Kalaja e Rozafës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kalaja e Shkodrës)
Shko te: navigacion, kërko

Koordinatat: 42°02′48″V 19°29′38″L / 42.04667°V 19.49389°L / 42.04667; 19.49389

Kalaja e parë nga NënShkodra

Kalaja e Rozafës është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan "vendi më i fortë i labeatëve". Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj

Toponimia e Rozafës[redakto | redakto tekstin burimor]

Humanisti i shek. XV, Marin Barleti, në veprën e tij, "Rrethimi i Shkodrës" tregon se, ne gjuhën popullore (vernacula) ka kronika për dy vashat: "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqsohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, dhenien e Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatrronte muret për çdo natë. Uji gëlqëror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënja e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t'shoh birin t'em, krahun e djathtë qi t'a mbâj, gjinin e djathtë qi t'a ushqej, kâmben e djathtë qi m'e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndohet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.

Hyrja në kështjellë

Struktura e kalasë[redakto | redakto tekstin burimor]

Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës . Në muret dalës të tij, ka të dalura drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla. Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.

Hyrja për në oborrin e parë

Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në kyçin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin. Përvec hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete.

Oborri i parë

Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime te veshjet e kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë. Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri.

Oborri i tretë dhe Muzeu

Kalaja e Shkodrës, me muret dhe kullat e saj të fuqishme, arriti të përballojë dy rrethime të gjata dhe bombardime me artileri të turqve në vitin 1474 dhe 1478-79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema, etj.

Gojëdhëna popullore[redakto | redakto tekstin burimor]

Rozafa e murosur

N'at' kohë tânë bregu i k'tejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme në Triesten e dit've t'ona, ishte breg ilir. Mâ vonë, u derdhen k'ndej romak't, tevona sllav't, norman't, venetik't, turq't e shumë popuj tjerë të huej. Gìatë shekujvet ata krepat e thata nên muret e Rozafatit, si edhe vet' muret e k'shtjellês, janë lagë me përrej gjaku t'atyne qi e kanë sulmue dhe t'atyne që e kanë mbrôjt'. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndêrtimi i k'shtjellës së Rozafatit ka nji gojëdhânë t'bukur e t'hidhun. Qé se ç'thotë kjo gojëdhânë.

"... I rá mjegulla Bun's dhe e mbuloi té tânë. Trî dit' e trî net' kjo mjegull mbêti atý. Mbâs trî dit'sh e trî net'sh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullên. E naltoi dhe e shpuni deri n'kodrên e Valdanuzit. Aty maje kodrês tre vllazën punojshin. Ndêrtoshin nji k'shtjellë. Po, murin qi naltojshin ditên ìu prishej natên, e k'sisoj nuk muejshin m'e naltue.

Na kalon aty nji plak i urtë.

- Puna'mbârë, o tré vllazën.

- T'mbârë paç, o plak' i mirë. Po ku e shéh ti t'mbârên t'onë? Ditên punojmë, natën ná shêmbêt. A dín me ná diftue ndôj fjalë t'mirë: shka t'bâjmë qi t'i mbâjmë muret n'kâmbë? - Unë di,- u thot' plaku,- po druej me ìua thânë se â' m'kat.

- At' m'kat hidhe mbi kryetin t'onë, se na duem ta qindrojmë më kâmbë nji'kyt k'shtjellë. Plaku i mirë mendôhet e pvet:

- A jeni të martuem, trima? A i keni ju te tri varzat e jueja?

- T'martuem jena,- i thonë ata,- Edhe te tré i kena varzat t'ona. Ná thuej pra shka t'bâjmë qi tá qindrojmë kyt k'shtjellë?

- Ne daçi m'e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, n'shpi mos kuvendôni për fjalët qi do t'ju thôm un'. Ate pri të trî kunatave qi do t'vijnë nesër bukë me ìu prue, ta merrni e ta muroni t'gjallë n'mur t'k'shtjellës. At'here keni me pé se muri ka me nxânë vênd e me qindrue për jetë e mot.

Tha k'shtu plaku e shkoi: njitash u pá, njitash s'ú pá. Medet! V'llai i madh e shkeli besên e fjalên. Kuvendôi n'shpi, i tregoi vashs s'vet k'shtu e k'shtu, i thá t'mos víte atje ne nade ne nesre. Edhe i mesmi e shkeli besên e fjalên: ìa tregoi te tana vashs s'vet. Vetêm i vogli e mbâjti besën e fjalën: nuk kuvendoi n'shpi, nuk i tregoi vashs s'vet. Ne nade. Te tré ngrehen shpejt e shkojnë n'punë. Çekan't shkapeten, gur't coptohen, zemnat rrahin, muret n0altohen. N'shpi, nana e djemvet s'din gja. I thôtë të madhes:

- Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kúngûllin me vênë. Nusja e madhe ìa kthen:

- Besá, nanë, sod s'mûnd t'shkoj se jam e sëmunë.

Kthehet i thotë t'mesmes:

- Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kúngûllin me vênë.

- Besá, nanë, sod s'mûnd të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.

Nana e djemvet i kthehet nuses s'vogël:

- Moj nuse e vogël... Nusja e vogël brof n'kâmbë:

- Urdhno, nanë!

- Mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kungûllin me vênë.

- Besá, nanë, vet' po shkoj, po e kam djalin e vogêl. Druej se don gjí me pí, e kjan.

- Nísu, shkó, se djalin ta shikjojmë ná, s'ta lajmë me kja,- i thônë t'kunatat.

