Mehmet Shpendi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Mehmet Shpendi
Fotoporteti
Emri Mehmet
Mbiemri Shpëndi
Lindur më 1851
Lindur në Shalë, Shkodër.
Vdiq më 15 korrik 1915
Vdiq në Ndërkiza, Plan.
Kombësia Shqiptar
Profesioni Strateg Popullor
Mirënjohje
Hero i Popullit

Mehmet Shpendi, (Pecaj, 1851 - Ndërkiza, Plan, me 15 korrik, 1915) qe bashkëthemeluesi dhe udhëheqësi kryesor i Djelmnisë së Shalës, përfaqësues i Shalës në kryengritjen e përgjithshme të Malësisë së Madhe, udhëhoqi çetat e luftëtarëve trima kundër forcave Turke dhe Malazeze.

Jeta[redakto | përpunoni burim]

Mehmet Shpendi lindi në vitin 1851 në Pecaj të Shalës, në trevën e Dukagjinit të Shkodrës, i vllaznisë së parë të Pecnikës, i njohur me ëmrin Sokol Shpëndi (pagëzuar në Kishën e Shën Gjonit në Abat) i biri i Shpënd Sadrisë. Mehmet Shpendi, rrjell nga fisi kryengritës i Shalës, nga një familje e dalluar me tradita të larta Atdhetarie, e respektuar jo vetëm në fshatin ku jetonte, por në të gjithë krahinën e Dukagjinit dhe tanë Malësinë kreshnike. Burri heroik i Shalës, i cili u shqua në shumë luftëra për trimëri dhe qëndresë të vëndosur Kombëtare, duke mos pushuar së luftuari për liri dhe Atdhe deri në vdekje. Ishte gjithashtu pinjoll i njërit nga 7-të Heronjtë e paharruar të Shalës (Shtatë Shaljant), si pasardhës i denjtë i trimave të tillë legjendar.

Pak histori[redakto | përpunoni burim]

Mehmet Shpendi me betejat që udhëhoqi dhe trimërit që ai tregoi, do të kthehej në një Hero i vërtet dhe Atdhetar i shquar jo vetëm i Shalës, por edhe i Kombit mabar në tërësi, kudo u ba pjesë e kryengritjeve të parreshtura Kombëtare. Në vitin 1883, në Çezme të Koplikut, Mehmet Shpendi, në emër të Dukagjinit, ishte përkrah me Dedë Gjo Lulin për të kundërshtuar Komisionin e Xhibalit të formuar në vitin 1856-të. Veprimtaria luftarake e Mehmet Shpendit, merr hov sidomos nga viti 1878, pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, kur i prirë nga Flamuri i saj, vihet prapë në krye të përpjekjeve për liri, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra për mbrojtjen e trojeve Shqiptare të asaj kohe, përveç ekspeditave Turke, rrezikoheshin pareshtur edhe nga pushtuesit Malazezë të Knjaz Nikollës.

Në vitin 1890-të formohet “Djelmnia e Shalës”, të cilën e udhëhoqi gjenerali popullor Mehmet Shpendi. Organizim ky i cili nga Baron Nopça u cilësua, opozita e parë Shqiptare në gjirin e shoqërisë Malësore. Djelmnia e Shalës ishte partia ma e fortë popullore, pa të cilën as flamurtari dhe as krenët e fisit nuk mund të merrnin vëndime të ndryshme, ajo ishte organ ekzekutues dhe vëndimtar, ajo gjithashtu vëndosi ligje të reja shtesë që sot n'dodhen tek kanuni i Lekë Dukagjint. Vëndime të bame me 30, Prill, viti 1905 (Kanuni i Lekë Dukagjinit, faqe, 127-128).

Veprimtaria atdhetare patriotike[redakto | përpunoni burim]

Festimi i “Hyrjetit” Turk dhe lirimi i të burgosurve;

Burgosja dhe keqtrajtimet ndaj bashkëkombasve të heroit nuk pushonin as gjatë ceremonive festive siç ishte rasti me përurimin e organizuar për hyrjen në fuqi të “Hyrjetit” apo kushtetutës Turke të vitit 1908. Në ceremoninë që mbahej në Shkodër, ku ishte i ftuar edhe Mehmet Shpendi, Valiu i Vilajetit të Shkodrës u fliste me pompozitet për të "mirat" që do tu sillte edhe shqiptarëve kushtetuta, ndërsa Mehmet Shpendi do të pyeste me ironi, duke i prerë fjalën atij, se si një Vali turk mund tu premtonte aq shumë të drejta dhe liri shqiptarëve derisa shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre të cilët u munduan gjatë për vendosjen e kësaj Kushtetute edhe me rastin e festimit të saj, mbahen të mbyllur në burgjet perandorake.

