Shko te përmbajtja

Rrethimi i Shkodrës (1912-13)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rrethimi i Shkodrës u bë nga 28 tetori 1912 deri më 23 prill 1913, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike, prej forcave aleate të Malit të Zi dhe Serbisë kundër forcave të Perandorisë Osmane. Korpusi i Shkodrës nën komandën e Hasan Riza Pashës dhe Esat pashë Toptanit rezistoi për gati 7 muaj dhe ia dolën t'i shkaktonin dëme të mëdha rrethuesve.

Rrethimi i Shkodrës 1912–1913
Pjesë e Luftës së Parë Ballkanike

Në drejtim të akrepave të orës nga e majta: Flamujt e Fuqive të Mëdha në kalanë e Shkodrës; Trupat osmane që mbronin Shkodrën; Flamuri malazez valëvitet mbi kalanë e Shkodrës; Standardi i kapur i flamurit të forcave malazeze i shfaqur me krenari nga trupat osmane dhe shqiptare; Redifët shqiptarë që gjuajnë nga një pemë; Oficerët shqiptarë duke pozuar me municion të kapur malazez
Data28 Tetor 1912 – 23 Prill 1913
Vendi
Rezultati Esad Pashë Toptani nënshkroi protokollin përfundimtar të dorëzimit më 23 prill 1913. Një traktat paqeje i nënshkruar nga Esad Pasha dhe Mbreti Nikolla, e ktheu Shkodrën në Principatën Shqiptare.
Ndërluftuesit

Perandoria Osmane

Redifët Shqiptarë

Mbretëria e Serbisë

Mali i Zi
Komandantët dhe udhëheqësit

Hasan Riza Pasha

Esad Pashë Toptani
Mbreti Nikolla
Princi Danillo
Radomir Veshoviç
Fuqia
20,000 burra 40,000 burra
Viktimat dhe humbjet
i panjohur 8,000 të vrarë dhe të plagosur

Rrethimi i Shkodrës[1] njihet në turqisht si İşkodra Müdafaası[2] ose İşkodra Savunması,[3] ndërsa në serbisht: Опсада Скадра.

Prapavija historike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komanda osmane parashihte që më 1911 nevojën e fortifikimit të qytetit të Shkodrës përkundër Malit të Zi., lufta e gjeti qytetin me tri fortesa kryesore, të Taraboshit, Kodrat e Bërdicës dhe Fushat e Shtojit. Në vigjiljen e luftës, komanda vendore nxitoi të fortifikonte pozicionet strategjike të Dervish-Tepes, kodrat e përtej Kirit (Bardhanjorët, sidomos Bardhaj i Madh),[4][5] dhe ishin hapur llogore nga Fushat e Shtojit në Vrakë.[6]

Më 1912 Lidhja Ballkanike - e përbërë nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia - i shpallën luftë së bashku Perandorisë Osmane. Mali i Zi mobilizoi fuqitë e veta dhe u bë gati të sulmonte fuqitë osmane në jug, duke synuar të bënte të vetat qytetin e Shkodrës dhe të Prizrenit, të parin duke e parë si çështje jetike.[7]

Shpërthimi i luftës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komanda e priti luftën me shtatë zona të fortifikuara, që ishin Taraboshi, Bërdica, Dervish-Tepe, Fusha e Shtojit, Zona e Kirit dhe ajo e Liqenit.[4] Mali i Zi i shpalli luftë më 8 tetor 1912 Perandorisë Osmane dhe po atë ditë divizioni i Zetës i forcave malazeze kaloi kufirin dhe iu drejtuan qytetit,[5] ushtima e topit të parë u dëgjua në Deçiq, ku ishin fortifikuar fuqitë osmane. Topin e parë e gjuajti Princi Pjetër, përkrah malazezëve luftonin edhe malsorët katolikë të Hotit, Grudës dhe Kastratit. Deçiqi ra ditën tjetër, malazezët kapën tremijë robër, ushtarë e oficerë.[8] Nga ana tjetër, fuqitë malazeze që kaluan kufirin pushtuan fshatrat Kllezën dhe Rrezigaç në krahinën e Anës Malit, e duke djegur Shazin me katunde të tjera të banuara nga shqiptarët, siç ishin: Bojk, Kaliman, Rashticë, Kozik, Selitë. Popullsia shqiptare e lokaliteteve të Ostrokut të vogël dhe Zogajve hynë në qytet mbrëmjen e asaj date.[9]

