Sabri Hamiti
Sabri Hamiti | |
![]() | |
Ditëlindja: | 10 Maj, 1950 |
---|---|
Vendlindja: | Dumnicë, Podujevë ![]() |
Kombësia: | shqiptar |
Vepra të shquara: |
|
Sabri Hamiti (Dumnicë, 10 maj 1950) është shkrimtar, studiues, profesor letërsie dhe akademik shqiptar nga Kosova.
Jetëshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë, Podujevë, nga baba Hamit Hamiti dhe nana Mehreme Duriqi. U rrit në familje bashkë me tri motra e dy vllezër.
1957 Hyri në shkollën fillore në vendlindje.
1968 Mbaroi gjimnazin në Podujevë dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nisi botimet letrare në Bota e re e në gazeta e revista të tjera. Mori pjesë në demonstratat e studentëve në Prishtinë. I ndjekur nga policia, disa muaj jetoi duke u fshehur te të dashurit e tij.
1972 Diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e Prishtinës, në gjuhë e në letërsi shqipe. Botoi veprën e parë letrare te Rilindja e Prishtinës. Regjistroi studimet pasuniversitare me temë “Poetika e re shqipe” në Universitetin e Sorbonës, në Paris, mirëpo për mungesë parash u kthye në Prishtinë.
1973 U martua me Kumrije Rugovën, moshatare dhe mike e studimeve. Hyn në punë në shtëpinë botuese Rilindja të Prishtinës. Nis studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, të cilat studime i kreu pas dy vitesh.
1980 Për një vit akademik specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në Paris. Mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës në Paris.
1987 Doktoroi me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe në Universitetin e Prishtinës.
1989 Hyn në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, mik i tij i studimeve. Më vonë, shtatë herë me radhë (1992, 1998, 2001, 2004, 2007, 2010, 2014) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit .
1993 Zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë.
1995 Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.
Më 24 shtator 1998 persona të panjohur të Sigurimit të fshehtë serb i bëjnë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. E shpëtojnë mjekët shqiptarë me ndihmën e Zotit.
2000 Zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
2008 Zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
Sabri Hamiti jeton dhe punon në Prishtinë.
Mbi veprën letrare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Shqiptimi poetik si rebelim tematik e gjuhësor kundrejt letërsisë pararendëse shfaqet me figura të forta si Njeriu vdes i ri, madje në trajtë titulli. Më tutje kërkimi si vetënjohje duke krijuar variantet e Narcisit modern, si figurë themelore e letërsisë në shkallën e parë të shkrimit. Edhe më tutje figurat e kujtimeve personale, të shtrira në kohë dhe në botën e të tjerëve, që presin me thikën e harrimit; dhe ritëm, rimë, muzikë.
Trungu ilir, figurë kryesore e identitetit e sprovuar në Kohën moderne të rrethanave. Trungu ilir një libër kult, i dramatizuar në teatër dhe shfaqje e ndaluar nga cenzura. Leja e njohtimit 1985, libër binjak me të parin, kërkim i identitetit të rrezikuar nga jashtë, duke përfshirë një referencë të largët me fantazinë apo utopinë negative të Oruelit në 1984. Kujtimet e të ndodhurave i mbledh poema dramatike Kutia e zezë.
Kaosmos, shenjë a thirrje për frikën e torturën sistemore që prek individualitetin e universalitetin e njeriut. Dramatika e marshit barbar në ardhje e në shkuarje, ashtu dhe bukuria e jetës në rendin e përmbysur: parajsa, purgatori, ferri. Mandej ABC si katalog i dhembjeve etnike, me figurat që si shpërthyes të mprehët prekin në kohë e në hapësirë. Melankolia, së fundit është gjendje e figurë për pasojat që ka bota e ndiesive e kaluar nëpër botën e egërsive.
Romani i rinisë Njëqind vjet vetmi shtreson psikologjinë e vetmitarit që rritet ndërmjet mungesave e pengesave. Aty është jeta e tre brezave që i ngjajnë kaq shumë njëri tjetrit. Vetmia është shekullore: njëqind vjet, por kjo është figurë e pambarimit. Referenca reale shkon nga Lidhja e Prizrenit e këndej. Po shkrimi ndjek logjikën e vet, që nga legjenda e përralla për të përfunduar në një epilog baladik të njohjes dhe të vetënjohjes shqiptare.
Futa e Misioni, dy tekste dramatike që lidhen fort me ndodhjet në Kosovë në deceniet e fundit të shekullit XX. Një shkrim i rrezikshëm dhe i rrezikuar, që universalen don ta provojë me realen: situata për t’u identifikuar. Dy heronjtë tragjikë të dramave japin tipe të ndryshëm heronjsh shqiptarë: një herë hero i mashtruar, herën tjetër hero i flijuar. Dhe këtu mbetet të rindërtohet heroi veprues, si vizion apo si realitet i vendit, që do ta përmbyllë skemën e heronjve shqiptarë.
