Njeriu vdes i ri
Njeriu vdes i ri është libri i parë me poezi i Sabri Hamitit, i botuar më 1972.Duke shkruar për librin e parë Njeriu vdes i ri shfaqjen e tij Mensur Raifi e vlerësonte si orientim të ri, se lihej tipi migjenian i poezisë e fillonte ai lasgushian, që duhet të kuptohet në kuadër të vlerës historike në poezinë tonë. Po ky kritik thoshte në mënyrë figurative, se Sabri Hamiti e ka kornizën e Lasgushit e fotografinë të veten, që de facto e cilësonte ndërlidhjen poetike dhe faktorin krijues të poetit. Pati edhe mendime se ishte njëfarë formalizimi në poezinë e tij, apo u konsiderua si parodizim me poezinë e Lasgush Poradecit. Mirëpo kjo çështje, të themi rreth këtyre “moskuptimeve”, u kapërcye në një pjesë tjetër të kritikës, që u mor më shumë me vetë veprën. Pikëpamjet e tilla imponoheshin nga praktika e atëhershme poetike, kur më shumë kërkohej poezia e ndjenjes dhe figuracioni se gjuha poetike, se të folurit personal poetik.