Simon Rrota

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Simon Rrota

Simon Rrota (Shkodër, 28 tetor 1887 - 27 janar 1961) ka qenë arsimtar dhe piktor shqiptar. Krijimtaria e tij përbëhet nga një sasi tabllosh me bojëra vaji sikurse dasma katolike qytetare shkodrane, petka tradicionale të punuara për sallonin e bashkisë Shkodër në vitet '30, portretin e Kara Mahmud Pashës, etj.[1] Është vëllai i diplomatit Kolë Rrota, filologut Justin Rrota dhe fotografit e folkloristit Gjon Rrota. Pas vdekjes u nderua me titullin "Piktor i Merituar" dhe më 1999 "Piktor i Popullit".

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër, i biri i Gjushit dhe Marie Vjerdhës,[2] i dyti mes vëllezërve Kolës, Justinit dhe Gjonit. Mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve e më pas në shkollën italiane të artizanatit me mësues Saverio Polarolin, duke ndjekur ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos. Punësohet si çirak tek Ndrek Mini deri sa thirret nën armë nga ushtria turke, së cilës i shmanget duke u hedhur në Mal të Zi prej nga gjen strehim si refugjat politik në Bari të Italisë. Me ndihmën e Polarolit u regjistrua në akademinë Brera të Milanos ku studion me mjeshtrin Kampestrini. Gjatë studimeve lidh miqësi me piktorin Mario Karminatin, kunatin e tij të ardhshëm. Në atë periudhë viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914 kthehet në Shqipëri.[3]

Fillimisht punon në Lushnjë si fotograf tek vëllai i tij Gjon Rrota qe ishte njëkohësisht edhe mësues, më pas si dekorator në shoqëritë kulturore të Shkodrës. Më 1922 u emërua mësues vizatimi në Gjimnazin Shtetëror prej ku shkëputet vetëm pas 40 vjetëve. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë në të gjitha ekspozitat e vendit si dhe në disa aktivitete ndërkombëtare.

Tradita, arti klasik dhe realiteti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa nga pikturat: Lekë Dukagjini

Në Itali Simoni ra në kontakt me klasicizmin e pastër. Piktorët gjenialë si Rafaeli, Veroneze, Tintoreto, Karavaxho e deri tek më të spikaturit e noveçentos lanë gjurmë tek ai. Teknika e draperive të Rafaelit ndjehet mjaft mirë tek portreti i S. P. Pistulit. Ndërsa tek portreti i së shoqes, Karlës, loja e dritë - hijeve krahas butësisë rafaeljane na flet për afinitet me Karavazhistët. Është për të ardhur keq se nga riprodhimet e dobëta artdashësit janë privuar nga ëmbëlsia dhe delikatesa e origjinalit. I dashuruar mbas sfumaturave, me tone të buta dhe të ngrohta artisti u përcjell brezave imazhin e krijesës më të shtrenjtë të jetës së tij. Karla, kjo vajzë milaneze, lë postin e sekretares stenografe në firmën e famshme farmaceutike Montekatini drejt një të ardhme aspak të sigurt pas Simonit të saj shqiptar. Prodhimtaria e pazakontë (700 vepra) si dhe frymëzimi i pandërprerë i piktorit do të ishin të pamundura pa Karlën besnike.

Romantizmin e shëndetshëm si dhe skenat e paqme bukolike Simoni do ti mbaj nën kontrollin e profesionistit serioz. Përshembull në tabllonë "Ura e Mesit" autori nuk ka si qëllim të tregojë arkitekturën e një monumenti kulturor. Harku i madh dhe i rëndë jepet pjesërisht, aq sa me hijen e vet qarkon horizontin, ujrat, dritën dhe bagëtinë duke lënë mënjanë bareshën të zhytur në një vetmi soditëse të një jete të abandonuar. Pëlhurat e tij janë ndërtuar thjeshtë dhe po thjeshtë perceptohen. I përmbajtur dhe i ngrohtë, ndonjëherë më të rradhë e freskon paletën me tone të ftohta si tek pejsazhi modest "Bora pranë Arrës së Pashës". Dëmtimi i dorës (dëmtuar... dorën) siç është konstatuar ndonjëherë më duket një lloj konforti midis recetave akademike, larg pranimit dinamik të modelit.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 76–77. ISBN 978-99927-623-4-9.
  2. ^ Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 126. ISBN 99927-789-1-1.
  3. ^ Sadikaj, Avenir (3 maj 2001). "Piktori i fundit i Rilindjes Simon Rrota dhe mesazhi i tij". albasoul.com. Marrë më 30 janar 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)