Justin Rrota

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Justin Rrota
Fotoporteti
Emri Justin
Mbiemri Rrota
Lindur më 17 shkurt 1889
Lindur në Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më 20 dhjetor 1964
Vdiq në Shkodër, Shqipëri
Kombësia Shqiptar
Shtetësia Otomane, Shqiptare
Profesioni Albanolog, gjuhëtar
Mirënjohje
Mësues i Popullit” (1994), “Profesor nderi” (1994)

Justin Rrota (Shkodër, 17 shkurt 1889 - 21 dhjetor, 1964) ka qenë frat françeskan, arsimtar dhe gjuhëtar shqiptar.

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

U lind në Shkodër, i pagëzuar me emrin Ndoc, ishte djali i tretë i Gjush Rrotës dhe Marie Vjerdhës[1] mbas Kolës dhe Simonit. Mësimet e para i mori në shkollën shtëpiake të Tinës së Nikës në Serreq. Pastaj pesë klasë fillore e një klasë qytetëse i kreu te françeskanët. Më 22 gusht 1902 hyni në Kolegjën françeskane, ku ishte drejtor At Fishta. Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik e qé me këtë rast që iu dha emri Justin. Mbas një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologji. Po në gusht, tashmë në vitin 1907 në Klagenfurt, Austri për të thelluar studimet në teologji por kthehet pa e mbushë motin për arsye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e At Gjergj Fishtës dhe At Ambroz Marlaskajt. Shugurohet meshtar me 11 gusht 1914 në Kishën e Fretënve, në Gjuhadol; predkun e rastit e mbajti Frati i Madh, At Gjergj Fishta[2]. Emërohet profesor i gjuhës dhe latinishten po në atë Kolegj ku kishte rritë shtatin e rysë mendjen edhe ai vetë. Mungonin librat, metodikat, mungonte një përvojë e mirëfilltë pedagogjike. E ai iu vu punës me i mbushë këto boshlleqe vetë: në pak vite (1914-1917) ai u bë një referim për lëndën e gjuhës jo vetëm për shkollat e kohës, por edhe për gjuhëtarët e mirëfilltë, si Mjeda, Logoreci, apo krijuesit më në zë si Fishta, Gurakuqi etj. Mbërrini të bëhet studjues me kulturë të gjerë. Gjatë viteve 1911-1917 Justini shërbeu si profesor i gjuhës shqipe e i besimit ndër klasat qytetnore të shkollave françeskane në Shkodër. Kur filloi botimin gazeta “Posta e Shqipnís”, qe emënue në stafin e kësaj gazete, si redaktor. Më 1917 fratin e ri e emnuen në Plan të Dukagjinit, përcjellun nga e ama dhe At Fishta. Atje, për herë të parë, ra në kontakt me gurrën e pashtjerrëshme popullore dhe u mahnit: Ishte një shqipe si e dalun prej shkambijsh graniti, legjenda e përralla mitike, një kangë që shungullonte malet, e mbi të gjitha atje njohu me themel atë shqiptarin e patjetërsuar. Iu vu punës në njohjen me themel të çdo elementi gjuhësor, të çdo tingulli e të çdo trajte morfologjike, që ndryshonte shumë nga ajo e Shkodrës ku ishte le e rritë ai. Ndërsa vazhdonte edhe natën në dritën e kandilit të sendërtonte atë sistem gjuhësor të të folmes së Dukagjinit, që askush para ti nuk e kishte shtjelluar, në mëngjes priste në qelë vogëlushët: pa asnjë mjet e mbështetje, ai hapi shkollën e parë në Plan e u ba mësues i dukagjinasve të vegjël. Shkruan “Posta e Shqipnís”, 14 korrik 1917: “Me 11 të këtij mueji u nis në Plan, famullí e dioqezit të Pultit, i nderti Z. At Justin Rrota OFM, pse, si patme lajmue njëherë në fletore tonë ky vend i kje shenjue prej parijet të Provincës françeskane. Na, tuj e pasë ç’me temelim të fletores, per mbarshtrues t’censhem e bashkëpunëtuer të vlertë, i urojm një udhëtim të mbarë, tuj dishrue që vlertësia e njoftun e tij, të dalë edhe ma në shesh ndër mësime, sidomos fetare, por edhe qytetnore e kombëtare për të cillat ato krahina janë të ngutshme”. Kështu, më 2 dhetor 1917 shpalli zyrtarisht në kishë hapjen e shkollës së katundit, më 3 dhetor u regjistruen 24 nxanës. Gazeta “Posta e Shqypnís”, shkruen “…Ç’me të parën ditë të dhjetorit ka hy në veprim shkolla shqipe në Plan. Njëzet e katër fëmijë… bashkohen tu Qela e famullitarit… Kujdesin e kësaj vepre tejet bamirëse e qytetnuese e ka fort i nderti e i vlerti Z. P. Justin Rrota OFM i cili me qenë të ushqyeme prore prej një atdhedashunije të flakët e vepruese, shkon tuj e prirë kah dija menden e atyne të vogjelve e tuj ia stolisë zemrat me njato ndiesina, të cillat të bashkueme me mësim i japin shoqnisë gjymtyrë të shëndoshta e të vjefshme e karaktere që me kohë mund të dalin nder e lumni për atdhe”. Në Plan u kujdes për të kërkue ndihma nga austriakët për malësorët e varfër, mblodhi material të ndryshëm gjuhësor, filloi të shkruejë dhe u mor edhe me falje gjaku, veç shërbesave fetare, pa u shkëputë prej gazetës në fjalë. Do ta vizitojnë eprorë, autoritete austriake, miq, si: Fishta, P.Mark Harapi, P. Çiril Cani. Me gjithë mungesat e pengesat, vështirësitë e hallet e jetës, P. Justini do të ruejë përgjithmonë nostalgjinë për jetën misionare të Planit. Pak para vdekjes, do të shkruejë: “Sa për veti, unë, edhe pse jam plakë e mbetë, famullín e parë e të mbrame, Planin e dashun, kurr s’e harroj. Edhe shpesh, për të hjekun mallin e atij misjonit të vogël, i lexoj me nostalgjí shënjimet e ditarit të atëhershëm. Aty mbrendë e kujtoj njëkohësisht edhe P. Mark Harapin, i cili më âshtë gjetë fort, posaçe ato ditt e para të famullís së re…”. Mbas dy vjetësh, duke njohur përgatitjen e tij të thellë, e transferojnë profesor në Kolegjë të Troshanit, kurse më 1921 ishte, bashkë me Fishtën, Sirdanin, e gjithë hyjësinë françeskane, u banë nismëtar të themelimit të Liceut të Shkodrës, "Illyricum". Studimet e tij gjuhësore filluan të mbushnin faqet e revistës "Hylli i Dritës", , shpesh herë edhe në formë debati, e duke dëshmuar me to se askush tjetër nuk i njihte si ai me themel si gegnishten, ashtu edhe tosknishten e deri tek arbërishtja e shqiptarëve të Italisë. Zotëronte mirë gjuhët klasike, latinishten dhe greqishten. Përpos shqipes, e dinte edhe gjermanishten, italishten, frëngjishten dhe sllavishten, ai përfitoj prej tyne shtjellimin metodik dhe iu vu punës për hartimin e teksteve, në fillim të atyne shkollorë, e në vijim edhe i atyne me karakter të thjeshtë shkencor, qoftë në lamë të gjuhësisë, ashtu edhe ate letrar, kryesisht tekste për shkollat e mesme.

