Kolë Logoreci
Kolë Mati Logoreci | |
---|---|
Lindi | 22 Mars 1896 |
Vdiq | 10 qershor 1964 |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Ekonomist |
Kolë Logoreci (Prizren, 22 mars 1896 - Tiranë, 10 qershor 1964) ka qenë ekonomist shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Prizren, djali i madh i Mësuesit të Popullit Mati Logoreci, asokohe arsimtar në atë qytet. Shkollën fillore e bëri në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme dhe universitetin në Vjenë, në degën ekonomi. Për rreth 5 vjet ai studion edhe instrumentin e violinës dhe mori pjesë si orkestrant në koncertet e dhënë në Sallën e Artë të Vjenës (ku zhvillohet çdo vit Koncerti i madh i Vitit të Ri).
Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri, "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut". Ai ishte Shefi i Buxhetit të Shtetit, një nga postet që dekretohej nga mbreti Zog, vend të cilin e mbajti deri mbas çlirimit. Gjatë kohës që qëndroi në këtë detyrë ai ndërmori një seri masash duke e vënë mbi baza shkencore moderne Institucionin e Buxhetit. Atij i dedikohet drejtimi në investimet për kryeqytetin si dhe lëvizjet për forcimin e monedhës shqiptare.
Logoreci u martua me aktoren Marie Çurçija, e njohur si Marie Logoreci (Artiste e Popullit), (Nderi i Kombit)
Në vitet e para pas çlirimit ai punoi prapë në Ministrinë e Financave, derisa doli në kundërshtim me planin ekonomik që komunistët e ardhur në pushtet donin të aplikonin. Deri vonë specialistët kujtojnë thënien e tij “Shteti është administratori më i keq i pronës”, të cilën ai e tha kur u shtrua shtetëzimi i gjithë pronave. Për kohën kjo ishte e rëndë dhe Kolën e pezulluan nga puna, por, ndoshta duke qenë se ishte djali i Mati Logorecit dhe se ishte një nga pjesëmarrësit në krijimin e qeverisë, nuk u burgos dhe mbas një kohe e futën si llogaritar në Kombinatin e tekstileve "Stalin". Miqtë e tij e ndihmuan të dilte i paaftë për punë dhe ai qëndroi në shtëpi dhe u mor me edukimin e të birit Pjerin Logoreci (sot editor e pronar i network-ut Logoreci.com)
Pasioni i Kolës ishte violina të cilën e mbante pranë dhe luante gjithmonë, sidomos veprat e Shtrausit, jo vetëm në mes miqsh, por edhe kur ishte me të birin në shtëpi. Një pasion tjetër ishte biçikleta. Kola bënte shëtitje me biçikletë duke shkuar me të shoqen Marien dhe një grup miqsh shpesh nga Tirana deri në Durrës, por edhe deri në Shkodër.
Kolë Logoreci vdiq në Tiranë më 10 qershor 1964 nga një sëmundje e rëndë.