Ali Kelmendi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Ali Kelmendi.jpg

Ali Kelmendi (Pejë, 3 nëntor 1900 - 7 shkurt 1939) ka qenë një veprimtar komunist, organizues i grupimeve komuniste. Regjimi komunist në Shqipëri e shpalli Hero i Popullit. Pjesë e një brezi idealistësh kosovarë, që tek komunizmi shpresonin të gjenin zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në Pejë më 3 nëntor 1900 në kohën e Perandorisë Osmane, i biri i Sulë Kelmendit. Fundi i Luftës së Parë Botërore e gjen në Vienë. Kthehet në Shqipëri më 1920, ku politikisht e gjen veten me shoqërinë "Bashkimi" të Avni Rustemit, ndërsa ushtarakisht me çetat e Bajram Currit. Mori pjesë gjallërisht në Lëvizjen e qershorit duke lëvizur në zonën e Malësisë së Gjakovës. Për këtë arsye në kohën e qeverisë Noli shërbeu nënkomandant xhandarmërie, madje shërbeu edhe pranë gjyqit të posaçëm ushtarak. Në gusht të 1924 me porosi të Ibrahim Jakovës shoqëroi një oficer madhor zbulues dhe një bullgar shok të Dimitrovit gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri.

Me Triumfin e Legalitetit, Kelmendi emigroi në Bari, Brindisi dhe më pas në Vienë, dhe Kosovë. Teksa ndodhej në Vienë, ambasada sovjetike e atjeshme dhe Federata Komuniste Ballkanike i kërkoi KONARE-së listën e emigrantëve shqiptarë për t'i nisur me studime në Bashkimin Sovjetik. Shumica e tyre punonin në Francë. Ky grup përbëhej nga: Haki Stërmilli, Fetah Ekmeçiu, Qamil Çela, Ali Kelmendi, Selim Shpuza, Naum Prifti, Sali Hidri, Ymer Domi, Rexhep Çami, etj.

Aliu shoqërohej më shumë me Q. Çelën, H. Stërmillin dhe F. Ekmeçiun. Në tetor 1925 - maj 1926, Aliu ka qëndruar në Moskë, ndërsa në vitet 1926-1926 në shkollën "Xherxhenski" në Leningrad, ku ishte bërthama e grupit komunist.

Më 1927-1928 Kelmendi shërbeu si oficer kufiri i Ushtrisë së KuqeOdesa. Qëndrimi në këtë qytet lidhej edhe me faktin se shqiptarët e atjeshëm e kishin përkrahur Revolucionin e Tetorit, si dhe më 1919 kishin krijuar një organizatë komuniste. Në 1929-1930 qëndron në Berlin, ku u bë pjesë e KÇN-së. Në këtë kohë mbaroi kursin e spiunazhit të GPU-së jashtë Moskës rreth vitit 1930.

Më 8 gusht 1930 me vendim të propozuar nga Komanda e Xhandarmërisë me propozim fillestar nga Ministria e Punëve të Jashtme, "i arratisuri politik Ali Sulë Kelmendi lejohet të hyjë në shtetin shqiptar". Prej njohjes me Hasan Reçin, vendos lidhjet me njerëzit që ai njihte: M. Gjinishin, A. Vokshin, Xhevdet Dodën, Sadik Stavilecin, E. Myftarin, V. Shanton, etj. Më pas i dërgoi sa në Krujë, Shkodër, Durrës, Pogradec, etj. me pak fjalë po kërkonte të ngrente rrjetin komunist në vend. Duke vepruar më shumë mbi bazën e njoftunive të kohës së çetës të Bajram Currit sesa si i trajnuar, arrestohet dy herë dhe mbahet nën vërejtje nga Zyra Sekrete. Në periudhën shkurt-prill 1932 qëndroi në Berlin. Në qershor rikthehet në Shqipëri me direktiva nga Gjergj Dimitrovi për të bërë përpjekje për formimin e qendre organizative komuniste. Për formimin e saj çoi në këmbë një celulë të përbërë nga Selim Shpuza dhe Hasan Reçi. Duke zgjedhur si vendbanim Korçën, zhvilloi mbledhje me grupin e Korçës.

Në 22 korrik 1932 internohet në Berat, ku i pranëvihet njëri prej kuadrove më të mirë të Zyrës Sekrete, Osman Taraku.

Në korrik 1932 - mars 1933 qëndroi në Berat, mars - korrik 1933 në Porto-Palermo, korrik 1933 - qershor 1934 qëndroi në Voskopojë për "ndërrim ajri". Aktiviteti i tij ishte krejtësisht nën mbikëqyrjen e shërbimit sekret. Në qershor të 1934 kthehet në Korçë, ku qëndron i internuar deri më 17 nëntor 1935. Në janar 1936 niset për në Greqi për të sqaruar pozitat e Niko Xoxit dhe Petro Vangjelit. Pa mundur të bënte asgjë pasi nuk i takoi grupet shqiptare në Greqi, niset në Turqi në mars 1936. Më 17 qershor 1936 rihyri në Shqipëri.

Më datë 20 qershor 1936 mbi propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi internimin e tij për 1 vit në Gjirokastër "si propagandist i rrezikshëm në dëm të interesave të shtetit". Kësisoj, më 16 korrik 1936, Kelmendi u shoqërua nga Korça në Gjirokastër. MPB porositte që ai të mbahej në kalanë e Gjirokastrës dhe për këtë mjaftonte një roje. Ministria i shkruante prefektit që t'i sugjeronte Kelmendit ikjen jashtë vendit sepse siç e kishte nisur do t'i shkonte jeta burgjesh e internimesh. Kelmendi kërkoi leje të ikte për kurim dhe më 3 gusht 1936 bashkë me 60 franga ari të dhëna nga prefekti u largua nëpërmjet Vlorës i përmendur në shkresën e daljes që kishte "hedhur themelet e partisë komuniste më 1930".

Më 5 shtator 1936 mbërrin në Bari ku takohet me Qamil Çelën, vijoi në Torino dhe përfundon në Francë. Fillimisht në Lion e më pas në Paris. Kthehet edhe njëherë në Moskë për të vdekur më pas në Paris më 7 shkurt 1939. U varros me shpenzimet e shoqatës filantropike "Secours Populaire" të atij qyteti, në ceremoninë e varrimit foli Q. Çela dhe deputeti komunist francez Midol.

Më 24 dhjetor 1947 eshtrat e tij u çuan në varrezat e dëshmorëve në Korçë, qytet në të cilin para godinës së bashkisë u vendos një bust i tij[1].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 112-114. ISBN 978-9828-106-38-4