Vasil Shanto

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vasil Shanto

Vasil Shanto (Vrakë, 17 gusht 1913 - 1 shkurt 1944[1]) ka qenë furrtar dhe një ndër komunistët e orëve të para në Grupin e Shkodrës. Në filmin artistik Militanti, Timo Flloko personifikon Shanton përmes personazhit Visar Shundo. Në nder të tij shumë shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në fshatin Vrakë pranë Shkodrës, i biri i Petrushit dhe Justiankës,[2] familja e tyre qe vendosur në Shkodër prej viseve të Strugës. Më 1930 mundën të gjenin një shtëpi dhe morën edhe familjen e u vendosën përgjithmonë në kryeqytet. Në verën e vitit 1931, Vasil Shantoja bënte pjesë në celulën e parë që ngritën në Tiranë militantët e shquar Ali Kelmendi dhe Asim Vokshi.

Në vitin 1937 në Shkodër e Tiranë u formuan Komitetet Qarkore. Vasil Shanto u zgjodh sekretar i degës së Tiranës. Në kryesinë e kësaj dege bënte pjesë edhe Qemal Stafa. Me punën e Vasilit u ngrit e filloi të punojë në Shkodër baza e teknikës së GKSH dhe e celulave në Elbasan.

Në fund të dhjetorit 1938, qeveria e Zogut arrestoi shumicën e anëtarëve të GKSH, ndër ta edhe Vasil Shanton. Në shkurt të vitit 1939 u organizua gjyqi ku 56 të pandehur akuzoheshin së donin të rrëzonin regjimin. Në këtë gjyq Vasili mori dënimin më të rëndë, 10 vjet burgim më 10 shkurt 1939[2]. Deklaroi se "bindjen e kishte mbrujtur nga pozita e furrtarit, sepse 90% e bukës ishte e infektuar prej tuberkulozit. Kjo sepse shegertët nuk bënin kurrë pushim, sëmureshin dhe flinin në thasët e miellit". Pas 7 prillit doli nga burgu duke përfituar nga një dekret i mëkëmbësit Jacomoni[3].

Duke qenë të dy bashkë në krye të GKSH për degën e Tiranës, Vasil Shanto e Qemal Stafa nisën të organizojnë qëndresën kundër pushtimit fashist. Vasili bie në sy për propagandë antifashiste. Në tetor të vitit 1940, kur kërkohet për t’u arrestuar për herë të tretë, Vasili hidhet në ilegalitet dhe i maskuar në mënyra të ndryshme, vazhdoi veprimtarinë revolucionare dhe antifashiste, duke u treguar një mjeshtër i vërtetë i punës në ilegalitet. Vasil Shanto u vra më 1 shkurt të vitit 1944 në fshatin Vrakë në Shkodër pas një përpjekjeje me forcat e xhandarmërisë.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Myslim Islami, 1981, Vasil Shanto: një jetë në shërbim të Partisë Komuniste të Shqipërisë, "8 nëntori".
  2. ^ a b Kaloçi D., Akuzat ndaj 73 komunistëve në gjyqin me Qemal Stafën, Shqip. - Nr. 121, 6 maj, 2007, f. 18 - 19.
  3. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 160. ISBN 978-9828-106-38-4