Sprovat për një poetikë, një trajtim e kërkim teorik i letërsisë shqipe i të gjitha periudhave, shfaqet që nga libri i parë Variante deri te libri i fundit Bioletra, për të krijuar një sistematikë të kërkimit e një sistem të të menduarit. Pra, letërsia apriori e kritika aposteriori. Nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale në Bioletra, e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.
Dy periudha të letërsisë shqipe: letërsia filobiblike e letërsia romantike, që rrokin katër shekujt e parë të kësaj letërsie. E para duke pasur karakteristikë zotëruese parashkrimin biblik, kurse e dyta duke e pasur për bazë temën e zgjimit nacional ashtu dhe shpërthimet individuale romantike. Të dyjat të lexuara nëpërmjet autorëve më të mëdhenj. E para me Buzukun, Budin, Bogdanin e Varibobën, e dyta nëpërmjet De Radës, Naimit, Serembes, Pashko Vasës, Samiut, Mjedjes, Çajupit. Vetëdija për dy doktrina letrare.
Letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX, e shfaqur më parë si letërsi e modelit kritik, përballë modelit himnizues romantik. E vijuar me letërsinë moderne që zbulon e shfaq poetika e individualitete të fuqishme letrare. Zhvillim i hovshëm i të gjitha gjinive letrare duke krijuar një ambient e një vetëdije, ku krijohet dialogu i çuditshëm ndërmjet autorëve të mëdhenj si Faik Konica, Gjergj Fishta e Fan S. Noli në një anë dhe Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e Migjeni në anën tjetër.
Interpretimi i veprave të zgjedhura të autorëve të zgjedhur të letërsisë bashkëkohore. Shkrim i një dialogu të mbrendshëm letrar, në të cilin autorët e veprat e zgjedhin lexuesin-interpretuesin po aq sa ai i zgjedh këto. Kjo dëshmon më tepër një sistematikë të shkrimit e të leximit se sa një sistem. Pra, loja e përhershme e kërkimit është që autorët: krijuesi e interpretuesi t’i shfaqen të hapur njëri tjetrit, për të gjetur bashkërisht universalen letrare në trajtë të poetikës.
Katër monografi letrare për autorët e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe: dy të hullisë së shkrimit tradicional, një të nismës moderne e një të shkrimit modern. Njëri i futur në kodifikimin moral dhe i rebeluar fort (Hivzi Sylejmani); tjetri i bërë popullor nëpërmjet humanitetit e moralitetit të letërsisë (Nazmi Rrahmani); një poet i nemun e i ndjekur nga talenti i vet (Bilal Xhaferri) dhe autori emblematik i letërsisë moderne shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX (Anton Pashku).
Sympathia: testamente për Urtakun (2004), përmbledhje poetike me frymë personale e metafizike përnjëherësh, e lidhur pandërmjetshëm me Melankolinë (1999) e vitit të tmerrit e të mrekullisë për shkrimtarin e Kosovën. Poezi e elementaritetit fizik e shpirtëror që dëfton frymë bashkëndjenjeje (sympathia e titullit). Librat sistematizues për fenomene letrare e kufitare me letërsinë: Bioletra (2000), Tematologjia (2005) dhe Albanizma (2009) bëjnë trininë Poetika shqipe, siç është mbiquajtur në një botim tërësor të triave në vitin 2010. Studimi i temave, shkollave, kodeve, ligjërimeve, formave, figurave e shkallëve të letërsisë, evoluon në një poetikë historike të shqipes.. Utopia letrare (2013) studion veprat përfaqësuese utopike dhe distopike shqiptare në përqasje me letërsinë e përgjithshme utopike dhe distopike, prej traktateve sociale te letërsia fiksionale. Një vepër e re në ngrehinën poetiko-historiko-letrare shqipe në përthyerje me veten dhe me botën perëndimore në gjirin e të cilës ka lindur dhe gjallon. Librat monografikë për dy figura të mëdha kombëtare, shkrimtarë e misionarë: Presidenti Ibrahim Rugova: Memento për Rugovën (2007) dhe Zef Pllumi (2013) për Rugovën shkrimtar, prijës politik e njeri dhe Pllumin misionar i besimit me rrnue për me tregue, që bëhet besim letrar.[1] Ndre Mjedja (2016) përvijon portretin letrar të shkrimtarit të madh në 150-vjetorin e lindjes, i cili kaloi nëpër tri formacione stilistike letrare për të mbetur përgjithmonë liriku klasik i shqipes.