Ngrehet e vogla, e mira, merr buk' e ujë, merr kungûllin me vênë, e puth djalin n'tê dy faqet, niset e bjen n'Kazenë; njaty ngjit kodrên e Valdanuzit, i avitet vêndit tek punojnë të tré mjeshtrit: dý të kunetnit e i shoqi.

- Puna'mbârë, o mjeshtra!

Po ç'âsht njikështu? Çekan't ndâlen e s'shkapeten, po zemnat rrahin fort e fort. F'tyrat zbehen. Kur e sheh i vogli t'shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin. E shoqja i thotë:

- Ç'ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hedhet kunati i madh:

- Ti keke lînd' n'e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kena bâ me fjalë me të murue t'gjallë n'mur t'k'shtjells.

- Shndosh ju, o kunetën. Po un' do t'ìu la nji porosi: kur te po m'muroni n'mur, sýnin e djatht' t'ma leni jasht', dorên e djatht' t'ma leni jasht', kâmbên e djatht' t'ma leni jasht', gjinin e djatht' t'ma leni jashtë. Se djalin e kam t'vogêl. Kur t'nisë t'kjajë - me njânin sý do ta shikjoj, me njânên dorë ta ledhatoj, me njanën kâmbë t'i tûnd djepin e me njânin gjí t'í nap me pí. Gjini m'u nguroft', k'shtjella qêndroftë, djali em u trimnoftë, u bâftë mbret e mbretnoft'! Ata e marrin nusen e vogêl e e murojnë n'themel t'k'shtjellës. Dhe muret ngrehen, naltohen, nuk shêmbên ma si ma parë. Po rranxë tyne gur't janë edhe sod t'lagun e t'myshkun, sepse vazhdojnë me pikue lot't e nans për birin e saj... E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi.

Kalaja e Rozafës në antikitet[redakto | redakto tekstin burimor]

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujrave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja. Rrezë kodrave që rrethojnë qytetin në anën jugore të tij janë zbuluar gjurmë arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”. Në këtë kohë qyteti merrë hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti bëhet kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir. Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërishtë në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftrat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Kalaja e Rozafës në kohën e mesjetës[redakto | redakto tekstin burimor]

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XIbëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari. Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre katë dhe e paisur me fengjij topash e njohur si Kapiteneria.

Kalaj e e Rozafës gjatë pushtimit osman[redakto | redakto tekstin burimor]

Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë si kështjella e fundit e pa pushtuar deri atëkohë. Mbrojtja e Shkodrës zgjati për rreth 8 muaj nga vetëm një garnizon prej 1600 vetash shkodran dhe venedikas brenda në Kala pasi pjesa tjetër e popullsisë ishte larguar nga frika e pushtimit osman. Kjo qëndresë heroike e Shkodrës para Sulltan Mehmet fatihut u përshkrua nga historiani i parë shqiptar i asaj kohe Marin Barleti në Librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ që u botua në Itali në vitin 1504. Në fund kështjella u dorëzua me kusht pas marrëveshjes së nënshkruar mes Venedikut dhe osmanëve më 25 Prill 1479. Gjate pushtimit qyteti dhe vetë Kalaja pësuan dëmtime të mëdha, të cilat u riparuan nga pushtuesit osman kryesishtë në fortifikime dhe riparimin e dëmeve tjera të shkaktuara nga sulmet. Rimëkëmbja e qytetit bëri që në shek.XVII të bëhet qendër e Sanxhakut. Nga fundi i shek XVII fillimi i shek.XVIII fillon shtrirja e qytetit në fushën ku shtrihet sot. Deri nga fundi i shek.XVIII qendër e qytetit shërbente Xhamia e Plumbit ndërtuar nga Mehmet Pashë Plaku Bushatllij në vitin 1768. Lëvizja drejt fushës së krijuar nga Liqeni i Shkodrës ndodhi dhe për shkak se tashmë lumi Drin kishte ndryshuar shtratin e tij dhe Shkodra ishte kthyer në port lumor nëpërmjet lumit Buna. Në gjysmën e dytë të shek.XVIII Shkodra bëhet kryeqendër e Pashallëkut të familjes vendase Bushatllij që qeverisi Shkodrën në vitet 1757-1831 pallati i së cilës ndodhej në kështjellë, por që fatkeqsisht u dogj nga një zjarr i rënë aty në vitin 1858. Gjatë kësaj periudhe të sundimit të Bushatllijve, Shkodra mori një zhvillim të shpejtë. U ndërtua Pazari, i cili numëronte më shumë se 2500 dyqane dhe që ishte më i madhi në Ballkan. Në këtë kohë qyteti numëronte 50.000 banore. Deri në vitin 1858 pallati ka shërbyer si banesë e Valiut të qytetit. Bushatllijt vunë dorë edhe në Kala kryesishtë në kulla mbrojtëse dhe vrojtimi siç është ajo në jug-perëndim të kështjellës e ndërtuar për të kontrolluar rrugën nga Lezha dhe zonen ku bashkohet lumi Drin me Bunën. Kjo kullë është e paisur dhe me një dalje të maskuar në raste rrethimi nga Kalaja. Bushatllijve i përket dhe muri që ndan pothuajse në mes kështjellën i paisur dhe me portë hyrëse me qemer të trefisht. Përfundimisht Kalaja e Rozafës – Shkodrës u braktis në vitin 1865 kur administrata e qytetit u shpërngul për në qendrën ku është dhe sot dhe mëpastaj Kalaja shërbeu vetëm si qendër e garnizonit osman.

Lidhje te jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]