Shahin Kolonja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shahin bej Kolonja

Shahin Teki bej Ypi i njohur më së shumti si Shahin Kolonja (Starje, 1865/1867 - Stamboll, 1919) ka qenë nëpunës i administratës të Perandorisë Osmane, deputet në Mexhlisin osman si dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në vitin 1865 (ose 1867) në fshatin Starjekazasë së Kolonjës, i biri i Kahreman beut të familjes Ypi, njëra prej familjeve bektashie më të rëndësishme të krahinës.[1] Ndoqi dhe kreu ryzhdijenKorçë dhe shkollimet e larta i vijoi në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore "Mülkiye-i-Sehahané" për ekonomi dhe administratë civile më 1891. Gjatë studimeve në kryeqytet u njoh me Ibrahim Temon dhe vëllezërit Frashëri, Samiun me Naimin. Pas shkollës caktohet zëvendësdrejtor i Shkollës Bujqësore në Selanik, ku më pas dha edhe mësim.[2]

Më 1893 u transferua në gjimnazin e shtetit (idadijen) në Edrene, ku jepte turqisht, fizikë dhe matematikë[2] (astronomi).[3] Më 1896 transferohet në idadijen e Gymylçinës (Komotinit) ku dha histori, gjeografi e turqisht. Atje bënte propagandë patriotike mes shqiptarëve të atjeshëm, të cilët i organizonte dhe u shpërndante libra, gazeta dhe të gjitha mjetet propagandistike kombëtare.[2][3] Më 1898, pasi kishte arritur moshën, u emërua kajmekam i KozhanitVilajetin i Manastirit, bisedoi për idenë e tij të botimit me konsullin austro-hungarez të Manastirit. Më 1900 u transferua në Malin e Athosit (Ayonoros), por pas pak kohe u pezullua pasi kishte marrë një letër nga Ismail Qemal bej Vlora, që e ftonte në Evropë që të botonin një të përkohshme. Gjatë një qëndrimi në Stamboll, përktheu në gjuhën turke traktatin politik të Sami Frashërit Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet. Në nëntor të 1900, u emërua kajmekam i Vlorës, u largua për në Bruksel ku pasi takoi Faik Konicën dhe Ismail Qemalin, nuk ranë dakord mbi çështjen e botimit të një të përkohshmeje.[2] U vendos në Sofie, ku nga nëntori i 1901 e deri më 1908 botoi gazetën Drita,[4] i ndihmuar nga Kristo Luarasit, që zotëronte një shtypshkronjë dhe me ndihmën financiare austro-hungareze. Drita ishte e përkohshmja më e lexuar e kohës, që në radhët e saj mbante qëndrim kundër despotizmit të Abdyl Hamidit dhe kundër Xhonturqve.

Pas revolucionit të xhonturqve më 1908, u kthye në Perandorinë Osmane dhe u zgjodh deputet i Korçës në Mexhlisin e porsahapur, mori pjesë më tej në punimet e Kongresit të Manastirit për gjuhën shqipe. U bë pjesë e partisë Ahrar themeluar nga Ismail Qemali nga fundi i 1908, më 1910 iu bashkua Partisë Demokratike, themeluar nga Ibrahim Temo dhe Abdullah Xhevdetit. Iku jashtë shteti më 1910-1911 nga fërkimet që kishte me Komitetin e Xhonturqve.

Më 1913 qëndroi për disa muaj në Vlorë dhe nga 1915 u vendos përfundimisht në Stamboll, i sëmurë nga pija, ku nuk u mor më me politikë aktive deri më 1919 kur ndërroi jetë.[2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Olgun, Said (korrik 2018). "Bir Arnavut Milliyetçisi: Şahin Kolonya (1867-1917)". Journal of Ottoman Legacy Studies (JOLS) (në turqisht). 5: 187–205.
  2. ^ a b c d e Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 312–313. ISBN 9781134294732.
  3. ^ a b Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 32, 34, 52. ISBN 978-9928-140-54-8.
  4. ^ Merlika-Kruja, Mustafa (2011). Shënime historike. Tiranë: Omsca-1. fq. 427. ISBN 978-9928-132-00-0.