Aleksandër Stavre Drenova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Asdreni)
Jump to navigation Jump to search
Aleko Stavre Drenova
Asdrenismall.jpg
Ditëlindja:11 prill 1872
Vendlindja:Drenovë, Perandoria Osmane
Ditëvdekja:1947
Vendvdekja:Bukuresht, Rumani
Pseudonim(e):Asdreni
Kombësia:shqiptar
Zhanri:poema, poezi, kritika

Aleko Stavre Drenova i njohur më së shumti me nofkën Asdreni (Drenovë, 11 prill 1872 - Bukuresht, 1947) ka qenë një poet, publicist dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit që është edhe autori i Himnit të Flamurit, që është himni kombëtar i Shqipërisë.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë (Pipa e cilëson fshat bullgar),[1] 5 km larg Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në Korçë kur i ati i vé Stavri Thimiu vdiq duke e lënë kësodore trembëdhjetëvjeçarin jetim.[2]

Vjeshtën e 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj mbërritën në Bukuresht. Punoi në fillim si qymyrxhi e çirak, më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe, për një kohë të shkurtër, pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëvet shqiptarë, i cili në mars 1902 u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij shkrimtar Kristo Dako.[2]

Verën e vitit 1899, kur ishte njëzet e shtatë vjeç, u kthye në Korçë duke kaluar nga Stambolli për ta vizituar vendlindjen për herë të parë si i rritur. Pasi ndenji pesë muaj në vatrën dhe mjedisin e fëminisë, u kthye në Bukuresht.[2]

Më 1905 ishte mësues në një shkollë shqipe në Konstancë, kurse një vit më vonë u bë kryetar i degës së re të shoqërisë Dija në kryeqytetin rumun, shoqëri e cila qe themeluar së pari në Vjenë. I entuziazmuar nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, zbriti në Durrës pranverën e 1914 për të përshëndetur kryetarin e sapocaktuar të shtetit, princin Vilhelm Vid, nga i cili shpresonte të emërohej si arkivist në administratën e re mbretërore.[2]

Pas një vizite të shkurtër në Shkodër, u kthye në Bukuresht në korrik 1914. Vitet më pas vazhdoi të marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në Rumani, pasi u hap konsullata shqiptare në mars 1922, u emërua sekretar i konsullatës. Bëri një vizitë tjetër në atdhe në nëntor 1937 me rastin e njëzet e pesë vjetorit të pavarësisë, me shpresë se pas kaq vjetësh shërbimi ndaj shtetit shqiptar do të merrte pension shtetëror. Ndenji ca kohë në Tiranë dhe pastaj bëri një vizitë në Shkodër, ku takoi Gjergj Fishtën në shkurt 1938.[2]

Në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 1939 dhe shkroi Credere, obedire, combatere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Prandaj u kthye përsëri në Bukuresht në korrik të vitit 1939, ndërkohë që Evropa po përgatitej përsëri për luftë. Vdiq në skamje më 11 dhjetor të vitit 1947, në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare.[2]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Busti i Asdrenit në fshatin e lindjes Drenovë, afër Korçës

Asdreni kishte nisur të shkruante poezi dhe të botonte artikuj që në fillim të shekullit të XX.[2] Pjesë e poetëve që zbuloi apo botoi Konica tek Albania.[3] Më 1904 botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetenëntë vjersha, Rézé djélli, të cilën ia kushtoi Skënderbeut. Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.

Vëllimi i dytë i Asdrenit Endra e lote, Bukuresht 1912, i botuar tetë vjet më pas, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me nëntëdhjetë e nëntë vjersha si e para, ndahet në tre cikle: atdheu, natyra, mendimi dhe bukuria, dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham.

Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psallme murgu, po në kryeqytetin rumun më 1930. Vepër kjo që sipas Elsie, shënjon hyrjen e frymës moderniste në letërsinë shqiptare.

Përgatiti vëllimin e katërt Kambana e Krujës, të cilin nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vepër pathosi patriotik u rikthye si në veprën e parë, duke mpakur elementin universal të veprës pararendëse.[2]

Studime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pipa vëren idilizmin e tij në paraqitjen e jetës fshatare, ka fjalë simpatie vezulluese për bujqit mëditës dhe rajatë, sa herë që i bie rasti t'i përmendë ndër vjershat e tij.[1] Mendohet se tek poezia e tij në fillim reflektohet një kalim romanticizmi në realizëm, i ndikuar nga Zola.[4] Sabri Hamiti sheh tek vepra e Asdrenit kalimin nga romanticizmi në trashëgimi të simbolizmit.[5]

Shiko dhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :


Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Përkthyer nga Primo Shllaku. Princi. f. 112.  978-9928-4090-9-6. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c d e f g h Elsie, Robert (1997). Histori e Letërsisë Shqiptare. Përkthyer nga Abdurrahman Myftiu. Tiranë-Pejë: Dukagjini. ff. 179–180. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Skëndi, Stavro (2015). The Albanian National Awakening. Princeton University Press.  9781400847761. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Hanioğlu, M. Şükrü (2010). A Brief History of the Late Ottoman Empire. Princeton University Press. f. 99.  9780691146171. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: Uet press. f. 5.  9789995639457. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)