Jump to content

Kisha e Shirgjit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kisha sot

Kisha e Shirgjit ose Shirqit është një kishë dhe kuvend benediktin, tashmë i shkatërruar, në fshatin Shirq, sot pjesë e komunës së Dajçit mbi lumin Bunë në veri të Shqipërisë. Kisha u ndërtua nga të Mbretëresha Helena e Anzhuve në 1290, dhe i dedikohesh shenjtorëve Sergius dhe Bacchus. Ndërtesa u bë sipër një bazilike të shekullit të 6-të. 

Historia e hershme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas një trajte legjendare, e cila gëzon edhe dakordësinë e shumë autorëve, kisha kuvend e ka periudhën e themelimit në shek. VI gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian.

Kisha në një foto të vitit 1900, marrë nga Theodor Ippen dhe botuar në 1907, në librin Skutari und die nordalbanische Küstenebene

Mbi historinë e kësaj kishe lakohen në mjaft burime historike, të cilat fillojnë me Kronikën e Popit të Dioklesë dhe vazhdojnë me mjaft dokumente të përmbledhura në veprën "Acta et Diplomata...", ku kjo kishë dhe shenjtërit e saj përmenden plot 56 herë në intervalin e viteve 1100 deri më 1406.[1]Kronikën e Popit pretendohet se disa anëtarë të dinastisë së Vojislavljevićëve të Dioklesë janë varrosur këtu, të tillë si Mihailo I, Konstantin Bodini, Dobroslavi, Vladimiri dhe Gradinja.[2] Gjashtë burime tek "Acta et Diplomata..." që datojnë para 1290 pohojnë qartë që aty gjendej një kuvend benediktin.[1]

Ndër dy mbishkrimet latine të kishës, tek më i hershmi, i vitit 1290, gdhendet se mbretëresha Helenë me bijt e saj Urosh dhe Stefan e ndërtoi përsëri, dhe jo nga fillimi. Mbishkrimi i mëvonshëm lë të kuptojë për një fazë të dytë ndërtimi, gjegjësisht më 1318.[1]

Nga të gjitha përmendjet ose përshkrimet për kishën, më së shumti gjendet ndonjë shënim për gjendjen e saj në rrënim gjatë shekujve të Mesjetës. Informacioni i parë që përmend lënien pas dore të kishës fillon që më 1452 në një shënim të Papë Nikollës V, vinte në dukje se vetë benediktinët e kishin gati braktisur ("a monachis fere desertum") për fajin e ipeshkvit të asaj kohe në Shkodër.[1]

Marino Bizzi, arqipeshkvi i Tivarit asokohe, shkruante më 1611 në një raport drejtuar Vatikanit dëme të rënda i janë shkaktuar kishës si rezultat i pranisë osmane në Shqipëri.[3] Bogdani në relacionin e 24 marsit 1684 radhit se kishte "kumbonare shumë të bukur e cila, nga lartësia e vet sheh krejt dheun e Shkodrës. Tradita thotë se kumbonët e kësaj kishe mbretërore janë groposur ndërmjet kësaj kishe dhe kishëzës së shna Premtes [që është] 300 hapa larg."[4] Daniele Farlati përmend kishën në veprën e tij Illyricum sacrum. Në vitin 1790 kryepeshkopi Frang Borci informoi Coletti-n, asistentin e Farlatit, i cili do ribotonte sërish Illyricum sacrum, se kisha ishte më e bukura në Shqipëri.[3]

Në vitin 1905 konsulli francez Degrand në Shkodër është i vetmi autor që aludon për praninë e mbetjeve të afreskeve e mureve mesjetare të kishës, apo praninë e mozaikut, por të paverifikueshme më pas.[1] Në atë kohë, vetëm tre nga katër muret rrethuese ishin ende në këmbë. Ippen, konsulli austro-hungarez i Shkodrës, vërejti që në fund të viteve 1800 dhe në fillim të viteve 1900 varrmihësit e Shirgjit gjenin mozaikë të vjetër rrotull kishës.[3] Tani, vetëm një mur i vetëm është në këmbë dhe mozaikët nuk mund të shihen më.

Kuvendi ka qenë nën jurisdiksionin e Vatikanit gjatë të gjithë jetës së tij aktive. Ai ishte listuar si Monument Kulture nga qeveria shqiptare në vitin 1970.[5]

  1. ^ a b c d e Hoxha, Gëzim (2018). Rikthim në historinë e kishës së shenjtërve Sergius dhe Bacchus në bregun e lumit Buna. Shkodër: Hylli i Dritës vj. XXXVIII. fq. 112–127. ISSN 1816-5885.
  2. ^ Prilozi za književnost, jezik, istoriju i folklor (në serbo-kroatisht). Vëll. 51–52. Državna Štamparija. 1988. fq. 94.
  3. ^ a b c Ndreca, Ardian (14 shtator 2008). "Rrënojat e Abacisë së Shirgjit dhe shpëtimi i tyne". Gazeta 55. fq. 6. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 20 shtator 2010.
  4. ^ Pulaha, Selami; Zamputti, Injac (1990). Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë IV (1675-1699). Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë. fq. 28–29. OCLC 164916955.
  5. ^ Republic of Albania Community for the Cults. "Objekte fetare me statusin \"Monument Kulture\"". Albanian Government. Marrë më 20 shtator 2010.