Valiu, duke ditur pezmin që mund të shkaktonin fjalët e tij, vonoi të përgjigjej, ndaj duke parë hezitimin e Valiut që të fliste mbi atë temë, Mehmet Shpendi do tu drejtohej të pranishmëve me zë të lartë dhe fjalë shpërthyese:

O burra, këta që na ftuan ne si "miq" në këtë festë e ku po na folin për të drejta dhe liri, si ka mundësi që shokët tanë i mbajnë të mbyllur në burgje, kurse me ne të festojnë... Kush i thotë vetit Shqiptar, ejani t’i lirojmë vëllezërit tanë, sepse lirinë dhe të drejtat që po na garantuaka kushtetuta, po aq sa ne, e duan edhe ata!

Thirrjes së Mehmet Shpendit do ti bashkoheshin menjëherë 200 bashkëkombas të pranishëm, të cilët do të hapnin dyert e burgut dhe lironin të gjithë të burgosurit shqiptarë. Poeti Risto Siliqi, kështu do të shprehej për Mehmet Shpendin;


…S’e tradhtoi kurrnji soj krejet,
Top as pushkë’ s’mund ta frikojnë,
Sytë i ka si shkëndi rr’feje,
Me t'kqyrë pak, ata të shitojnë…


Heroizmi i qafës së Agrit;

Për cilësitë udhëheqëse të Mehmet Shpendit, trimëritë që ai ishte në gjendje të dëshmonte dhe qëndresat heroike që dinte të organizonte, flet më së miri fakti se nga 10 deri më 24 Korrik të vitit 1910-të, pas një lufte heroike, në Betejën e qafës së Agrit ai me rreth 3,000 bashkëluftëtarë trima Dukagjinas, kishin arritur t’i thyenin me turp dhe t’i kthenin prapa rreth 12,000 forca pushtuese Turke të pajisura me armatimin më modern të kohës, të cilat operonin nën komandën e gjeneralit më të ashpër Otoman të asaj kohe, komandantit të Divizionit të Shkodrës, Shefqet Turgut Pasha. Kjo ngjarje heroike e udhëhequr me aq sukses nga Mehmet Shpendi, do të përjetësohej edhe me këngët më të zgjedhura epike nga populli shqiptar:

…Turgut pasha ish çuditë,
Se ç’do gur i dukej pritë,
Prej çudie ai mori frikë,
K’theu ushtrinë e u nis me ikë...

Këtu po shkëpusim këngën popullore origjinale, që i kushtohet Mehmet Shpendit, dhe kësaj ngjarje të madhe historike;

Bjeshkët e Shalës mblodhën jezerin;

Bjeshkët e Shalës mblodhën jezerin,
Mehmet Shpendi e rrok' manxerrin,
Eni trima te tanë të vdesim,
Hyp mbi shkrep e pisket si zana,
Mbushet bjeshka me djelm azgana,
Veç për luftë i ka lind nana,
Mehmet Shpendi me Djelmni,
I kan n'zan pritat varg e vijë,
Dridhet Pasha në atë Krajli,
Mbi taborre të Tërgut Pashës,
Trimi i Shqipes fort Vikat,
Mbushni hutat me barot t'thatë,
Malet tona mbi shkamb e gur,
Shalë e Shosh, Nikaj-Mërtur,
Trojet tona si l'shojmë kurrë.


Mehmet Shpendi ishte bashkëpunëtorë i ngushtë dhe bashkëluftëtar i pandashëm i Isa Boletinit, me të cilin ai dhe Dedë Gjo Luli jo vetëm luftonin por nënshkruanin memorandumet e njohura, me kërkesat më të bujshme Historike dhe Kombëtare drejtuar Fuqive të Mëdha Evropiane. Heroi Mehmet Shpendi bashkë me Dedë Gjo Lulin, shkëlqyen me trimëritë e treguar qysh në betejën e Rrzhanicës kundër forcave Malazeze të komanduara nga Mark Milani, duke e thyer atë me turp, në sulmin pushtues që kishte nisur në krye të ushtrisë Malazeze, kundër trojeve tona Kombëtare në atë pjesë të Atdheut.


