Gjon Shllaku
Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 - 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë. La të shkruara disa drama dhe përpiloi fjalorë të greqishtes dhe latinishtes.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Shkodër më 24 mars 1923, djali i dytë i Prelës dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.
Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studjoi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë,[1]? studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin.[2] Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.
Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër,[1] prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla - Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten.[2] Pas daljes nga burgu më 1957[3] punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim.[4] Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit.[5] Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.[6] Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972.
Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut - përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe "Le Cid" të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.[7]
Veprat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999.[8]
Mirënjohje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin "Naim Frashëri i Artë" nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”.[1] Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i "Penës së Artë" të dhënë nga MTKRS për përkthimin e "Gjeorgjikave" të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.[10]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Milani P., Amaneti i fundit i Lec Shllakut, prelemilani.com, 23 korrik 2007.
- ^ a b Senechal M., Long Life to Your Children!: A Portrait of High Albania, Univ of Massachusetts Press, 1997. fq. 67.
- ^ Bushati Xh., Gjon Shllaku, ‘Iliada’ që përktheu Iliadën…, Shqiptarja.com suplementi Kulturë, 6 korrik 2014.
- ^ Jubica I., Gjon Shllaku, fisniku i fundit; Ars. - p. 3, 30 mars, 2003, p. 3.
- ^ Kraja F., Profesor Gjon Shllaku, helenisti i madh, Flaka. - Nr. 7381, 25 mars, 2003, f. 9.
- ^ Kush janë shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë të dënuar nga diktatura, Tirana observer, 25 shtator 2012.
- ^ Kelmendi Sh., Elegji për Kalorësin e fundit, Ars. - Nr. 8, 31 gusht, 2003, f. 5.
- ^ Dibra R., Trillet letrare të një përkthyesi: Gjon Shllaku, nderim me rastin e përvjetorit të lindjes së helenistit të madh, Koha Jonë. - Nr. 79, 24 mars, 2006, f. 20 - 21.
- ^ Sipas dokumentit që pasqyron nderimin me dekoratët e Urdhrit Mjeshtër i Madh gjetur në gusht 2006 në faqen e Presidentit të Shqipërisë.
- ^ Loloçi Ç., Ndahet nga jeta helenisti i madh, Gjon Shllaku, 21 gusht 2003.