Baba Ali Tomori

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Baba Ali Tomori
(Varfe Ali Prishtina - Turabi)
Emri Varfe
Mbiemri Prishtina
Lindur më 1893
Lindur në Shalë, Tepelenë
Vdiq më 1948
Kombësia shqiptare
Profesioni shkrimtar

Baba Ali Tomori, lindi në vitin 1893 dhe vdiq në vitin 1948. Është një nga shkrimtarët dhe historianët e rinj të bektashizmit. Shkrimet e tij nënshkruhen edhe me emrat Varfe Ali Prishtina ose me pseudonimin "Turabi".

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ali Abaz Skëndi, i quajtur ndryshe baba Ali Tomori, u lind më 1893 në fshatin Shalës në Tepelenë. Ishte i biri i Abazit, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë për nëpunës në Stamboll dhe emëruar në KozanGreqisë, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1902 Abazi kthehet në Shqipëri dhe i prirur të ndikojë sadopak në lëvizjen autonomiste shqiptare, i bashkëngjitet veprimit energjik të klerikëve bektashianë. Ai vendoset në teqenë e Prishtës, në Skrapar, e njohur në atë kohë për veprimtarinë atdhetare në mënyrë të veçantë në shpërndarjen e librave shqip në krejt jugun e Shqipërisë. Falë përkushtimit të tij të plotë, Abaz Skëndi merr dorë tek babai i teqesë dhe bëhet myhib (shkalla e parë e praktikantëve mistik të bektashizmit). Deri sa ndërron jetë në vitin 1911, ky shqiptar i madh i shërben me devotshmëri kombit të vet.

Ali Abaz Skëndi kryen arsimin fillor në Berat, ndërsa të mesmen ne Kozan ku mëson, veç greqishtes, edhe gjuhët arabe e turke. Në vitin 1913 kthehet në atdhe dhe vazhdon punën e të atit në teqenë e Prishtës. Mbas masakrës së vitit 1914 nga ana e andartëve grekë, detyrohet të marrë rrugën e mërgimit në Kajro të Egjiptit. Atje bie në kontakt me shoqëritë patriotike, u njoh me idetë e rilindëseve, u ndërgjegjësua për rolin e klerikut bektashi në shërbim të shqiptarizmit. Në këtë kohë studioi me themel letërsi dhe teologji islame, shkroi poezi dhe ese të karakterit filozofik e didaktik. Duhet përmendur këtu përmbledhja rreth 300 faqe “Mësime margaritarësh” me studime për njerëzit e mëdhenj, një pjesë e të cilave u ribotua në Shqipëri më 1934 nën titullin “Xhevher”.

Baba Aliu kthehet në atdhe për të dhënë ndihmesën e vet në shërbim të kombit. Nis veprimtarinë fetare si baba në teqenë e Kulmakut, ku thirret baba Aliu i Tomorit. Në vitin 1921 - 1923, botoi gazetën “Reforma”, e cila bëhet propagandiste e zjarrtë e idealeve rilindase, lufton “helmin e fashizmit”, përkrah tolerancën fetare e bashkëpunimin për të mirën e atdheut. Në këtë gazetë u pasqyrua Kongresi i parë bektashian i Prishtës, ashtu siç zuri vend të rëndësishëm edhe Kongresi kishtar ortodoks i Beratit, që shpalli kishën autoqefale shqiptare.

Baba Aliu ishte klerik patriot dhe intelektual përparimtar, mbështetës i ideve për një Shqipëri demokratike dhe evropiane. Më 1924 mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë. Fjala e tij në ceremoninë e rastit të tërheq vëmendje për profecinë e hidhur : “ I shenjtëruari dëshmor i atdheut Avni Rustemi !... E çuditshme se më të shumtët e burrave të mirë, burrave të drejtë, burrave idealistë, janë ndarë nga kjo botë, kush viktimë e plumbit si ti, o Avni i dashur, kush prej helmit në burg e arrati”. Dhe e përfundon kështu : “Fli i qetë, Avni ! Prehu në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të ndjerë, pranë regjimentit apostolik të rilindjes shqiptare”.

Baba Aliu përkrahu luftën çlirimtare, luftoi bishën fashiste që pllakosi vendin, bekoi luftëtarët e lirisë, priti e përcolli në teqe pa bërë dallime politike. Mbas çlirimit, me akuza false e gjyqe të inskenuar, u vranë e u burgosën mijëra intelektualë duke eliminuar kësisoj elitën tonë patriotike. Në këtë kuadër, baba Aliu i Tomorit u dënua nga gjykata ushtarake në Gjirokastër me të njëjtën akuzë standarde si gjithë të tjerët dhe u pushkatua më 14 janar 1948. (Më 1947 u dënua me vdekje nga gjyqi komunist dhe u ekzekutua me akuzën se ka bashkëpunuar me anglezët). Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qënë ; “Ruani dorëshkrimet e mija. Rroftë Shqipëria !”

Kongrese Bektashiane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

B. Ali Tomorri qe një nga organizatorët kryesorë të tre Kongreseve Bektashiane :

  • Kongresit të Parë Bektashian që i zhvilloi punimet në Prishtë, ku ishte edhe selia e parë e teqesë së tij (në 1921).[1]
  • Kongresit të Dytë që u mbajt në Gjirokastër, më 9 korrik 1924.[2]
  • Kongresit të Tretë në TuranKorçës, më 26 shtator 1929.[3]

Botime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • "Bektashinjtë e Shqipërisë", Korçë, 1921,
  • "Leteratyra e Bektashinjtë" (pa vend botimi, pa datë),
  • "Histori e Bektashizmës", Tiranë, 1929,
  • "Nefese dhe Gazele bektashiane", (pa vend e pa datë botimi).
  • "Flamurit të Shqipërisë", poezi.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ http://licodu.cois.it/421/view Statuti i Bektashinjve 1921
  2. ^ http://licodu.cois.it/583/view Statuti i Bektashinjve 1924
  3. ^ http://licodu.cois.it/420/view Statuti i Bektashinjve 1929