Shko te përmbajtja

Jup Kastrati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jup Kastrati (Shkodër, 15 prill 1924 - 22 shtator 2003) akademik, ka qenë studjues i letërsisë dhe gjuhësisë shqipe dhe albanologjisë, autor, ndër të tjera, i një punimi tërësor mbi poetin arbëresh Jeronim de Rada.

U lind në Shkodër më 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930-1935), gjimnazin klasik (1936-1940) dhe liceun real (1941-1944) i kreu në qytetin e lindjes. Gjatë studimeve liceale, nga gushti në nëntor 1942, ndoqi mësimet në liceun shkencor “Galileo Ferraris” të Torinos, ku qëndroi në konviktin “Umberto I”.[1]

Prej bindjeve antifashiste, gjatë pushtimit italian u internua në një kamp internimi në lagjen Tepe të Shkodrës të quajtur Comando Z, dhe më pas (korrik - shtator 1943) çohet në burgun e Prizrenit.

Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: "Kontribute për studimin e Ndre Mjedes" më 1958. U bë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin "Historia e gramatologjisë shqiptare" (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor.

Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat "Mësues i Popullit" si dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Ka qenë shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës1973-1990.

Jup Kastrati ka mbajtur ligjerata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, etj. Është autor i shumë librave. Brenda viteve 1956-1999 ka botuar 35 libra.

Titujt shkencore përfshijnë: Docent, Doktor i Shkencave, Profesor

  1. Aliu, Begzad (23 mars 2004). "In memoriam: Jup Kastrati (1924-2002)". trepca.net. Arkivuar nga origjinali më 15 gusht 2018. Marrë më 19 mars 2019.