Memorandum pas Memorandumi;

Përpjekjet e Mehmet Shpendit për çlirimin e vëndit, kudo që ai ndodhej, nuk pushuan asnjëherë. Në fillim të vitit 1911, ende pa dalë mirë pranvera, ai do të shkonte në Shkodër për tu bashkuar me patriotët Isa Buletini, Dedë Gjo Luli, Hasan Bushati, Zenel Shabani i Kastratit, Haxhi Muja i Tuzit dhe disa prijësa të tjerë të njohur të krahinave Shqiptare, ata do të takoheshin në Cetinë të Malit Zi, të cilët më 23 Mars të ati viti, do të nënshkruanin së bashku një memorandum pesë pikësh drejtuar fuqive të mëdha Evropiane, përmes të cilit do të kërkonin;

1. Të garantohej paprekshmëria e trojeve Shqiptare.
2. Gjuha Shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe të mësohet në shkollat e të katër vilajeteve të tyre.
3. Nëpunësit të jenë vëndas dhe të pranohet Kombi Shqiptar.
4. Tatimet vëndore të përdoren në vënd për rregullimin e jetës së popullit aty.
5. Ushtarët shqiptarë të shërbejnë vetëm në vilajetet e Shqipërisë. (Gazeta “Drita” më 27 prill, viti 1911.)

Duke pasur parasysh përpjekjet e tij të pareshtura patriotike, Mehmet Shpendin edhe Akademiku Mark Krasniqi me të drejtë do ta cilësonte si njërin nga Heronjtë e Plejadës së Patriotëve më të mëdhenj të Kombit Shqiptar. (Akademik Mark Krasniqi “Gjurmë e Gjurmime” Prishtinë, viti 1979).


Trimat e Malësis me në krye Dedë Gjo Lulin u bënë tok' me Dukagjinasit me në krye Mehmet Shpendin. Mehmet Shpendi ishte shokë i ngushtë armësh me Dedë Gjo Lulin, te dy udhëheqës kreshnik të Malësis së Veriut, nga ku këtu po shkëpusim nji pjesë të nji kange kushtuar këtyre trimave legjendar;

...Shif i herë at' me flokë të bardhë,
Ai po thojnë asht Dedë Gjo' Luli,
Qi ma i fort nuk bahet burri,
Shifë atë që tash kuvëndi,
Ai pra asht vet' Mehmet Shpendi,
N'daç trim boll, në daç dai,
Mos me ju gjetë shoqi n'Malci...


Me 6 prill 1911, kryengritësit e Malësisë se madhe valëvisin flamurin në Deçiq. Në luftën për ngritjen e Flamurit morën pjese edhe luftëtarë nga Dukagjini, në të cilën u vra Bush Delija i Palajve të Shoshit.

...Vigana tue i dhanë Shqipnis,
Po an'e mban,
Bini, bre burra, bini k’saj Turkie,
Dirgu, moj djelmni, e bjer në tiran,
Me nji Gurakuq, me nji Ded Gjo’ Lul,
Me nji Mehmet Shpend e me nji Prel Tul,
Me ne jan Lek't, që u shkrinë për Shqipni! ...

Me 5 deri 10 Qershor të vitit 1911-të, qeveria Turke shpalli amnisti për luftëtarët e lirisë, duke parë rrezikun e përhapjes së kryengritjes së Përgjithshme, Ministri i jashtëm i Turqisë, kërkon dhe merr takim me udhëheqësit popullor të kryengritjes, Dedë Gjo Luli dhe Mehmet Shpendi, të cilët ata i thonë; “Sado që ti je ministër i Sulltanit, ne e kemi për turp me bisedue me ju. Vetëm arma e baruti, do të jenë përgjigja e jonë …”.

Më 23 Qershor të vitit 1911 si përfaqësues i “Djelmnis së Shalës”, Mehmet Shpendi do ta nënshkruante edhe Memorandumin e Greçës. Emrit të Mehmet Shpendit i shtohet shkëlqimi edhe më tepër në luftimet e Kryengritjes së përgjithshme Kombëtare të vitit 1912, duke i bërë jehonë historisë së çlirimit sidomos në Gushtin e atij viti, kur në krye të luftëtarëve Dukagjinas, pas luftimeve historike përkrah Bajram Currit e Zeqir Halilit do të hynin bashkë dhe ballëhapur, si heronj Kombëtar në Shkupin e çliruar.


