Jump to content

Ganimete Tërbeshi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Ganimete Terbeshi)

Ganimete Tërbeshi (1927-1944, Kosovë) është heroinë e popullit shqiptar, e cila u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), në Kosovë.

Ajo u përfshi në radhët e Lëvizjes Antifashiste, që nga viti 1941, si 14 vjeçare, njëherë si pioniere që bartte postën ilegale, sillte e merrte lajme. Një vit më vonë u pranua si komuniste e re. Edhe pse e re, ajo ishte shumë besnike dhe e guximshme.

Ganimete Tërbeshi vinte nga një familje patriotësh nga Gjakova. Ajo ishte motra e dëshmorit Abedin Tërbeshi. Kur Abedinin e morën të vdekur nga shtëpia, ajo thirri: “Ndalu Abedin, se i kam nja dy fjalë me ty, edhe pse gjakun tënd ka kush ta merr, motra jote ka aq forcë, që ta marrë me këto duar”. Kjo klithje e saj i tronditi të gjithë pjesëmarrësit në funeralin e varrimit të Abedinit, saqë s’mbeti njeri pa qarë “, rrëfeu Muhamet Oruçi, pjesëmarrës në varrim.

Përveç të vëllait, të angazhuara me të në luftë ishin edhe motra e saj, Hidajete Terbeshi, Muradije Tërbeshi, e njohur si halla e Tërbeshit, Shefkije Tërbeshi e shumë gra të tjera Shtëpia e familjes së saj, si para vdekjes së të vëllait, ashtu edhe pas vrasjes së tij, vazhdoi të shërbente si njëra ndër bazat kyçe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Gjakovës, madje edhe në ditët më të vështira fashizmit.

Ndonëse revoltën e saj e kishte filluar qysh në moshën 14 vjeçare, megjithatë lufta e saj u intensifikua pas vrasjes së vëllait të saj, Abedinit. Por, punën e saj të palodhshme e kishte zbuluar armiku dhe atë e kishin burgosur së bashku me hallën Shefkije. Pas një qëndrimi të shkurtër në burgun e Pejës, atë e internuan në kampin e Prishtinës.

Ganimeten e kishin dërguar atje së bashku me nëntë shokë e shoqe të idealit, të cilët e kishin këshilluar shpeshherë atë të mos fliste për hir të luftës që duhej ta vazhdonin, por ajo nuk i kishte dëgjuar asnjëherë. Ajo përgjigjej sypatrembur: “S’kanë ç’të më bëjnë, vetëm të më mbysin. Unë jam një, e ne jemi me mijëra e mijëra. Le të dëgjojnë nga një shqiptare se ç’mendojmë për ta”.

Vrasja e Ganimete Tërbeshit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vendosën që ta varin Ganimeten së bashku me të gjithë shokët e shoqet e burgosur me të. Në mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1944, atë e sollën të lidhur në Gjakovën e saj. Në Namazgjah ishin vendosur trekëmbëshat. Në sytë e saj u vranë nëntë shokët e saj, njëherësh pjesëmarrës t; Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ndërsa, të dhjetën dhe të fundit varën Ganimeten. Para se ta varnin, ajo iu drejtua armikut me këto fjalë: “Tradhtarë! Do ta marrin hakun shokët!”.

Vrasja e Ganimetes dhe e shokëve të saj kishte shkaktuar tronditje dhe kishte bërë bujë të madhe tek të gjithë qytetarët e Gjakovës dhe të Kosovës.

Pas vdekjes së Ganimetes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ganimetja vdiq, por heroizmi i saj jeton ende sot e asaj dite e të bëmat e saj përcillen nga gjenerata në gjeneratë, duke u marrë si shembull, guximi dhe patriotizmi për të gjitha gjeneratat e ardhshme në luftën për liri.

Ndonëse ishte vetëm 17 vjeçare kur vdiq, asaj i janë kushtuar dhjetëra vargje e këngë, të kënduara nga rapsodët ndër vite. Sot, emrin e saj e mbajnë dhjetëra shkolla fillore e të mesme në Kosovë.

Për heroizmin e Ganimetes, në vitin 1973 kishin shkruat edhe mediet serbe, të cilat kishin shkruar se si Ganimete Tërbeshi arrestohet në Pejë në vitin 1944, më pas transferohet në Prishtinë. Një shkrim në Yugopapir me titullin: “Heronjtë e rinj të Jugosllavisë” e tregon edhe jetën e Ganimetes.[1] [2] [3]

  1. ^ Ilazi, Hanëmshahe (2015). Gra të njohura të trojeve shqiptare. Prishtinë, Kosovë: KOHA. fq. 73–74. ISBN 978-9951-685-25-2. {{cite book}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Zëri. "Femrat gjakovare që lanë gjurmë". zeri.info. Zëri. Arkivuar nga origjinali më 21 nëntor 2018. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Kult Plus. "Heroina shqiptare Ganimete Tërbeshi, e guximshmja kundër fashizmit". www.kultplus.com. KultPlus. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)