Jump to content

Nji studim analitik - Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderrne

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nji studim analitik - Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderrne me Autor Mustafa Kruja. Shtëpia botuese "Çabej", viti i botimit 2007. Faqet e librit 288. ISBN 978-99927-33-90-5

Në vitin 1955 Mustafa Kruja, shkruante në emigrim “Nji studim analitik – Ç’na mëson Frangu i Bardhë me Fjalorin e vet”, ku siç thotë që në krye autori “kënduesi s’ka për të gjetun vetëm nji listë alfabetike të thatë të fjalëvet shqipe të Frangut të Bardhë (kund nja 2500), por diça edhe mâ tepër, qi kam shpresë se mund t’i sjellë nji dobi praktike studimit të gjuhës s’onë përgjithsisht”. Botohet si vepër postum pas gjysmë shekulli nën kujdesin e Ledi Shamku-Shkrelit. Lënda i ra në dorë gjuhëtares nga trashëgimtarë të Krujës, më saktë nga Bashkim Merlika, i cili kish përgatitur dosjen me materialet të tjera shoqëruese dhe në bazë të tyre Shkreli, nëpërmjet kolanës “Excipere” të Botimeve Çabej, na e paraqet me titullin “Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne” dhe pajisur me një studim hyrës të sajin. Vepra ka në fokus të parën vepër gjuhësore në shqip “Dictionarium” i Frang Bardhit (1635), dhe Kruja shënon që bëhet fjalë për “nji studim krahashimtar ndërmjet gjuhës së Bardhit e shqipes qi flitet e shkruhet sod nga pikpamja gramatikore”. Bashkë me këtë vepër dhe deri para saj, në vitet ’30-’40, ai kishte sjellë ndërkohë edhe një risi metodike në shkencat tona filologjiko-gjuhësore, thelbi teorik i së cilës ka qenë sipas Shkrelit “sinkron me atë të bashkëkohësve të vet në Europë e Shtetet e Bashkuara - Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj.”

Përtej interesit të mirëfilltë shkencor ndër etimologë dhe historianë të gjuhës që pret të ngjallë botimi për herë të parë, “Nji studim analitik – Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja Moderne”, i shërben kujtdo që do të dijë më shumë rreth gjuhës shqipe.