Jump to content

Faqe e fund

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ballina e librit Faqe e fund

Libri Faqe e fund i Sabri Hamitit është botuar në vitin 1973 nga "Rilindja" e Prishtinës.

  • Jo rastësisht poeti e hap librin e dytë, Faqe e fund, me vjershën me të cilën e mbyll librin e parë. Me këtë autori na sugjeron një praktikë që do ta zbatojë formësisht edhe në librin vijues. Kjo do të thotë se poeti kërkon të bëjë lidhmëri të natyrshme në frymën e problematikës së poezisë. Ndoshta kjo në vështrim të parë duket si çështje “formale”, po esencialisht është çështje formësore, strukturuese dhe mjaft kuptimore funksionalisht, sepse me këtë ndërlidhje të librave të poezisë, kemi edhe një ndërlidhje tematike e artistike. Pra nuk është e rastit kjo ndërlidhje, sepse vjersha që bartet nga libri i parë në këtë libër, këtu, merr funksionin e hapjes së një problemësie vazhduese, një kontinuitet logjik poetik. Vetë titulli i librit si dhe struktura e tij Faqe e fund, përmban në vete segmentin jetësor të subjektit poetik midis këtyre dy kategorive fundamentale të ekzistencës. Ky subjekt sikur e kërkon veten midis këtyre dy kategorive, identitetin e vet subjektiv përmes brendakategorive të ekzistencës që na dalin në formë ciklesh: Kërkim, Bukuri, Harrim, Lakmi, Gjakim, Habi, Fund. Me këtë zgjerohet rrethi konceptor i librit të parë që hapet me çështjen e lindjes. Thuajse këto janë kategori nëpër të cilat zhvillohet rruga e identifikimit të vetvetes, të njeriut. Madje në planin metaforik e psikologjik, këto kategori janë shtytës të individit dhe të individuacionit të tij, që me kohë, në procesin e saj bëhen shtresa funskionale të ekzistimit.(Ibrahim Rugova)