Takimi te Ura e Shalës dhe ngritja e Flamurit në Abat;

Në aktivitetet e pareshtura Kombëtare të Mehmet Shpendit, n’drit edhe në takimin me të gjitha fiset e Dukagjinit, organizuar me 28 Maj të vitit 1911, në vëndin e quajtur, te Ura e Shalës, ku nga pjesëmarrësit e kuvendit, do të vëndosej që i gjithë Dukagjini si dhe mbarë Malësia e madhe, të ngrihej në kryengritje të armatosur kundër pushtuesit Turk dhe Malazez.

Aktiviteti kryengritës i Mehmet Shpendit ishte i pranishëm në çdo cep të Atdheut, kudo që luftohej dhe përgjatë të gjitha përpjekjeve kombëtare, deri në Shpalljen e Pavarësisë së trojeve Shqiptare më 1912. Madje i entuziazmuar për Rilindjen e Kombit Shqiptar, kur nga të gjitha ato luftëra dhe beteja të ashpra Shqipëria do të shpallet Shtet më veti. Ai me të marrë vesh lajmin e gëzuem për Shpalljen e Pvarësisë së Shqipëris dhe ngritjen e Flamirit Kombëtar nga Ismail Qemali në Vlorë, me datë 28 Nëntor 1912-të, së bashku me shumë trima Shaljan dhe Dukagjinas, me krenari do të ngrinte Flamurin Kombëtar edhe në trevën e tij, duke zgjedhur si vëndin më të përshtatshëm për këtë ngjarje të madhe historike, vet logun e Kuvëndit të burrave të Shalës në Abat, ata i banë malet të ushtojnë prej kushtrimit dhe gëzimit; "Duel Shqipnia më Veti, i shpëtuem dore Turkut të Stambollës" (Revista Hylli i Dritës, Shkodër 1942, nr. 5 faqe. 252).


Monumenti i Heroit të Popullit Mehmet Shpëndi, në Shkodër.


Vrasja me tradhti e Mehmet Shpendit;

Fatkeqësisht me gjithë kontributin e tij dhe përpjekjet e pareshtura kombëtare që ndër vite u zhvilluan, gëzimi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e Shqiptarve, si për të gjithë popullin tonë ashtu edhe për heroin Mehmet Shpendi nuk do ishte i plotë as jetë gjatë. Siç është e njohur nga historia, pas përzënies së forcave Turke me luftën e Shqiptarve nga trojet tona, shtetet hegjemoniste fqinje sipas orekseve të tyre të sëmura, pa vonuar do të mësynin dhe copëtonin Shqipërinë nga të gjitha anët. Kurse në vitin 1915, ushtria pushtuese Malazeze, përveç tjerash do të niste sulmin edhe për pushtimin e Dukagjinit të Mehmet Shpendit. Ndaj, ata duke ditë trimëritë e Shaljanve dhe aftësitë luftarake të prijësit heroik të asaj treve si Mehmet Shpendi, gjenerali Malazez Radomir Veshoviq, do ta ftonte udhëheqësin e Shalës në një bisedë “dypalëshe”, kinse (sikur) për lidhjen e një marrëveshje armëpushimi me Shqiptarët, siç do ti thoshin atij.

Dhe pasi i kishte shëtitur rreth e rrotull gjatë gjithë ditës, gjoja se udhëtonin për bisedime te Krajl Nikolla, Veshoviqi shfrytëzoi mos prezencën e Mehmet Shpendit, për futjen e 1,500 ushtarëve Malazez në trojet shqiptare nga Ura e Mesit ku ishin përqendruar që më parë, duke kaluar fshehurazi qafën e Boshit dhe vëndosur në Dakaj të Nënmavriqit të Shalës. Por me gjithë mungesën e Mehmet Shpendit, Shaljanët trima të vëndosur për të dhënë jetën e tyne për vatan, do ti prisnin në mënyrë të merituar mysafirët e paftuar atje, me ç’rast pas një beteje të shkurtër, ushtarët Malazez do të mundeshin dhe dorëzoheshin pa kushte që të gjithë. Më 5 korrik të vitit 1915, sipas traditave luftarake të kohës, pas çarmatosjes të palës së mundur në fushëbetejë, ushtarët e kapur Malazez si rob lufte, do të kalonin nën pushkët e kryqëzuara të luftëtarëve Dukagjinas tek Ura e Shalës, të cilët Shaljanët pastaj do ti përcillnin deri në qafë të Pejës, për tu lënë të lirë të ktheheshin në Mal të Zi.