Vepër me vlera jo vetëm historike e gjuhësore asht studimi i tij, ma i thelli i llojit, “Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe” (1936), ku evidentohet roli i intelektualëve shkodranë në atë proçes të mundimshëm që çoi në Kongresin e Manastirit, 1908, ku ndër 32 delegatët me të drejtë vote, pesë ishin prej Shkodre e me një rol vendimtar në atë Kongres, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Studimi përfshin analizën e veprës së 23 autorëve e shoqnive, analiza ma e thellë e bame sistemit të alfabetëve deri më sot. Po në këte periudhë ai solli edhe mendime me vlerë për gjuhën e përbashkët shqipe. Komisia e Letrare e Shqipes, Shkoder 1916-1917, kishte hedhë themelet e një shqipeje të njësueme me bazë të folmen e Elbasanit. Shkrimi i tij “Rreth problemit të gjuhës letrare” dëshmmonte një njohje të tillë të thellë filologjike të shqipes, që nuk ishte arrijtë nga autorët tjerë. Trajtoj në atë shkrim edhe një temë shumë të ndjeshme edhe në ditë të sotme, ate të barabarizmave në shqip dhe faktorët ndikues në këtë proçes. Në debat me puristat, përgatitja e tij e thellë bani që ai të trajtojë për herë të parë në mënyrë bindëse ndërkombëtarizimet nga fjalët e hueja parazite e të panevojshme.

