Llazar Fundo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Llazar Fundo (1899 - 1944) ose Zai Fundo ishte aktivist dhe mandej kryetar i shoqërisë "Bashkimi" të Avni Rrustemit, eksponent i njohur i Lëvizjes Komuniste dhe anëtar i Partisë Komuniste Franceze, ish-punonjës i ambasadës ruse në Berlin, më tej gazetar social-demokrat, veprimtar i Ballit Kombëtar.

E braktisi ideologjinë komuniste më 1936, sepse, siç i shkruante Nolit, komunizmi ia kalonte edhe "Satanait për nga ligësitë"[1].

Jeta[redakto | përpunoni burim]

Llazar Fundo lindi në GoricëKorçës20 mars në një familje tregtare me origjinë vllehe[2] nga Voskopoja. Ndoqi Liceun francez në Selanik, më pas studimet për drejtësi në Sorbonë të Parisit ku ra në kontakt me idetë komuniste. Më 1923 u kthye në Shqipëri me profesionin jurist. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë Bashkimi (1922-1925) Pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën “Bashkimi”.

Mërgimi pas 1924[redakto | përpunoni burim]

Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi. Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën “Liria Kombëtare” e Omer Nishanit. Gjatë qendrimit në Vienë aderon në Federatën Komuniste Ballkanike, që kishte në brendi KONAREn dhe Komitetin e Kosovës, ku Zai ishte aktiv. Më pas emigron drejt BRSS-së, diplomohet për filozofiMoskë dhe jep leksione të kësaj lënde në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern.

Merr pjesë në Kongresin e 8të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi rreth formimit të partisë komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar të formohet Grupin Komunist të Korçës.

1933-'39: Kundra-Stalinit dhe dëbimi nga Kominterni[redakto | përpunoni burim]

Me 1933 ndodhej në Gjermani ku sheh Zjarrin e Reichstagut dhe largohet drejt Bashkimit Sovjetik me të gjykuarin e Leipzig-ut, Gjergj Dimitrov. Dënohet me vdekje nga Kominterni për qendrimin kundra-Stalinist më 1938, por Dimitrovi - atëherë prijës i Kominternit - e rrëzoi vendimin.

Kthimi në atdhe[redakto | përpunoni burim]

Me 1939 pas pushtimit italian kthehet n'atdhe. Nisë punën si mësues gjimnazi. Hiqet pas një viti për veprimtarinë e tij anti-italiane bashkë me Ali Këlcyrën, me të cilin puqet dhe në mendimin politik të qendrës së majtë. Kapet nga italianët dhe internohet në ishullin famëkeq të Ventotenes. Atje do ishte bashkë me Safet Butkën, Myzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin. Spinelli do e përshkruante në autobiografinë e tij "Si provova të bëhesha i urtë":

“E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse (…) kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, po edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit...

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish- komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë,i drejtë, i bukur me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi... Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Lazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.[3]

Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij Stavro Skëndin hartojnë Manifestin e Ventotenes.

Pasi regjimi fashist mori tëposhten e tij më 1943, megjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943; që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.

Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në Bytyç të Malcisë së Gjakovës, i dorëzohet komunistëve shqiptarë. Dënohet për 'trockizëm' dhe bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Britanik. arrestohet dhe vritet nga forcat partizane në Kolesjan.

I jepet titulli “Martir i Demokracisë” në vitin 1995 nga Presidenti i Republikës Shqiptare Dr.Sali Berisha.[4]

Burime[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Hoxha Ç., Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, 2013, fq. 9. ISBN 978-9928-168-11-5
  2. ^ (anglisht) Schwartz S., ‘Enverists’ and ‘Titoists’ - I,
  3. ^ Spinelli A., Come ho tentato di diventare saggio ff.265-267, Il Mulino, Bologna, 2006.
  4. ^ Dëshnica A.Xh., Llazar Fundo ishte demokrat i martirizuar, dielli.com, 14 janar 2013