Lec Shllaku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lec Shllaku (Shkodër, 3 nëntor 1921 - 5 gusht 2007) ka qenë aktor dhe regjisor i shquar, “Artisti i popullit”.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Leu djali i parë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, ndër tre vëllezër, mbas tij Gjoni dhe Luigji. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur ishte 4 vjeç[1], si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali, rrobaqepës me një damar për skenën, bejtet, karnavalet e sportet[2].

“Ndjeja nji prirje të veçantë për artet e dijet. Në krye të herës kur do të shoshiteshin prirjet e mia, ngurrova shumë për t’u binde se çfarë emërtimi do të kishte rruga ime. Doja të bâhesha nji profesionist i mirë e t’arrija përsosuninë. Me teatrin e poezinë, ma së pari m’afroi Daja im, teatrist i shquem i skenës shkodrane e bejtar në zâ i Karnevaleve.”[2]

Shkollën fillore e kreu në “Shkollën Fretnore” dhe të mesmen në gjimnazin “Illyricum”, si kolegjial. Klasën e fundit dhe maturën e merr në shkollën “28 nëntori[3]. Më pas ndoqi Institutin Pedagogjik të Shkodrës e më pas në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi[4].

Ai punoi dy vjet në Tiranë në Teatrin Qendror të Ushtrisë e më vonë si regjisor në Shkodër. Në vitin 1962 hapi dhe drejtoi teatrin profesionist “Skampa” të Elbasanit. Aty qëndroi për 10 vjet. Vuri në skenë dramat : “Linda”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I pesti u zu gjallë”, “Udha e gjatë”, “Udha e zavalinajve”, “Firmat e vogla”, “Skënderbeu”, “Shqetësimet e Sokratit”, “Rrethimi i Bardhë”, etj. Përveç skenës teatrore, ku dha ndihmesë si regjisor dhe dramaturg, Leci interpretoi në shumë filma artistike si tek “Skënderbeu”, “Para agimit”, “Plumba Perandorit”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Qortimet e vjeshtës”, “Larg barbarëve”, “Yjet e netëve të gjata” etj. La mjaft vepra, dorëshkrime, punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime. Në pesë vitet e fundit të jetës botoi 7 libra, ndër të cilët librin me përshtypje udhëtimi : “Dy hapa në Perëndim”, i cili është botuar në italisht dhe greqisht. Për kontributin dhe vlerat që dha, Lec Shllakut i është akordua titulli “Artist i Popullit” dhe, së fundi, nga Bashkia e Elbasanit titulli “Qytetar Nderi”.

Filmografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Milani P., Amaneti i fundit i Lec Shllakut, prelemilani.com, 23 korrik 2007.
  2. ^ a b Slatina F., Vdekja nuk më tremb, vuajtja po! : lamtumira e një artisti të shquar, Lec Shllaku (1921-2007), 55. - Nr. 214, 10 gusht, 2007, f. 16.
  3. ^ Ndreca A., Te qershia e shtëpisë së artistit : mbresa nga një takim me Lec Shllakun, 55. - Nr. 155, 16 qershor, 2004, f. 10 - 11.
  4. ^ Dushi A., Aktori, kjo qenie e mbinatyrshme : vepra e një prej regjisorëve të parë dhe të talentuar të teatrit shqiptar që Shkodra e përcolli dje me përulje: [Lec Shllaku], Shekulli. - Nr. 2010, 6 gusht, 2007, f. 15.