Edhe pse në vitin 1925 ai u prek nga paraliza progresive, jo vetëm nuk e ndërpreu punën e tij kërkimore, por e shtoi atë, e për 39 vjet, deri një javë para vdekjes, nuk e lëshoi makinen e shkrimit duke punuar me vetmohim vetëm me dorën e majtë. Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Bashkë me Fishtën, Gjeçovin, Bardhin, Prennushin, Kurtin e disa të tjerë, qe edhe bashkëpunëtor i zellshëm i revistave Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout etj. Ai, me bashkëpunëtorët e vet A. Xhuvanin, E. Çabejn etj, gjithë jetën e vet u përpoq me mish e me shpirt për gjurmimin e gjuhës dhe të literaturës shqiptare. Megjithëse i paralizuar trupit, me këmbëngulje dhe dashuri e flije të jashtëzakonshme, punoi për shumë vjet si profesor i gjuhës shqipe dhe latine dhe si edukator i rinisë françeskane. Me punën e tij arriti të ndriçojë thesare të paçmueshme të kulturës shqiptare. Kontributi i Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë tonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tonë të vjetër, sikurse për Buzukun, Matrêngen etj., që hapi shtigje të reja në gjuhësinë tonë.

Ai ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostoloke të Vatikanit, që do ta transkiptonte pas 40 vjetësh miku i tij, Eqerem Çabej. Botuar më 1956, “Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun” ku argumenton edhe preardhjen e autorit tonë ma të lashtë, prej Kraje, krahinë në përendim të liqenit të Shkodres. Por rrezja e studimeve të tij përfshinë edhe autorët tanë të vjetër si Budi, Bogdani, Bardhi, randësia e Kuvendit të Arbënit etj. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Në periudhën e mëvonshme, veprimtaria shkencore e Justin Rrotës bie, rrjedhojë e ardhjes në pushtet të regjimit komunist dhe të sëmundjes së rëndë që e shqetësonte prej vitesh[3]. Sa i përket idesë së gjuhës së përbashkët, ai kambëngulë në pranimin e përdorimin e një gjuhe të përbashkët letrare, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet përafrimit të të folmeve e dialekteve, ide që do ta bante të veten ma vonë edhe Çabej, por që nuk u përfill më 1972. Por kryevepra e Justin Rrotës asht “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”, që ai e la në dorëshkrim e që autori i këtyne radhëve e ka njohë qysh kur ishte gjallë At Justini, nëse dorëshkrim mund të quhen mija faqe të shkrueme me një dorë në një makinë të vjetër metalike “Olivetti”. Qëndroi më se 40 vjet në Arkivat e Institutit të Gjuhësisë, pa e pa dritën e botimit, sepse autori ishte … frat.

Po puna e tij, ndonse tashma paraliza përparonte në mënyrë të dhimbëshme, nuk reshti me kaq. Ai trajtoj edhe probleme të morfologjisë, fonetikës e sintaksës si në studimet “Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne”, deri tek “Sintaksa e shqipes (1942), studimi me i randësishëm për këte temë, qoftë nga ana shkencore, ashtu edhe metodike. Patër Justin Rrota ishte rregulltar tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës. Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964. Pas vitit 1990, me përmbysjen e regjimit në fuqi, puna e tij vlerësohet, duke i dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1994) me këtë motivacion: “Mësues i devotshëm e plot pasion. Ka punuar me përkushtim, duke dhënë një kontribut të shquar si gjuhëtar dhe studiues”. Një vit më vonë, në 1995 mori titullin tjetër “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”. Edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e nderoi me titullin “Profesor nderi” (1994).[3]

Veprimtaria shkencore e botuese[redakto | redakto tekstin burimor]

