen, i zhgënjyer angazhohen në një parti politike ilegale - arsye për të cilën e internuan një vit në Porto Palermo. Pas kryerjes së dënimit, u kthye në Kukës, ku hapi një shkronjëtore si shkrues publik.[1]
Nga 1939 punësohet dhe vendoset në krye të bashkisë së Kukësit. Me rënjen e Mbretërisë Jugosllave më 1941 vendoset në Prizren për të ndihmuar vendosjen e administratës në gjuhën shqipe dhe merr kryesinë e bashkisë nga 15 prilli gjer në tetor për t'u kthyer mbasandej në Kukës sërish. Në nëntor takohet me klerin musliman dhe mbledh tubimin e quajtur Kongresi i Klerit Musliman në Prizren në marrëveshje me Hafëz Abdullah Telakun, gjë për të cilën do të raportohej nga Fejzi bej Alizoti. Pas një takimi me kryeministrin që sapo u emërua, Mustafa Krujën, ftillon situatën dhe bien në ujdi. Pas një lëvizjeje që Kruja do ndërmerrte ndaj Muharrem Bajraktarit, Kolgjini i shkruan kryeministrit për t'i shpjeguar pavolitë për një lëvizje, kësodore Kruja për ta pajtuar Lumën e emëron zv/prefekt. Emërohet mandej gjatë viteve 1942-'43 prefekt përfundimtar në Gjirokastër dhe pas qeverisë Kruja dërgohet në Prishtinë ku shërbeu gjer në shtator 1943. Me hyrjen e Xhaferr Devës në kabinetin qeveritar si ministër i mbrendshëm, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, detyrë të cilën e kreu deri në gusht të 1944.[1][2]
Në gusht të 1944 caktohet prefekt i Shkodrës ku shërbeu deri më 24 nëntor. La qytetin verior me Kapidanin e Mirditës, Gjon Markagjonin duke shkuar permes Jugosllavise në Vjenë, e prej aty me tete miq vajti në Milano e më tej në Romë. Me shumë antikomunistë vendoset në Reggio-Emilia deri në 1948. Shkon në Stamboll më 30 qershor të 1948 pas tri ditësh udhëtim në anijen "Istanbul".[1]
Në mërgim qe anëtar i Bllokut Kombëtar Independent dhe mori pjesë ndër veprimtari të ndryshme të organizuara nga mërgimtarët shqiptarë.[3]
Ndërroi jetë në Stamboll më 12 dhjetor 1988.[2]
Kontributi ndër letrat shqipe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka shkruar shumë artikuj, punime, studime në fusha të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore. Këto janë botuar nepër gazeta e revista nepër Evropë, Amerikë.
Janë botuar, me pseudonimin Lok Limthi, Dylej, Dashamiri, por edhe me emrin e tij, në revistën "Shêjzat" të Romës, që e drejtonte Ernest Koliqi, në revistën "Koha e Jonë", Paris, që e drejtonte Prof. Lec Shllaku, në gazetën "Dielli", Boston, Mass. (SHBA), organ i Federatës Pan- Shqiptare "Vatra", në gazetat "Vardari" e "Besa" të Stambollit etj. Titujt e veprave të tjera të tij janë:[2]
- Shpalime rreth Lahutës së Malcís, mbi 300 faqe, Stamboll, 1969.
- Esad Pashë Toptani dhe akuzat q'i bahen, Stamboll, 1977.
- Të vërtetat shqiptaro-greke, (Arnavutluk ve Yuninistan Gerçekleri), Stamboll, 1968. Kjo vepër u përkthye në gjuhën shqipe e ribotua në Tiranë, më 1997, me një parathënje shkruar nga Dr. Hysamedin Feraj.
- Fjalët turkisht në Lahutën e Malësisë, "Shêjzat", Romë, Itali, 1962.
- Luma dhe luftat e saj, Stamboll, 1970.
- Po vajtojmë Gjon Gjinin, Stamboll, 1979.
- Poezi, Tiranë, 1993 (është vepra ku janë të përbledhuna vjershat e tij nën kujdesin e Agim Spahiut).
- Tahir Kolgjini 1-8, përmbledhja e të gjitha veprave, Shkup-Prishtinë-Tiranë: Logos-A, 2023.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Kolgjini, Tahir (21 mars 1985). "Jetëshkrimi i em shkurtimisht..." radiandradi.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d e Yvejsi, Mexhid (2009). "Hafiz Tahir Kolgjini (1903-1988)". zemrashqiptare.net.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Shehu, Eugen (2006). "Tahir Kolgjini: Besë e burrit të Lumës". zemrashqiptare.net.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)