Lufta e Krajës ose e Taraboshit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga Fraskanjeli e deri në Pulaj, përgjatë Bregut të Bunës, gjëmoi pushka e artileria mes malazezëve e popullsisë kufitare që përkrahte osmanët. Më 11 tetor filloi i pari sulm i madh, dhe për ta pritur rrezikun fortifikimit në Tarabosh, një forcë e fuqive të caktuar aty nën komandën e majorit Sadedin Bej u shkëput për t'ia ndaluar avancimin armikut.[9] Fuqia osmane i doli para malazezëve në Kodraç, e lufta u ashpërsua kur ushtria osmane prej Vallasit mori drejtimin drejt Bobotit. Beteja zgjati 6 orë dhe u kurorëzua me fitoren e njësive osmane.[10]

Që më 16 tetor, nga Kopliku malazezët u drejtuan nga Fusha e Shtojit; bateritë e artilierisë së tyre nga Muriqani gjuanin fortifikimet e Taraboshit dhe në lindje po shtriheshin nga Drishti, Mesi e Myselimi - ku veprimet e armikut, djegia e shtëpive, - qëmtoheshin nga kalaja. Banorët e këtyre viseve u tubuan edhe ata drejt qytetit për të gjetur strehim e shpëtim.[11] Pasditen e 18 tetor malazezët kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit dhe ishin duke marshuar drejt Kirit.[6] Më 26 tetor morën me luftë lokalitetin e Zogajve dhe u drejtuan për të shtënë në dorë Shirokën, por atë ditë nuk ia dolën.[11] Më 27 tetor u gjuajtën gjylet e para në lagjet e Rusit brenda qytetit.[12] Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe ditën në vazhdim arritën deri në Bardhajn e Madh, por aty humbën në dredhat e lumit, prroskat e vreshtat dhe u zhvillua një betejë e tmerrshme, të vrarët e të plagosurit e së cilës shkonin në mijëra sipas dëshmive. Fuqitë malazeze që shpëtuan, shpëtuan në sajë të shaljanëve që i ndihmuan.[13]

Sipas dëshmive të fratit Rrota, bombardimet e vazhdueshme të qytetit nisën ditën e mërkurë më 30 tetor, ku u shquan bombardimet te Ura e Maxharrit, te fusha e Rusit të Vogël dhe ka vazhduar drejt Xhamisë së Begos. Banorët zhvendoseshin drejt lagjeve më të brendshme, bombardimi zgjati pa u ndalur deri më 19 nëntor.[14] Më 2 nëntor, të shtunen, malazezët mësynë sërish natën llogoret e Fushës së Shtojit.[15] Më 11 nëntor trupat malazeze ishin pozicionuar në Koplik, Vrakë, Muriqan, përgjatë Bunës dhe kund në jug të Bërdicës. Divizioni i dytë malazez gjendej gjithnjë në anën tjetër të Kirit. Korpusit qëndrestar iu shtuan 1,500 redifë ato tri ditë nga bajrakët përreth.[16]

  1. Vickers 1999, f. 71.
  2. Abdurrahman Nafiz, Kiramettin, 1912–1913 Balkan Harbinde İşkodra Müdafaası, İstanbul Askerî Matbaa, 1933. (turqisht)
  3. Genelkurmay Askeri Tarih ve Stratejik Etüt Başkanlığı, İşkodra Savunması ve Hasan Rıza Paşa, Kültür Bakanlığı Yayınları, 1987. (turqisht)
  4. 1 2 Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. I. Shkodër: Idromeno. fq. 446–447. OCLC 41096394. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. 1 2 Hall, Richard C. (2002). The Balkan Wars 1912-1913: Prelude to the First World War. Routledge. fq. 55–56. ISBN 9781134583638. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. 1 2 Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 40. ISBN 9789928190918. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. Dimitrije Djordjević, Béla K. Király, red. (1987). War and Society in East Central Europe: East Central European Society and the Balkan Wars. Brooklyn College Press. fq. 126. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. Erickson, Edward J. (2003). Defeat in Detail: The Ottoman Army in the Balkans, 1912-1913. Praeger. fq. 238. ISBN 9780275978884. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. 1 2 Bushati 1998, f. 448.
  10. Bushati 1998, f. 449.
  11. 1 2 Rrota, Justin (2010) [1963]. Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër ase Rrethimi i Qytetit 1912-1913. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 31. ISBN 9789995678371. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. Rrota 2010, f. 32.
  13. Ikonomi 2016, f. 42.
  14. Rrota 2010, f. 33.
  15. Rrota 2010, f. 34.
  16. Berri, Gino (1913). L'Assedio di Scutari, sei mesi dentro la città accerchiata (diario di un corrispondente di guerra). Milano: Treves. fq. 1, 4, 6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)