Por me të marrë vesh këtë lajm gjenerali Veshoviq, do të lidhte në pabesi Mehmet Shpendin dhe do të dërgonte një brigadë tjetër ushtarësh Malazez në vëndin e quajtur Plan. Madje, aty do të vinte edhe vet Veshoviqi, ku në mënyrën më të ulët dhe cinike do të sillte të lidhur për laku të gjithë delegacionin e marrë pëng Shaljan me në krye Mehmet Shpendin. Ditën e 15 Korrikut të vitit 1915 në afërsi të vëndit të quajtun N’dërkisa afër Qereshit të Planit, shovinistët Malazez, të udhëhequr nga armiku i përbetuar i Shqiptarve Radomir Veshoviq, përkundër "besës" që i kishte dhënë Mehmet Shpendit dhe delegacionit Shqiptar, ai do të urdhëronte masakrimin e Mehmet Shpendit, Marash Delisë, Çun Nikës dhe të gjithë ata që i shoqëronin. Gjithashtu në fushë të betejës, dhe konkretisht në vëndin e quajtur rrasat e qafës së Boshit Gimaj, vritet edhe lutëtari trim Vat Gjeloshi nga Abati, dhe pas kësaj agresorët barbarë vijuen veprimet e tyre mizore luftarake, duke vra e pre mbi 72 burra, gra, pleq dhe fëmijë të tjerë, të Planit dhe të Dukagjinit duke mos bërë asnjë përjashtim. Strategu popullor dhe Udhëheqësi i shquar i “Djelmnis së Shalës” Mehmet Shpendi, përpara se ti mbyllte sytë, ka lanë nji amanet, dërgue fisit të Shalës dhe tanë Dukagjinit;

“Tokë e qiell dorzan ju paça lanë, besë anmikut kurr mosë me i n’zanë”.

Amanet të cilin me dëshirë do ta kishte lanë edhe Çerçiz Topulli, vrarë po ashtu me urdhër të  Gjeneral Veshoviqt, i cili pas masakrimit të mbi 2,000 Shqiptarve të Kosovës dhe rrethit të Shkodrës, më 15 korrik të vitit 1915, kishte zgjedhë fushën e famshme të Shtoijt ku dikur Shaljant legjendar kishin lidhë besën me “Shoqi-Shoijn”. Numri i të vrarëve të figurave më madhore të popullit tonë në prita dhe tradhti, do ti shtoheshin edhe tre heronj Kombëtar, nga tri kënde të veçanta dhe anë të ndryshme të trojeve tona etnike si; Çerçiz Topulli nga Jugu, Mehmet Shpendi nga Dukagjini në Veri dhe Isa Boletini nga Veri-lindja e Atdheut, humbjen e të cilëve jo vetëm se do ta përjetonin rënd, por do e ndjenin gjatë të gjithë Shqiptarët pa përjashtim.

Burime informacioni[redakto | përpunoni burim]

  • 1. Lahuta e Malsisë "Mehmet Shpendi”, faqe 460-versioni Anglisht. 2005 I.B. Taurus & Co.Ltd, New  York”).
  • 2. Risto Siliqi “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” Trieste, 31 Korrik, 1912.
  • 3. Pal Doçi, “Mehmet Shpendi i pari i djelmënisë së Shalës” ,Tiranë, 1966.
  • 4. Akademik Mark Krasniqi  “Gjurmë e Gjurmime” 1979, Prishtinë.
  • 5. Shqipëria.com, Kryengritja e Kosovës e vitit 1910.
  • 6. Shqipëria.com, Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912.
  • 7. Libri “Krijuesit e Historisë” Prishtinë, viti 2012.
  • 9. Prël Milani dhe Lazër Kodra "Studime”.

Shih edhe këtë[redakto | përpunoni burim]

Shtatë Shaljant, Mikel Koliqi, Mark Lula, Djelmnia e Shalës, Beteja e Qafës së Agrit, Dedë Gjo Luli, Marash Delia, Vat Gjeloshi, Martin Camaj, Dukagjini, Shala e Shkodrës, Abat, Thethi, Kiri, Pulti (krahinë), Nikaj e Mertur.

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]