Një problem tjetër që e ka prekur dhe studiuar Justin Rrota ka qenë ai i historisë së alfabetit të gjuhës shqipe. Një punë të tillë e nisi duke botuar disa shkrime me këtë objekt në revistën “Hylli i Dritës” nga viti 1931-1936 dhe duke i përmbledhur në një vëllim më vete, në 1936 me titullin “Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe”. Kontributi i Justin Rrotës në këtë fushë ka qenë i rëndësishëm dhe me vlerë duke hyrë në historinë e alfabetit të gjuhës shqipe si autori i parë që botoi një histori të tillë. Qenë faktorë subjektivë dhe objektivë që e nxitën për një vepër të tillë. Shkodra dhe patriotët e këtij qyteti ishin shquar në përpjekjet e tyre për zgjidhjen e këtij problemi që nga gjysma e dytë e shek. XIX deri në Kongresin e Manastirit (1908). Kjo bëri që nga 32 delegatët me të drejtë vote që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, 5 qenë nga Shkodra dhe secili prej tyre e në veçanti Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e Hilë Mosi u shquan për kontribute të veçanta në Kongres, duke u zgjedhur në forume të rëndësishme të këtij tubimi. Dhe këtë traditë, edhe sot, do ta vazhdojnë studiuesit shkodranë, duke botuar studime dhe monografi me këtë temë. Justin Rrota nisi të shkruajë për këtë temë, për t’iu përgjigjur dëshirës dhe interesit që kanë pasur shqiptarët e për ta zgjidhur çështjen e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe. Autori e kishte fituar autoritetin e duhur si studiues, prandaj edhe interesimi nuk qe i vogël, saqë edhe sot konsiderohet si një vepër me vlerë shkencore. Ajo rrokte pesë shekuj, 22 autorë dhe shoqëri. Kjo nuk ishte një punë e lehtë, mbasi do të merresh me sistemin grafik të tyre, shkronjë për shkronjë, të veçoje vlerat, dobësitë dhe ndikimin.

Një pune të tillë mund ta bënte një studiues me një përgatitje të shëndoshtë filologjike. Studimi i Rrotës nuk qe i gjatë, por ai vuri piketa të qarta për mjaft probleme të diskutueshme të historisë së alfabetit të shqipes. Objekti i studimit ishte i qartë. Autori do ta fillonte punën me dokumentet e para të shkrimit shqip dhe do ta vazhdonte deri me zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi në Kongresin e Manastirit, në 1908. Ai ishte shkencëtar, prandaj shtronte edhe probleme. Për Rrotën dokumenti i parë i shkrimit shqip ishte “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës”, një tezë e diskutueshme, pasi ka pasur një renditje tjetër në studimet e mëvonshme. Më e pranueshme për ne është një renditje e tillë e dokumenteve të para: 1. Formula e pagëzimit (1462) 2. Fraza e mallkimit (1483) 3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (shek. XV-XVI) 4. Fjalori i von Harffit (1497).

Pastaj autori në rend kronologjik vazhdoi të trajtonte autorë dhe shoqëri që janë marrë me këtë problem. Ndonëse kanë kaluar disa dekada nga botimi i këtij studimi, ndihmesa ishte me vlerë se diti me objektivitet dhe saktësi shkencore të paraqesë punën e bërë në këtë fushë, duke hapur një rrugë që do të vazhdonin studiues të tjerë.[3]

Mendime për gjuhën e përbashkët shqipe[redakto | redakto tekstin burimor]