Veprat letrare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Poezia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Njeriu vdes i ri, 1972
- Faqe e fund, 1973
- Thikë harrimi, 1975
- Trungu ilir, 1979
- Leja e njohtimit 1985, 1985
- Lind një fjalë, përzgjedhje, 1986
- Kaosmos, 1990
- ABC Albetare për fëmijë të rritur, 1994
- Melankolia, 1999
- Sympathia, 2004
- Lulet e egra, 2006
- Litota, 2007
- Kukuta e Sokratit, 2018
Roman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Drama[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kritikë/Eseistikë/Studime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Variante, 1974
- Teksti i dramatizuar, 1978
- Kritika letrare, 1979
- A-ZH, Romanet e Nazmi Rrahmanit, 1982
- Arti i leximit, 1983
- Njeriu kryengritës, 1987
- Vetëdija letrare, 1989
- Faik Konica: jam unë, 1991
- Tema shqiptare, 1993
- Poeti i nemun Bilal Xhaferri, 1996
- Letra shqipe, 1996
- Lasgushi qindvjeçar, 1999
- Bioletra, 2000
- Studime letrare, 2003
- Shkollat letrare shqipe, 2004
- Tematologjia, 2005
- Presidenti Ibrahim Rugova (Memento për Rugovën), 2007
- Letërsia moderne, Tiranë, 2009
- Albanizma, 2009
- Poetika shqipe, 2010
- Utopia letrare, 2013
- Zef Pllumi, 2013
- Ndre Mjedja, 2016
- Anton Pashku, 2017
- Testamenti, studime, ese, 2018
- Át Gjergj Fishta, Botime Françeskane, Shkodër, 2020
- Naim Frashëri, 2020
Tekste shkollore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Vepra komplete, 2002[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Vëllimi i parë: Poezi
- Vëllimi i dytë: Poezi
- Vëllimi i tretë: Poezi
- Vëllimi i katërt: Roman
- Vëllimi i pestë: Drama
- Vëllimi i gjashtë: Kritika letrare
- Vëllimi i shtatë: Letësia filobiblike, Letërsia romantike
- Vëllimi i tetë: Letërsia moderne
- Vëllimi i nëntë: Letërsia bashkëkohore
- Vëllimi i dhjetë: Letërsia bashkëkohore
Studime për veprën e Sabri Hamitit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Dr. Ibrahim Rugova "Sistemi poetik i Sabri Hamitit", Tiranë, 2013.
- Dr. Nysret Krasniqi "Sabri Hamiti", Prishtinë, 2011
- Muhamed Çitaku "Strategjitë e rrëfimit: romani Njëqind vjet vetmi i Sabri Hamitit", Prishtinë, 2010
- Munish Hyseni "Sabri Hamiti - Bibliografi (1967-2015), Prishtinë, 2015
Tekste të Sabri Hamitit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Në gjuhën shqipe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Në gjuhë të huaja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Sabri Hamiti: Albanian literary schools (Përkthyer nga Dr. Muhamet Hamiti)
- Sabri Hamiti: Les écoles littéraires albanaises (Përkthyer nga Dr. Halit Halimi)
- Poezi të Sabri Hamitit në anglishte (Përkthyer nga Dr. Robert Elsie)
Mirënjohjet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit
- Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", 2010
- Çmimi kombëtar "Azem Shkreli", për vepër jetësore në fushën e letërsisë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, 2010
- Çmimi i Madh për Letërsinë për vitin 2010 na Ministria e Kulturës e Shqipërisë për veprën letrare "Poetika shqipe"
- “Çmimi Special” për kontributin kulmor për letërsinë dhe kulturën shqipe i Akademisë Kult, 2014
Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
- Çitaku, Muhamet (2018). "Romani simbolist i Kosovës". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 24. Prishtinë: ASHAK.
Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Dr. Ibrahim Rugova: Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit
- Prof. dr. Ali Aliu: Revolta ëndërrimtare
- Prof. dr. Zejnullah Rrahmani: Lexuesi duhet të mësojë notin për ta ndier shijen e paanësisë së detit të poezisë së Sabriut
- Dr. Kujtim M. Shala: Sprova për një Poetikë
- Dr. Kujtim M. Shala: TEMATOLOGJIA: THEMA E LOGOS
- Drama "Misioni" e Sabri Hamitit në frëngjisht
- ^ Sipas tekstit "Një jetë dhe një vepër letrare: Sabri Hamiti" në Muhamet Hamiti BESIMI LETRAR, Parnas, Prishtinë, 2016, ff. 280-287