Jump to content

Maliq Muço

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Maliq Muço Hero i popullit.

Maliq Muço lindi në Tragjas të Vlorës, në vitin 1922, në një familje me tradita të hershme atdhetare. Stërgjyshërit dhe gjyshërit e tij kanë qenë të përmendur në luftrat kundër sundimit osman, në përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në Luftën e Vlorës 1920 luftuan për të përzënë italianët nga Vlora. Në këtë ambjent atdhetar dhe luftarak u rrit dhe u edukua Maliq Muço. Që në fillim të lëvizjes komuniste, si nxënës i shkollës Tregëtare të Vlorës, ai do të merrte pjesë në grupet e vogla të edukimit me idetë komuniste. Pushtimi fashist italian rriti urrejtjen dhe mobilizimin e tij kundër fashistëve. Si njeri i shkathët, besnik, trim dhe i zgjuar, duke marrë pjesë në të gjitha aksionet luftarake, Maliqi fitoi dashurinë dhe respektin e shokëve për trimëri e besnikëri. Prandaj me propozimin e shokëve të PKSH u dërgua në Pezë në këtë vatër të luftës partizane. Këtu u njoh me komandantin e çetës Myslym Peza, si dhe shokët Kajo Karafili, Kristo Themelko, Vasil Shanto, Pandi Nasho, Nuz Hakrama, Mustafa Gjinishi, Emin Çelmeta, Sali Verdha, Xhevdet Petrela, Mahmut Agolli, Nazmi Kaba, Shaban Rexha, Bejte Bultica, Avdi Kasalla etj. trima të njohur.[1]

Operacioni armik i Dimrit (1943 - 1944) synonte shpartallimin e partizanëve të Grupit të Pezës. Gjermanët sulmuan në të gjitha drejtimet me artileri të rëndë dhe forca të stërvitura alpine. Batalioni i parë veproi në zonën e Vrapit, ku u ndesh gjithë ditën me armiqtë. Trupat gjermano-balliste gjatë këtij operacioni i ranë Pezës kryq e tërthor për ta asgjësuar, por nuk ia arritën qëllimit. Në fund të janarit e fillimshkurtit 1944, Osman Vora, ish komandanti i batalionit të katërt, kishte shpërndarë batalionin dhe ishte bashkuar me forcat balliste. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, kur mori njoftimin për tradhtinë e Osman Vorës, mblodhi partizanët e batalionit të katërt të Shijakut dhe emëroi komandant Shaban Rexhën dhe komisar Maliq Muçon, ish sekretar i Qarkorit të Rinisë në Durrës.[2]

Më 20 shkurt 1944 komanda e operacionit gjerman dërgoi drejt Pezës 400 forca të zgjedhura nazistë me në krye oficerin SS, Fon Hesen, nipi i Feldmarëshallit Gering. Kolona gjermane iu drejtuan Muçalljes. Maliqi me pesë shokët e tij dhe një partizan muçallas i shtabit të Grupit të Pezës, dolën në qafën ku bashkohen të dy kodrat, ajo e Firës dhe e Muçalljes, atje diktuan kolonën armike, menjëherë u maskuan dhe i pritën armiqtë me breshëri automatikësh. Oficeri nazist ra përmbys në një rrëpirë. Një n/oficer u orvat ta tërhiqte eprorin e tij, por u vra dhe ra poshtë në përrua bashkë me një tjetër nazist. E ç’të shihje atëherë! Armiqtë u shpartalluan e s’po shihte më i pari të dytin. Gjermanët dhe ballistët i hodhën mitralozët e kasetat e fishekëve nëpër hendeqe e përrenj dhe u tërhoqën në panik deri në rrugën automobilistike, ku hipën në makina dhe u larguan në panik. Nga ana e gjermanëve mbetën pesë të vrarë dhe disa të plagosur. Ballistët nuk pyetën më për bashkëpunëtorët e tyre gjermanë dhe u larguan secili për llogari të vetë.

Lufta e Gërmanit, 1 qershor 1944. Batalioni i parë partizan i Grupit të Pezës, në 30 maj 1944 u vendos në Gërman, i cili gjendet afër Kavajës. Më 1 qershor fshati u rrethua nga 800 gjermanë e ballistë, të cilët synonin të shkatërronin partizanët e batalionit. Një orë para se të zbardhte dita, komisari Maliq Muço me katër partizanë ishte bashkuar me shokët e batalionit dhe u përgatit për të çarë rrethimin. Situata ishte shumë e vështirë. Armiku kishte zënë të gjitha vendet dominuese. Ai ishte i armatosur me mitraloza të rëndë e të lehtë dhe gjatë natës kishte përgatitur pozicione mbrojtëse. Komisari i batalionit dha urdhër që të fillohej sulmi për çarjen e rrethimit. Anëtarët e partisë kur filloi sulmi, u vunë të gjithë në krye të skuadrave. Lufta vazhdoi e rreptë dhe në ballë të luftimeve printe vetë komisari trim Maliq Muço. Edhe pas disa orësh luftimesh lufta vazhdoi e ashpër dhe në asnjë vend nuk ishte çarë rrethimi. Një grup fshatarësh të Cikalleshit u përgatitën dhe shkuan në ndihmë të partizanëve. Ata zunë një kodër në verilindje të Gërmanit dhe filluan të shtinin kundër armiqve që ishin 300-400 m larg. Duke u gjendur ndërmjet dy zjarreve të luftës, ballistët u tërhoqën në panik dhe lanë pozicionet e tyre. Pas kësaj iu hap rruga batalionit të parë, i cili filloi të tërhiqej në drejtim të Cikalleshit. Në ato momente Maliq Muço me dy shokë të tjerë luftuan me trimëri derisa dhanë jetën për të siguruar tërheqjen e shokëve. Kjo luftë i kushtoi shumë batalionit të parë të Grupit të Pezës. U vranë komisari i batalionit Maliq Muço dhe partizanët Shaziman Harizi, Islam Trimi, Josif Pambuku, Erminio (italian) Sllobodani (jugosllav) dhe u plagosën 20 partizanë. Nga ballistët u vranë disa vetë dhe një u zu rob, pati dhe shumë të plagosur.

Në buletinin e jashtëzakonshëm të Grupit Partizan të Pezës. për luftën e Gërmenit, shkruhet: “Forcat tona mundën të çajnë rrethimin. Gjermano-ballistët nga sulmi i batalionit humbën pusullën dhe u detyruan të tërhiqen në panik të madh, duke lënë në vend përmbi 40 të vrarë dhe shumë të plagosur. Nga ana jonë, pasi luftoi heroikisht në vijën e parë të zjarrit, ra në fushën e nderit komisari politik i batalionit, trimi Maliq Muço…”…Maliq Muçoja ra. Populli shqiptar humbi një ndër djemtë më të mirë. Ushtria NÇSH humbi një ndër luftëtarët më të zotë. PKSH e Shqipërisë humbi një ndër luftëtarët më aktivë dhe partizanët e batalionit udhëheqësin dhe organizatorin e tyre të çmuar. Po gjaku i Maliqit i çelikos edhe më tepër radhët tona, na jep forcë dhe kurajo edhe më të madhe mbi armiqtë”.

Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Maliq Muçon me titullin më të lartë Hero i Popullit.

Shkolla 8 vjeçare në Durrës që sot mban emrin "Shaqe Mazreku" (që prej vitit 1991), gjatë periudhës komuniste mbante emrin "Maliq Muço".

  1. ^ "Maliq Muço".
  2. ^ "Maliq Muço".