Spiro Kote
Spiro Kote (dhjetor 1926 - ?) ishte një oficer i Flotës Luftarako-Detare, i cili njihet për vrasjen e tre marinarëve shqiptarë në bordin e motovedetës "Mujo Ulqinaku", të cilët tentuan arratisjen për në Itali më 1 qershor 1947; kështu u tregua ngjarja nga regjimi komunist, por e vërteta mund të ketë qenë ndryshe.[1] Për këtë vepër ai u dekorua me urdhrin "Hero Kombëtar", i barabartë me "Heroin e Popullit" të mëvonshëm. Ngjarja fuqizoi propagandën komuniste, me qëllim diskurajimin e arratisjeve kufitare.[2]
Kjo ngjarje u ekranizua përmes filmit "Duel i heshtur" i vitit 1967.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Origjina e familjes së tij ishte nga Maqedonia, por u zhvendosën në Korçë. Babai ka ardhur i vogël në Durrës. Spiro Kote ka lindur në Korçë, por erdhi i vogël në Durrës. Mbaroi filloren dhe 2 klasë të shkollës bujqësore në Kavajë. Atje ka parë dy herë partizanë dhe ka nisur t’i simpatizojë.
Në vitin 1943, Spiroja la shkollën dhe shkoi në Tiranë ku punoi si marangoz. Më 1945-ën, erdhi në Durrës, ku punoi si karpentier në Portin e Durrësit. U thirr në armë në Gjirokastër. Meqë punonte në port, e mbajtën aty. Në vitin 1947, 10 ditë para ngjarjes, u fut në radhët e Rinisë Komuniste, por nuk mori pjesë në mbledhje. “Ky jetën e ka kaluar para se të shkonte ushtar në vuajtje, d.m.th. vazhdimisht me punë të vështira. Në qytetin tonë nuk ka qenë i organizuar, për arsye se në vogëli, nuk ka pasur qëndrim të mirë moral. Tani të jep përshtypjen e një punëtori të thjeshtë e të padjallëzuar, punëtor aktiv dhe të disiplinuar. Gjatë gjithë okupacionit, ka qenë i paorganizuar, por interesohej të gjente komunikata dhe t’i lexonte” – mbyllet raporti i Iljaz Rekës, sekretari politik të Durrësit, për të.[3]
Ngjarja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1 qershor të vitit 1947, kapteri Vlash Bushi, 36 vjeç, nga Durrësi; marinari Xhemal Kërrniqi, 22 vjeç, nga Durrësi dhe marinari Enver Kruçi, 21 vjeç, nga Shkodra, mashtruan Koten, që ishte roja e motovedetës "Mujo Ulqinaku", dhe u nisën në drejtim të Italisë nga Porti i Durrësit me qëllim arratisjen. Në raportin e datës 5 qershor 1947, të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Durrës, ndër të tjera thuhet: “Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të Mezokanalit, i njoftojnë marinarit roje, qëllimin e veprës dhe ikjen për në Itali. Atëherë, marinari në fjalë, mendohet dhe merr masat për t’i vrarë, me një automatik që ndodhej i varur në dhomën e fjetjes së motovedetës. Duke përfituar nga rasti, se dy tradhtarët ndodheshin në timon, vret të tretin në dhomë dhe pastaj vret edhe dy të tjerët, një nga një. Pasi kryen këtë vepër, merr vetë drejtimin e motovedetës (megjithëse nuk e kishte përdorur ndonjëherë, pasi ishte marinar i ri) dhe kthehet për në Durrës, në orën 20:00, duke vënë në dijeni për ngjarjen Kapitenerinë”.[4]
Ka shumë dyshime mbi ngjarjen, dhe shumë mendojnë që nuk ka qenë e vërtetë, ose që ka qenë një vrasje e paramenduar e Sigurimit të Shtetit.[5]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Spiro Kote dhe e vërteta e heroit te filmi "Duel i heshtur"". www.panorama.com.al. 2025-09-04. Marrë më 2025-09-04.
- ↑ https://memorie.al/nga-ngjarja-e-spiro-kotes-te-dyeli-heshtur-i-cili-su-pranua-ne-parti-per-probleme-morali-te-vrasja-ne-kufi-ne-90-en-e-kater-djemve-nga-korca/
- ↑ ""Nga ngjarja e Spiro Kotes te 'Dyeli heshtur', i cili s'u pranua në parti, për probleme morali, te vrasja në kufi në". Memorie.al. 2023-06-11. Marrë më 2025-09-04.
- ↑ ""Nga ngjarja e Spiro Kotes te 'Dyeli heshtur', i cili s'u pranua në parti, për probleme morali, te vrasja në kufi në". Memorie.al. 2023-06-11. Marrë më 2025-09-04.
- ↑ "Spiro Kote dhe e vërteta e heroit te filmi "Duel i heshtur"". www.panorama.com.al. 2025-09-04. Marrë më 2025-09-04.