Që nga Rilindja e këtej, por në mënyrë të veçantë shoqërinë shqiptare e ka shqetësuar zgjidhja e gjuhës së përbashkët, mbasi disa çështje të kulturës shqiptare po merrnin zgjidhje. Shumë personalitete në shtypin e kohës dhanë mendime, duke e propozuar edhe rrugën e zgjidhjes. Por ky problem u diskutua me një seriozitet të veçantë në Komisinë Letrare Shqipe, të mbledhur në Shkodër gjatë viteve 1916-1918. Ajo e pranoi të folmen e Elbasanit si mbështetje kryesore për gjuhën e përbashkët, pasi ajo do të shërbente edhe si urë në mes të gegërishtes e toskërishtes. Por kjo çështje nuk u konsiderua plotësisht e zgjidhur nga disa intelektualë. Për këtë arsye, në shtypin e kohës filluan të botoheshin shumë shkrime me këtë tematikë. Pak më shumë se dhjetë vjet nga KLSH J. Rrota botoi artikullin “Rreth problemit të gjuhës letrare”. Është një artikull me vlerë jo thjesht se ngre një problem të rëndësishëm të mprehtë për atë kohë dhe më vonë, por njëkohësisht tregoi përgatitje filologjike të Justin Rrotës. Autori që në fillim vlerësoi qëndrimin e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe që nuk arriti të asimilohej, por ruajti me fanatizëm atë që trashëgoi nga të parët tanë gjuhën shqipe. Autori u ndal edhe në një çështje tjetër, në futjen në leksikun e gjuhës shqipe të fjalëve të huaja, duke shpjeguar faktorët që ndikuan. Por përgatitja e tij bëri që ai t’i dallojë ndërkombëtarizmat nga fjalët e huaja. Gjithashtu ai vërente në atë kohë, disa ia kishin frikën lëvrimit të gjuhës, ndonëse ai tërhiqte vëmendjen se deri në atë kohë nuk ishte përdorur një gjuhë e përbashkët, “por një gjuhë dialektore sipas krahinës që i përkiste shkrimtari”. Prandaj ai këshillonte që shqipen nuk do ta shkruajmë “mbarë e mbrapshtë, të latueme e të palatueme”. Gjithnjë i mëshon idesë se duhet të pranohej një gjuhë e përbashkët letrare. Rrota nuk ishte lokalist. Ai do që më të mirën e ndonjë krahine ta pranojmë për gjuhë të përbashkët. Dhe kjo arrihet “vetëm tue lëshue pê shoqi-shoqit”, por duke ruajtur dialektin. Një çështje tjetër që ngre Rrota lidhur me gjuhën e përbashkët ishte qëndrimi ndaj gjuhës së autorëve të vjetër. Ndonëse e njihte mirë gjuhën e veprës së tyre dhe vlerat, nuk pranonte që disa trajta të tyre të përgjithësoheshin, pasi ai i konsideronte arkaike. Për autorin gjuha zhvillohet dhe përparon. Si bazë e gjuhës së përbashkët pranonte të folmen e Elbasanit, e cila ishte në qendër të Shqipërisë. Për Rrotën, zgjidhja e gjuhës së përbashkët kishte lidhje me zhvillimin kulturor të një populli e kështu edhe për shqipen. Autori nuk pranonte zgjidhjen e këtij problemi nga një grup njerëzish që mund të ngrenë një komision apo akademi meqë, “trajtimi i gjuhës letrare nuk duhet të jetë nji gja përdhuni”. Ky problem, sipas autorit, “do të vijë vedit dhe secili do të shkojë tue pranue në shkrim të vet njato mënyrë të qortueme, të përdorueme prej ma të zellshëmve”.

Justin Rrota u mor edhe me probleme të morfologjisë, të sintaksës dhe të sintaksës historike, ku në mënyrë të veçantë u përqendrua te ablativi (rrjedhorja) në studimin “Analyzimi i rasavet t’emni te zhvillimi historik i tynvet” (1931). Me interes është edhe shkrimi i Rrotës “Mbi refleksin e vlerën fonike të disa tingujve të latinishtes në shqipe” (1965). Një vepër me vlerë jo vetëm në fushën e teksteve shkollore, por edhe të sintaksës në përgjithësi ka qenë “Sintaksi i shqipes” i botuar në 1942 dhe i ribotuar, në 1943.

Ky ishte një tekst i ngritur si nga ana shkencore, ashtu edhe metodike dhe që dallohej nga paraardhësit për nivelin e ngritur, gjë që bëri t’i qëndrojë kohës për disa vjet. Kjo vepër e e radhit Justin Rrotën në një ndër sintaktologët më të mirë të vendit tonë për periudhën kur shkroi. Por vepra më e rëndësishme e Rrotës që e la në dorëshkrim titullohet “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”, e cila për shumë kohë qëndroi në arkivat e Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë, por që pa dritën e botimit në vitin 2006 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Biblioteka françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 612 faqe. Ajo përmban këto pjesë: Brumi i shqipes (Leksikologjia), Tingujt i shqipes (Fonologjia), Trajtat e shqipes (Morfologjia), Fjalia e shqipes (Sintaksë), Të përbërit e fjalëve (Etimologji), Lëvruesit e shqipes (Albanologjia). Është për t’u përshëndetur Biblioteka françeskane “At Gjergj Fishta” që deri tashti ka ribotuar të gjitha veprat e Justin Rrotës.[3]

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe – Gjon Buzuku (1555), botuar më 1930.
  • Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe, studim i 1936.
  • Shkrimtari më i vjetër italo-arbëresh, Lukë Matrënga, (1592), botim I më 1932, II më 1939.
  • Sintaksa e gjuhës shqipe, botim I më 1942, II më 1944.
  • Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne.
  • Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun, botuar më 1956.
  • Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore, botuar në 2006.

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. p. 126. ISBN 99927-789-1-1. 
  2. ^ Rrotajt nga Daniel Gazulli
  3. ^ a b c d Osmani, Tomorr (2009). "Teologu Justin, njeriu i gjuhës". forumishqiptar.com. Standard.